(Botuar në Durrësi Bulevard on Line, dt. 06.05.2018)
Sot, 5 Maj 2018, dita e Dëshmorëve!
Sa keq, nuk realizuam si duhet premtimin tonë, të PD të 1991, të Djathtës, por edhe të një pjese të PS e PSD, të Majtës, që në varrezat e dëshmorëve të kombit të ishin realisht edhe të rënët jokomunistë, apo dhe antikomunistë, që kishin luftuar për lirinë e atdheut nga okupatori, që nga 7 prill 1939.
Duhet balancuar historia 45 vjeçare komuniste që ishte një rrenë e madhe ekzagjerimesh, gënjeshtrash e shpifjesh. Ka vazhduar një mungesë orientimi edhe gjatë këtyre 27 vjetëve demokraci, akoma nga shumë njerëz nuk është kuptuar se komunizmi ka qenë një armik i të dy krahëve të politikës evropiane, si i të Majtës, si i të Djathtës!
Nuk duhej të kishim lejuar edhe sot, pas 28 vjetësh, akoma t’u lihet monopoli i luftës antifashiste komunistëve, sepse është një mashtrim. Shqipëria është një vend evropian që u pushtua nga fashistët që në prill 1939, ku komunistet (jo të majtët!) ishin faktikisht aleatë me pushtuesin, e kjo deri në qershor 1941, pra për më shumë se 2 vjet, deri kur u sulmua Bashkimi Sovjetik nga nazistët. Kjo sepse qendra e komunistëve, Moska, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi e miqësie me nazistët etj. Pas dështimit të përpjekjeve për bashkim kombëtar, në shtatorin e 1943, konferenca e Mukjes etj., fillojnë të shfaqen tipare të qarta të luftës civile në Shqipëri, kjo e shtyrë nga partia komuniste.
Nuk po e zgjas me hollësi të historisë së ngatërruar të viteve 1939-44, sepse nuk ka vend këtu. Por theksoj se një parti e Djathtë, si dhe një parti e Majtë, evropiane, në Shqipëri, duhet të realizojnë që 50% e varrezave të të rënëve të L2B të jenë jo nga formacionet komuniste: kështu e imagjinoj unë pajtimin përfundimtar kombëtar, edhe për të kaluarën.
Në mbyllje po ritheksoj sa thashë që në krye të këtij komenti, faktin e anashkaluar në Shqipëri:
Komunizmi ishte njësoj armik, si i të Djathtës, si dhe i të Majtën (partisë socialiste dhe socialdemokrate) evropiane. Prandaj edhe ish-të përndjekurit e regjimit komunist shqiptare, vinë në fakt nga ide antikomuniste të djathta si dhe nga të majta. Kështu që monopolin e të përndjekurve antikomunistë, nuk mund ta pretendojë as e Majta e as e Djathta evropiane shqiptare: ish-të përndjekurit u përkasin të dy krahëve të politikës shqiptare, të Djathtës dhe të Majtës.
Bashkim Kopliku
Mobile&Whatsapp&Viber: +355(0)672858090
(In DEUTSCHLAND: 004915771187972)
Phone: +355(0)52 223663
E-mail: <[email protected]>