GABIMET MË TË SHPESHTA GJUHËSORE NË MASMEDIAT TONA

0
3245
Zymer Mehani, portret

Përgatitur nga prof. Zymer Mehani

Disa gabime në përdorimin e trajtave foljore në mjetet tona të informimit publik, si në ato të shkruara dhe elektronike, po bëhen gabime të shumta gjuhësore, sidomos në kuadër të sistemit foljor nga ana e disa gazetarëve dhe artikullshkruesve të ndryshëm (Por jo nga të gjithë). Këtu po i përmbledhim vetëm disa raste më të shpeshta:

1. Kur veta e tretë e kohës së ardhme të tashme të mënyrës dëftore, si p. sh: ai/ajo do të punojë/ dhe veta e tretë e kohës së tashme të lidhores të tipit: ai/ajotë punojë/ po ngatërrohet dhe po identi kohet me vetën e parë të njëjësit të së tashmes të mënyrës dëftore të tipit: unë punoj ose me vetën që s i takon as lidhores e as aoristit si kjo e tipit: të punoi, në shembujt: …, gjë të cilën poeti DO TA SHIJOJ vetëm kur atëherë; nuk ka pranuar TË NËNSHKRUAJ dokumentin e kërkuar nga policët, por ka lluar TË OFENDOJ me fjalë fyese; … ka shkuar që TË FITOI; etj.

Po kështu shumë herë i gjejmë të përdorura gabimisht trajtat foljore, si ai/ ajo duhet TË PUNON, TË MENDON, duhet TË VLERËSON etj., në vend që të thuhet: ai/ajo duhet të punojë, të mendojë, të vlerësojë. Këto ngatërrime janë shumë të pranishme edhe te foljet sidomos te ato të tipit: vë, zë, lë, nxë, bie etj.

2. Shpeshherë foljet konsonantike, pra ato që mbarojnë me një bashkëtingëllore, në të tri vetat e njëjësit të dëftores i gjejmë të shënuara me mbaresën vetore – ë, gjë që bie ndesh me rregullat gramatikore të gjuhës sonë, si në shembujt e sjellë këtu: Ai PËRKRAHË zhvillimin e hekurudhave; Princ Harry THITHË vodka (një titull gazete, që është tmerrësisht i gabuar, si nga ana gramatikore, po ashtu edhe nga ana kuptimore etj.); HEDHË nga dritarja të fejuarën (titull në një gazetë) etj., ngase sipas një rregulle ato nuk duhet të marrin asnjë mbaresë në vetat e përmendura;

3. Pjesorja e foljeve në kohët analitike del shumë herë pa formantin – ur ose edhe pa të në rastin e foljeve apofonike, si në shembujt: Kemi MBAJT shpresë që do ta kemi sivjet objektin e ri të shkollës; … , por edhe personalitetet kosovare e kanë MBËSHTET një gjë të tillë; Ata kanë SJELLUR disa libra; Ne jemi MARRUR vesh për këtë gjë; Këto modele kanë DALUR nga përdorimi; etj. Pra, trajtat e drejta janë: Kemi mbajtur shpresë; e kanë mbështetur ; Ata kanë sjellë; Ne jemi marrë vesh për këtë gjë; etj.

4. Foljet e zgjedhimit të tretë të tipit: di, pi, e, rri etj. me mbaresa vetore njëjtë-sohen shumë herë me ato të tri vetave të njëjësit të kohës së tashme të dëftores, si në shembullin: Sipas asaj që DIJ unë, ndërmarrja e çfarëdo sulmi të tillë kundër Irakut në këtë fazë do të ishte veprim i pamatur, tha Anan. Kjo kategori e vogël e foljeve, sipas një rregulle gramatikore, në të tri vetat e njëjësit nuk duhet të marrë asnjë mbaresë vetore, pra: unë/ti/ai/ajo/ di, pi, e, rri etj.

5. Foljen – vij në vetën e parë dhe të tretë njëjës të dëftores e të lidhores shumë herë po e ndeshim me trajtën e gabuar VIE /TË VIE si p. sh.: Kjo nuk mund TË VIE në shprehje (një trajtë foljore shumë shtë e gabuar); … në vend se në pleqëri të vie në vete, . . . etj. Kjo folje e ka këtë paradigmë të drejtë të zgjedhimit: Unë vij, ti/ai/ajo/ vjen/; unë/ të vij, ti/ të vish, ai/ajo/ të vijë (në të ardhmen: do të vijë) etj.

6. Folja – lë në vetën e tretë të aoristit po përdoret me trajtën e pjesores – lënë, gjë që përbën një gabim gramatikor e drejtshkrimor, si në shembujt: LËNË punën në QKU, vrapojnë në klinika private! ; Hajnat LËNË pa ujë dy fshatra (Tituj nga gazetat tona të përditshme). Në këta dy shembuj është dashur të përdoret trajta e drejtë foljore – lanë, sepse kjo folje ka këtë paradigmë zgjedhimi në aorist: unë lash, ti lë, ai/ajo la; ne lamë, ju latë, ata/ato lanë.

7. Foljet e parregullta – ha dhe – rri etj. në kohën e kryer të thjeshtë dhe në trajtat e tyre analitike, në të shumtën e rasteve, po ndeshen të përdorura gabimisht, si në shembujt: Ata kanë HANGËR… Ata NDEJTËN lart atje, si Perëndia… etj.

Folja – rri në kohën e kryer të thjeshtë bën: (unë) ndenja; (ti) ndenje; (ai/ajo) ndenji; (ne) ndenjëm (ju) ndenjët (ata/ato) ndenjën, dhe jo: ndejtën, si në shembullin e lartpërmendur. Po kështu edhe folja ha në kohën e kryer të thjeshtë, sikundër dihet, e ka këtë paradigmë zgjedhimi: unë hëngra, ti hëngre, ai/ajo hëngri; ne hëngrëm, ju hëngrët, ata/ato hëngrën; ndërsa në kohët analitike: unë kam/ kisha/ pata/ do të kem + ngrënë etj.

Shtrohet pyetja: Pse ndodhin gjithë këto gabime drejtshkrimore e gramatikore në sistemin foljor? Kësaj pyetjeje mund t i përgjigjemi shumë shkurt: Mungesa e kulturës gjuhësore që nënkupton mosnjohjen e duhur të rregullave drejtshkrimore e gramatikore të gjuhës sonë nga ana e gazetarëve, lektorëve, redaktorëve gjuhësorë etj., e sidomos ndikimet e pareshtura dialektore që janë të pranishme në jetën tonë të përditshme, që nga rrethi familjar e shoqëria, janë faktorët kryesorë që e përcaktojnë një gjë të tillë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.