SHKRIMI NDARAS I TRAJTAVE MBIEMËRORE DHE EMËRORE

0
907
Zymer Mehani - Fadil H. Curri

Përgatiti prof. Zymer Mehani

Shpeshherë në shtypin tonë të përditshëm dhe në shkrimet e tjera publicistike, shkencore, madje edhe letrare, po ndodh t’i ndeshim disa togfjalësha emërorë, në të cilët gjymtyra e varur e tyre, që zakonisht është një trajtë mbiemërore, (qoftë si kompozitë, qoftë e prejardhur nga ndajshtesa të ndryshme), po shkruhet me trajtat të ndryshme, herë ndaras e herë bashkë, si në shembujt e mëposhtëm: … u nis për në një vizitë gjashtë ditore në tri vende të këtij regjioni (duhet: rajoni ); … se pas një hetimi gati pesë mujor ka arritur të identi kojë dhe arrestojë personin e dyshuar … ;

Fëmijët që atë natë së bashku me një foshnje disa muajshe do të kalonin në male; etj. Po kështu, nuk mungojnë as rastet kur gjymtyra e varur e këtyre togfjalëshave, e formuar kryesisht me anë të ndajshtesave, po përdoret e shkëputur nga parashtesat e tyre dhe elementet tjera përbërëse, si në shembujt: … me rëndësi të gjenden rrugë të reja kreative drejt daljes nga kjo gjendje e pa perspektivë… ; … për të ardhmen e shëndoshë të tyre, për qindra fëmijë të porsa dalë nga lufta; … pengesat në orët e mësimit janë të pa evitueshme, e për këtë duhet që pa tjetër të shqyrtohet dhe të krijohet një normë e veçantë; … nuk duhet t’i lihet tërë faji për mos e kasitetin e saj; etj.

Pastaj disa kompozita emërore të shkruara, po ashtu, ndaras, si: Xhamaika po e shënon dyzetë vjetorin e pavarësisë së saj nga Britania dhe mbretëresha po e kremton pësëdhjetë vjetorin e ardhjes në fronin mbretëror të Britanisë; Vullnet mirët (titull); etj.

Në të gjithë këta shembuj dhe shumë të tjerë që nuk u sollën këtu për shkak të natyrës së këtij shkrimi, sipas një rregulle gramatikore dhe drejtshkrimore, trajtat e zëna ngoje këtu është paraparë të shkruhen bashkë, si: një vizitë gjashtëditore, foshnje disamuajshe, hetimi pesëmujor, gjendje e paperspektivë, fëmijë të porsadalë nga lufta, pengesa të paevitueshme; dyzetëvjetori, pesëdhjetëvjetori, vullnetmirët etj, të cilat në përbërjen e tyre kanë dy a më shumë tema motivuese; njëra nga këto (tema mbështetëse, që është zakonisht e dyta), e formëson gramatikisht gjithë kompozitën, ndërsa tema tjetër (ose tema të tjera, kur janë më shumë se një) është e asnjanësuar nga pikëpamja e kuptimeve të tyre gramatikore.

Përdorimi i lokucionit parafjalor pavarësisht + një emër a përemër në rasën rrjedhore Është e vërtetë se në faqet e shtypit tonë dhe në shkrime të ndryshme shkencore, përgjithë-sisht, gjithnjë e më shumë po e gjejmë të përdorur këtë ndërtim gjuhësor. Madje në këto vitet e fundit ka marrë një hov të madh përdorimi. S’ ka shkrim gazete ndoshta që të paktën një herë e më shumë të mos përdoret kjo shprehje gjuhësore me strukturë:

ndajfolje parafjalore + një emër çfarëdo në rasën rrjedhore. Ja disa shembuj: Kabineti mori vendim që të intensi kojë luftën kundër terrorit, pavarësisht faktit nëse do të futemi në një luftë totale kundër autoritetit palestinez apo; Pavarësisht rrugëve të reja ligjore që do të ndjekë opozita për këtë problem, … ; Ushtarët gjermanë qëndrojnë në Kosovë, pavarësisht veprimeve të njëanshme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës; Dhe qëllimi ynë është t’ i bashkojmë me familjet e tyre, pavarësisht cilit nacionalitet i takojnë ata; Pavarësisht negociatave të reja, SHBA – të vazhdimisht kanë përsëritur qëndrimin për pavarësi; Pavarësisht mënyrës sesi Hristova ka udhëtuar në letërsinë e një vendi të vogël, … etj.

Përdorimi i këtij lokucioni është i gabuar dhe në vend të tij është dashur të përdoret lokucioni parafjalor pavarësisht nga, si në shembujt: Pavarësisht nga fakti nëse do të futemi në një luftë totale; Pavarësisht nga rrugët ligjore që do të ndjekë opozita për këtë problem; pavarësisht nga veprimet e njëanshme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës; etj.) ose, në disa raste, lokucioni lidhëzor pavarësisht se si në shembullin: Pavarësisht se cilit nacionalitet i takojnë ata.

Në anën tjetër, ka mundësi që edhe këto dy të zëvendësohen me përgjegjësen me gjithë + një emër, përemër në rasën kallëzore, një togfjalësh etj., si një lokucion parafjalor më i natyrshëm i gjuhës sonë (si p. sh.: me gjithë faktin nëse do të futemi në një luftë totale; me gjithë rrugët e reja ligjore që do t’ i ndjekë opozita për këtë problem, … ; Me gjithë mbajtjen e negociatave të reja, SHBA – të vazhdimisht kanë përsëritur qëndrimin për pavarësi), sepse, siç kanë konstatuar me të drejtë autorët e Gramatikës së gjuhës shqipe II e ASHSH, – Sintaksa (Tiranë, 2002), lokucioni pavarësisht nga, që vjen nga ndikimi i gjuhëve të tjera, prandaj është e këshillueshme që të mos përdoret, por ne do të thoshim se ka mundësi që të zëvendësohen me lidhëzat dhe lokucionet lidhëzore lejore:
megjithëse, megjithatë, megjithkëtë, edhe pse, ndonëse, sado që, sido që etj., varësisht nga ndërtimi dhe formulimi gjuhësor i njësive sintaksore kumtuese.

Ky ndërtim gjuhësor, ndonëse është me burim nga gjuhët tjera, ka hyrë tashmë në strukturën gjuhësore të shqipes dhe pakkush ose askush nuk e shtron sot çështjen në duhet të hiqet nga përdorimi a jo, sepse ai faktikisht iu është përshtatur strukturës gjuhësore të shqipes. Sot këtë ndërtim e gjejmë kudo, në të gjitha llojet e ligjërimit, si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri e më gjerë. Prandaj, ne jemi të mendimit që ndërtimet:

pavarësisht nga/ pavarësisht prej, si lokucion parafjalor ose pavarësisht se, si lokucion lidhëzor, edhe me tutje të përdoret në gjuhën tonë, por jo me trajtat e tipit: pavarësisht punëve/ aktiviteteve/ organizimit/ veprimit/ faktit etj., siç po i gjejmë të përdorura në këto vitet e fundit kudo në shkrimet e ndryshme.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.