Shaban Alikaj
Përballë çezmës së Kalasë pak metra larg njëra tjetërs dy familje jetuan me shumë harmoni e dashamirësi, familja Miftar Brahim Mara dhe familja Shaban Dervish Alikaj. Kur isha fëmijë në lagjen “Kala” banonin pak familje. Brenda murit rrethues të kështjellës së kalasë afër çezmës së Kalasë banonte në godinat e vjetra nënë Sherifeja, dhe në krye të murit të kështjellës në këndin e majtë banonte familja e nënës së mrekullueshme Dylba me hallë Didaren që ishte martuar me Myrteza Kuka.
Përball me nënë Dylbën banonte familja Telha Musa Mara dhe familja Sherif Musa Mara. Në lartësinë e kodrës banonin familjet Gavil Sihal Kananaj me nënën e mrekullueshme Zeno Kananaj dhe familja Avdulla Veli Kananaj. Poshtë çezmës së Kalasë banonin familjet Miftar Brahim Mara, Selam Brahim Mara dhe Avdulla Koka.
Kropishti
Kur u largua nënë Sherifeja, erdhi me banim familja Shaban Alikaj, i cili me duart e arta e mendjen e mprehtë zbukuroi mjedisin e banimit duke ngritur godina të reja e qëndisur me pemë frutore kopshtet e shtëpisë. E shikoja vazhdimisht duke punuar.Punonte me merak e cilësi profesionisti. Çfarë i shikonte syri ja bënte dora. Me qetësi e maturi hidhte hapat e tij kur ecte i sigurtë se bredna tij kishte energji pozitive për jetën. Ishte dinamik në veprimet e tij të kalkuluara me përpikëmëri. Kishte të zhvilluar intuitën e intelektit që është një lule që nuk mbinë në çdo tru njeriu. Edhe pse nuk kishte mundur të arsimohej me diploma në shkolla të mesme apo të larta,ai kishte diploma në mendimet e duart e tij të arta. Zotëronte me aftësi teknike disa specialitete të sektorit të ndërtimit, të frutikulturës, bujqësisë dhe mbi të gjitha ishte njeri me zemër të madhe dashamirëse. Ishte serioz në veprime, modest, i thjeshtë në komunikim.
Në të gjitha cermonitë e familjes së prind[rve të mi, i miri Shaban Alikaj ishte i pranishëm së bashku me bashkshorten e mrekullueshme Bakie, të cilët me shpirtin dashamirës integroheshin me hallet e shumta që kishin prindërit e mi me shumë fëmijë. Me bujari e shumë humanizëm na përkrahnin duke na dhënë shumë ngrohtësi njerëzore vëllazërore e prindërore. Kur na vinin në shtëpi, edhe pse në atë kohë nuk kishte drita elektrike, ndriçonte shtëpia nga gëzimi shpirtëror i sinqertë i familjes së të ndjerit Shaban Alikaj. Ata me shumë pastërti shpirtërore zbukuronin të gjitha cermonitë familjare e miqësore të prindrëve të mi. Në jetën time të rinisë së hershme,kur sapo kisha filluar punën mësues në Kropisht në shtator 1965 kishja ndihmën dashamirëse të njeriut me zemër të mirë Shaban Alikaj.
Ai më takonte me shumë gëzim që e dalloja në ndriçimin e syve dhe buzëqeshjen e fytyrës. Më donte dhe këshillonte, por edhe ndjente krenari që unë kisha pasion për të mësuar vëllezërit e motrat bashkfshatar kropishtjot. Ruaj kujtimet më të mira për këtë fisnik në shpirtë Shaban Alikaj që në ditët më të vështira të jetës sime më dha optimizëm për të përballuar goditjet e luftës së klasave duke më pushuar nga puna si mësues. Ai u trishtua shumë kur më shikonte që më shpallën armik e kulakun e ri. Më përshëndeste me dhimbje kur kaloja për të punuar tuneleve.
Në këtë shkrim të shkurtër dua të theksoj se jeta e të ndjerit Shaban Alikaj është një model trashëgimije me aftësi në punë dhe me një sjellje korrekte, humane edhe ndaj jetës së të tjerëve. Ai ishte një model shëmbullor si prindë i përkushtuar, duke rritur e edukuar fëmijë të dashur e të respektuar. Kam ndjerë shumë dhimbje për humbjen e jetës në lulen e rinisë të djalit të tij të shkëlqyer Renato, kjo ishte plaga shumë e rëndë e hidhërimit për zemrën e të ndjerit Shaban Alikaj. Edhe Qafa e Gurit ka ndjerë dhimbje për ata të rinjë që prehen atje te banesën e fundit duke u larguar nga jeta në moshën më të bukur e duke brengosur të dashurit familjjet, fisin dhe të gjithë kropishtjotët.
Ndjeva shumë dhimbje për largimin nga jeta të të ndjerit Shaban Alikaj, i cili kur më vdiq nëna në vitin 2000, më erdhi në shtëpi në lagjen Uji Ftohtë ku banoja dhe me shumë ndjenja dhembshurie na ngushëlloi për humbjen e nënës sime. Njerëz si Shaban Alikaj janë të rrallë dhe mbeten të pavdekshëm me shpirtin e mirë që karakterrizohej në jetën e tij. I ndjeri Shaban Alikaj është larguar vetëm fizikisht,sepse është i gjallë në shpirtin e fëmijve të tij, të famijes,fisit Alikaj dhe të gjithë fiseve të Kropishtit.
Falenderoj vajzën shëmbullore Feruze Alikaj që më dërgoi foton e babait të saj të dashur Shaban Alikaj, për ta vendosur te statusi i fisit Mara në facebook. Me respekte e mirënjohje ju uroj fëmijve të të ndjerit Shaban Alikaj të kenë jetëgjatësi me shumë gëzim në familjet e tyre.
Sapo e publikova këtë shkrim të shkurtër në facebook, ishte bërë ky koment falenderimi nga e bija e të ndjerit Shaban Alikaj, Fero Alikaj me banim në Gjermani.
“Nuk gjej fjalë për të falënderuar, vëllai im Qatip. Jo se ke shkruar këto rreshta të artë për babain tim, por më ke sjell para syve të mi Kalan, lagjen ku ne u lindëm dhe u rritëm,dhe që sot kam aq mall që ta përshkoj me këmbë. Shikoj me sytë e mendjes si atëherë fëmijë, njerzit e mrekullueshëm që kanë jetuar aty dhe që sot nuk janë, më. Zemra më dhemb për të larguarit nga kjo jetë. Me ktheve prapa në kohë dhe të falënderoj pa masë.
Unë sot jam fëmija, e lindur në ato troje, jam e reja e rritur në atë lagje, jam njeriu i rritur me dashurinë e sinqertë vëllazërore të mbrujtur me aq kujdes nga prindërit tanë. Ndaj të jam mirënjohëse, Qatip, se me fjalën e mendimit tënd të shkruar në këto rreshta jam një femër, motër, grua, nënë e mbërthyer nga nostalgjia për kohën që ikën e nuk e kthejmë dot mbrapa, po vetëm e kujtojmë vetëm me mall. Unë të uroj të kesh force dhe shëndet që të sfidosh sprovën me të cilën të ka përballur jeta. Dhe njëherë të falënderoj nga zemra dhe të uroj jetë të gjatë. Fero Shaban Alikaj“
NDERIM E RESPEKTE KUJTIMIT TË NDRITUR TË SHABAN ALIKAJ
Me respekte e mall nga larg oqeanit
Qatip Mara
Nju Jork, 7 qershor 2017
Faleminderit Fjala e Lire, Shkoder.net per botimin e shkrimit.
Me mirenjohje ju uroj shendet dhe suksese ne misionin dritedhenes atdhedashurie, qe kontriboni per shqiptaret e shperndare neper bote.
Ju lexojme me mall atdhetare.
Me respekte
Qatip Mara
Nju Jork