DOLI NGA SHTYPI THESARI KOMBËTAR 7 e 8

0
698

Nga Fetah Bahtiri

Doli nga shtypi libri i titulluar Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi, vëllimi 7 e 8 botime këto të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Sikur edhe numrat e mëparshëm të Thesarëve, 1, 2, 3, 4, 5, 6 edhe këta dy numra 7 e 8 janë shkruar nga shumë anëtarë dhe joanëtarë të Shoqatës sonë dhe për synim kryesor kanë ndriçimin e veprimtarisë dhe angazhimin e komunitetit shqiptar në Skandinavi e më gjerë në shërbim të atdheut dhe të kombit.

Ne, komuniteti shqiptar në Suedi, jemi të përcaktuar që t´i shërbejmë atdheut në mënyra të ndryshme, prandaj në Thesarët… tanë kemi paraqitur dokumente e fotografi të ndryshme e të shumta, të cilat flasin me gjuhën faktografike për atë se kush dhe si ka vepruar për ta ndihmuar atdheun. Këta dy numra i quajmë Thersarë…, sepse me të vërttetë janë thesarë. Janë thesarë, në radhë të parë sepse nuk janë vëzhgime e vështrime nga kënde të ndryshme personale e subjektive, por, ajo që paraqitet e thuhet në librat që i përurojmë sot, thuhet e bëhet vetëm e vetëm duke u mbështetur në dokumente e në fakte. Pra, Thesarët… tanë janë dokumentarë të kohës, janë brum për studime e hulumtime edhe në kohët që vijnë pas nesh.

Thesarët…, që të gjithë, e edhe këta dy numra, kanë vetëm një ngjyrë: ngjyrën patriotike, kombëtare, çdo gjë është e argumentuar me dokumente origjinale. Konsiderojmë se pikërisht kjo është vlera më e madhe dhe më e çmuar e tyre. Për shembull Thesari… nr. 8 përfshin listat origjinale të atyre që kanë dhënë kontribut duke ndarë 3% nga kafshata e gojës për vitet 1996, 1997 dhe 1998 për popullin e shtrypur e të ndrydhur në Kosovë nga okupatori shekullor dhe për funksionimin e Republikës së Kosovës, përfshin listat origjinale të kontributdhënësve nga Suedia për Drenicën në vitin e tmerrshëm 1998, përfshin ndihmat për rastet e jashtëzakonshme në Suedi si dhe ndihmat për shkollën e mesme në Shalë të Bajgorës – të gjitha këto realizuar në periudhën më të vështirë të atdheut, kur i nevojitej ndihma për të mbijetuar ferrin.

Edhe Thesari… nr. 7 përfshin materiale të shumta e të llojllojshme që gjithnjë kanë të bëjnë me veprimtarinë dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Suedi në shërbim të atdheut. Secili material, secili pohim, është i argumentuar me dokumente origjinale, fotografi etj. Në këtë numër ndodhen edhe disa krijime letrare, poezi dhe materiale të tjera të cilat reflektojnë nivelin krijues të autorëve që i botojnë ato.

Kështu, pra, ne, Shoqata jonë, kemi vepruar, kemi punuar, i kemi grumbulluar dokumente, jemi bërë shërbëtorë të atdheut dhe sot të gjitha këto nxjerrim në dritë dhe ua servojmë lexuesve e shkencës. Prandaj këta libra janë xhevahire të vërteta e të çmuara, janë thesarë.

Përndryshe, theksimi im këtu se këta libra janë thesarë të çmuar nuk është vetëm i imi, por ky është vlerësim edhe i organeve, institucioneve dhe profileve kompetente shkencore, i doktorëve të shkencave, kritikëve letrarë etj.

Sot Shoqata jonë është e vendosur, e përkushtuar dhe po punon intensivisht e me vetëmohim, gjithnjë me punë vullnetare, për përgatitjen dhe botimin edhe të numrave të tjerë të Thesarëve…

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.