NJË FALËNDERIM DHE NJË FTESË E VEÇANTË NGA KOSOVA PËR PRESIDENTIN XHORXH W. BUSH

0
2092

Pavarësia, vajza nga Kosova që i dërgon kartolinë presidentit Bush

Nga Frank Shkreli

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington, Vlora Çitaku njofton në faqen fejsbuk të përfaqësisë diplomatike të Prishtinës në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara se ajo ishte takuar, në fillim të kësaj jave, me ish-Presidentin amerikan, Xhorxh W. Bush në Dallas të shtetit Teksas. Vizita e kryediplomates së Kosovës në Dallas kishte një mision të veçantë dhe tepër të rëndësishëm. Ambasadorja Çitaku duhej t’i dorëzonte ish-Presidentit Bush – jo një notë diplomatike ose ndonjë njoftim zyrtar nga Kosova a po nga udhëhqesit e Republikës së Kosovës, që ajo përfaqëson – por ishte diçka me më shumë rëndësi. Ishte një letër falënderimi drejtuar ish-udhëheqsit amerikan, e një përfaqsuesjeje të brezit të ardhëshëm të shqiptarëve të Kosovës, pikërisht nga vajza shqiptare nga Kosova, e quajtur Pavarësia.

Në njoftim thuhet se Pavarësia ka lindur pikërisht dy minuta pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke u bërë foshnja e parë, lindur në ditën e shpalljes së Pavarësisë. Në këtë kapacitet, po të mund të themi kështu, Pavarësia, vajza shqiptare 9-vjeçare nga Kosova, i drejtohet Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Z. Xhorxh W. Bush, me një letër falënderimi për rolin që ai ka luajtur në promovimin, dhe më në fund, në sigurimin e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që në letrën e saj, Pavarësia, njëkohsisht e fton Presidentin Bush që të vizitojë Kosovën me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, vitin që vjen.

Kartolina që vajza shqiptare nga Kosova,
Pavarësia, i dërgoi Presidentit Xhorxh W. Bush

Shqiptarët do ta mbajnë mend për gjithmonë deklaratën e Presidentit Xhorxh Bush nga Tirana, qershorin e vitit 2007, në lidhje me vonesat ddiplomatike, kryesisht të evropianëve të asaj kohe, për shpalljen e pavarësisë së Kosovës – se “enough is enough”, mjaft është mjaft dhe se kishte ardhur koha tashmë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kishte thënë Z. Bush gjatë vizitës së parë në Shqipëri të një presidenti amerikan në detyrë. Ishte kjo një deklaratë e njëjtë me atë të një shekulli më parë, kur një president tjetër i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson-i, i kishte premtuar Fan Nolit se, “Në konferencën e paqës do të kam një zë dhe se atë zë do ta përdor në mbështetje të Shqipërisë”.

Në të dy rastet, shqiptarët kudo, nuk duhet të harrojnë kurrë skenarët e mbrojtjes së Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo, nga ana e Shteteve të Bashkuara, por as edhe rolin që ka luajtur diaspora shqiptare, sidomos diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara, fillim shekullin e kaluar si edhe në fillimin shekullin e 21-të.

Ambasadorja e Kosovës Vlora Çitaku duke i dorëzuar Presidentit Xhorxh W Bush letrën dërguar atij nga vajza 9-vjeçare nga Kosova, e quajtur Pavarësia.

Është në këtë frymë mirënjohjeje dhe falënderimi që vajza e re shqiptare, Pavarësia, nga Kosova i drejton letrën Presidentit Xhorxh W Bush, pikërisht si një kujtesë dhe falënderim për rolin e tij në përpjekjet amerikane për të bindur botën se kishte ardhur koha për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe për njohjen e atij vendi si shtet i pavarur.

“Ndërsa por afrohet 10-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thuhet në faqen e kryediplomates së Kosovës në Wasshington, “Ne duhet të kujtojmë miqtë dhe aleatët tanë më të mirë. Presidenti Bush ishte ndër të parët presidentë që njohu Kosovën dhe e kemi për nder ta quajmë atë mik tonin. Kosova ishte me të vërtetë e bekuar për faktin se kishte mbështetjen e tij në periudhën tonë më kritike të saj”, shkruan ajo.

Ambasadorja Çitaku thotë gjtihashtu se Presidenti Bush i ofroi asaj një mikpritje të ngrohtë dhe se zhvilluan bisedime të frutshme me rastin e dorëzimit të letrës nga 9-vjeçarja Pavarësia, e lindur në ditën e shpalljes së pavarsisë së Kosovës.

Buleveradi “Xhorxh Bush” në Prishtinë.

Pavarësia i drejtohet Z. Bush me përshëndetjen,

“I dashur Z. President.
Më quajnë Pavarësi, që do të thotë “Independence” dhe jam lindur 2-minuta pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj. Unë dua t’u falënderoj për punën tuaj për ta bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur. Së shpejti unë do i mbushë 10-vjetë ashtu siç do i mbushë edhe Kosova. Unë luaj me shokë e shoqe dhe shkoj në shkollë. Shpresoj që të vizitoni mua dhe Kosovën me rastin e ditëlindjes tonë. Do të kemi përgatitur një tortë jashtzakonisht të madhe dhe do të ndezim fishekzjarre. Një falënderim të madh për ju dhe përqafime nga Kosova”, përfundon Pavarësia, letrën e saj dërguar Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.