TURQIA NA KA PËRDORUR PËR INTERESAT E VETA DHE PO NA PËRDOR PRAPË!

0
775
Arben Çokaj

Arben Çokaj

Ka njerëz që kujtojnë se pse kemi patur vezirë e pse i kemi shërbyer Turqisë gjatë pushtimit 523 vjeçar, paskemi qenë mirë, sejmenë të turkut. Po çfarë bëri Turqia për ne? Na vrau e na preu!

Turqia e sotme po islamizohet. Po kalon nën një sistem diktati. Turqia e sotme e Erdoganit ecën nën shembullin e madhështisë së Perandorisë osmane, mbron ato vlera, dhe synon të ngjallë kulturën neo-osmane në Ballkan, sidomos në Bosnje e në trojet shqiptare. Po financon vazhdimisht për këtë. Por sa na intereson ne kjo? Kjo na e cënon identitetin tonë shqiptar dhe na e zëvendëson me atë islam.

Tani sa për info për ata, që duket se nuk i kuptojnë mirë këto gjëra, e kujtojnë se unë po flas pa lidhje. Mendoni e përgjigjiuni këtyre pyetjeve: Më gjeni një vend musliman, demokratik e të zhvilluar, që ju mendoni se ne duhet të bëhemi si ai? Duke kultivuar islamin, ne a kemi më shumë shanse të bëjmë një shtet musliman, apo demokratik e evropian? Ku shkojnë shqiptarët etj. më shumë kur emigrojnë, në vendet e Perëndimit apo në Turqi, e vendet muslimane dhe pse?

Nëse i hyjmë historisë, thjeshtë për 523 vjet pushtim, Turqia na ndau në 4 vilajete me shumicë shqiptare, pse? Na mohoi gjuhën shqipe. Më 1881 kishte mijëra shkolla turke, mijëra shkolla greke e sllave në trojet shqiptare, po shkollë shqipe? Vetëm 1, atë të Pandeli Sotirit, që e vranë më pas grekët.

Pushtimi turk na ndau në 4 fe, pse thua vallë? Na islamizoi, që të jemi delja e zezë e Ballkanit e në konflikt të përhershëm me fqinjët. A na intereson ne konflikti me fqinjët? Shtroi për 523 vjet vetëm 5 km. rrugë. Kjo është ajo që Turqia ka bërë për ne. Na ka përdorur dhe ka përfituar prej nesh – e vazhdon të na përdorë. Por ne na ka vrarë e prerë dhe na ka rrënuar në fakt. Atëherë përse duhet t’i respektojnë ne turqit vallë?

Austro-Hungaria që erdhi pas ikjes së Turqisë nga Ballkani, shtroi 400 km. rrugë për 3 vjet në trojet shqiptare. E shumë shqiptarë, prapë nuk e shohin ndryshimin, duan turkun më shumë se Evropën. Austro-Hungaria synoi të na bënte shtet të pavarur, Ndërsa Turqia na sillet si pronar në trojet tona përmes islamit dhe na imponon të respektojmë herojtë e saj, si sulltan Mehmet Fatihun, pushtuesit tanë, t’i quajmë edhe çlirimtarë. Turqia e rrezikon ekzistencën identitare shqiptare, ne duhet të kemi kujdes ndaj saj, por nuk po kemi, se kemi shumë njerëz të pa-ndërgjegjësuar, që për hir të fesë islame, ushqejnë dashuri për pushtuesin e dikurshëm… E kjo na rrezikon.

Por ne, nëse nuk marrim një orientim të qartë të modelit të një shteti evropian, jemi të humbur… Prandaj unë shkruaj herë pas here në këtë drejtim – për ndërgjegjësim. Shkollim e dije, punë e zhvillim, e orientim të qartë Evropian, pa luhatje, pa ekuivoke. Turqinë, Rusinë e fqinjët i kemi provuar, jemi kombi më i prapambetur e më i coptuar në Ballkan.

Duhet një vizion tjetër, që ta nxjerrim gomarin tonë nga balta.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.