DREJTIM I DUHUN!

0
2404

AV. XHABIR ZEJNUNI

Fabul

Seç u mblodhën delet n’vathë,
edhe nji herë me kuvendue,
t’ardhmen e tyne me e vendue,
se kush tufën me e drejtue.

Vrik u hodh n’dy thûndra dashi,
brinat e tij tue i vringllue,
sa t’kem brinat unë n’maje t’krés,
kush veç meje s’ka me ju drejtue.

Çohet nji dele aty kah fundi,
me nji kâmbë fort tue çalue,
– Ti mor dash me ato brina,
gjithmon ne na ke shkallmue.

Ban ma mirë ti me u spostue,
me na lânë nji herë me vendue,
le t’shikojm jasht tuf’s nji herë,
kush ma mirë me na sundue.

Ja pret dashi tuj blegrue,
– Rri moj shtrêmê e mos bân zâ,
se kto brina qi je tue ju frigue,
gjithë kopenë e kanë zaptue!

Plasi zhurma edhe shamata,
askush tue mos ditë me prâ,
gjendja erdh fort u randue,
tue mos dítë n’krye ke me vûe.

Por, shumë shpejt ndodhi magjija,
kur nji pllitje prej jashtë gjimoi,
– M’leni moj dele mue me kuvendue,
se veshgjati ka me ju mrekullue!

Askush n’vathë nuk bâni zâ,
kur gomari filloi me ligjrue,
– Boll, moj dele, brinave tue ju frigue,
ka ardhë koha historinë me e ndrrue.

Vejani veshin fjalve t’mija,
m’jepni lejen veç mue me ju drejtue,
se kullosa e uji me bollek,
ju kurrë mâ s’ka me ju mungue.

Filluen delet fort tue u shtye,
kush mâ shumë o me blegrue,
– N’hall t’madh, o gomar, na ke vue,
n’se fjalës tande ne me i besue.

Por, fort bindshëm foli gomari,
sa edhe delet e pranuen,
n’krye t’tufës me e vue,
pa përjashtim me i drejtue.

E mori fjalën prap delja plakë,
– Meritoje ti mor gomar,
nderen e madhe që ne po t’bajmë,
ti drejtimin e ne t’hamë bar.

Fort u përlot i shkreti gomar,
edhe pllitjet mâ shumë ju shtuen,
– Solemnisht po ju tham o moj dele,
se ma shumë keni me blegrue.

Ihaa, ihaa, ihaa.
Bee, bee, bee.

(XH. Z.).

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.