KultPlus.com, 16 SHKURT 2018
Ambasada e Kosovës në Uashington sjell video mesazh nga Gjenerali Wesley Clark, ish-komandanti suprem i NATO-s për qytetarët e Kosovës me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë:
“Popullin e Kosovës e mbaj në mend si ndër më të guximshmit dhe më të qëndrueshmit në Evropë dhe poashtu e mbaj në mend si popullin më pro-amerikan në Evropë.
Tash kur po e festoni 10 vjetorin e pavarësisë, duhet ta kujtoni me shumë krenari atë që është arritur dhe nga ju duam të shikoni drejt asaj që mbetet për t’u bërë në të ardhmen – zhvillimi ekonomik, përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët, mposhtja e pasigurive të së kaluarës, izolimit, ndasive dhe shtypjeve etnike, të cilat kanë mbizotëruar me shekuj në Ballkan – për t’u bërë kështu prijës të Evropës së re.
Të ardhmen e keni përpara. Keni popull shumë të mirë. Keni miq shumë të mirë në Shtetet e Bashkuara. Unë besoj në të ardhmen tuaj të ndritshme.” #Kosova10
Ish-Presidenti Bush uron Kosovën: Krenar që njoha Pavarësinë
17/02/2018
Urimeve për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës i është bashkuar edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush.
Me anë të një letre, ai ka uruar pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka përmendur edhe momenti e njohjes së pavarësisë nga SHBA.
“Isha krenar që pranoja kërkesën e tij për Shtetet e Bashkuara të njohin Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur”, shkruan Bush.¨
“Përshëndetjet më të përzemërta qytetarëve të Kosovës të cilët festojnë 10 vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë. Në vitin 2008, Presidenti Sejdiu ra dakord të merrte përgjegjësitë e përcaktuara nga Plani i Ahtisaarit për të nxitur lirinë, tolerancën dhe drejtësinë për qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Isha krenar që pranoja kërkesën e tij për Shtetet e Bashkuara të njohin Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.
Dhjetë vjet më vonë, kjo ditë historike është një reflektim i angazhimit të vendit për të vazhduar ndjekjen e standardeve më të larta të dinjitetit njerëzor dhe për të çuar përpara çështjen e lirisë. Laura dhe unë përgëzojmë popullin e Kosovës në këtë rast të rëndësishëm dhe dërgojmë urimet tona më të mira për një të ardhme paqësore, demokratike dhe të begatë. Zoti të bekoftë”, mbyllet urimi i Bush.