Abdyl Frashëri një gjigand i kombit që la gjurmë të pashlyeshme

0
1534

Nga Jahja LLUKA

“Abdyl Frashëri ishte trim, e kishte syrin si shigjeta, ishte i matun dhe nuk i’a hidhte dot as mbreti as krajli, ishte i përmendur në penë dhe dije”- Faik Konica Janë të rrallë burrat si Abdyl Frashëri që i kushtoi një jetë të tanë kombit, me dije, punë, maturi, largpamësi, luftë dhe sakrificë. Toka jonë lindi gjigand që lanë gjurmë dhe i lakmoi bota e që kulturat dhe popujt tjerë me domos duan t’i përvetësojnë. Sot mund të themi që idetë e Abdylit për Shqipërinë morën jetë, sot jemi dëshmitar të ngritjes së kombit tonë dhe rikthimit në origjinë, ku për gjysmë milenimumi u la anash, e u përndoq u luftua deri në zhdukje.Sot mund të jemi krenar me gjithë vështirësitë, sepse kombi ynë është duke u bë faktor në Ballkan, sepse vetëm kështu do të arrihet një paqe afatgjate, e nënshkruar mbi gjakun,vuajtjet, mjerimin, torturën e këtij kombi sa të bekuar aq dhe fatkeq përtej kohërash.

Abdyli u lind me 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Deri në moshën 18 vjeç jetoi në fshatin e tij të lindjes për tu zhvendosur më pas në Janinë shkaku i punës. Me fillimin e Krizës Lindore me 1877 erdhi në pah karakteri i Avdylit.Po në atë vit formohet Komiteti Shqiptar i Janinës ku Avdyli zgjidhet kryetar, për t’u bërë hartues i projektit për mëvetësinë e Shqipërisë,përmes kryengrites së armatosur anti-osmane. Qëllimi i tij ishte të merrte përkrahje nga Rivalët e Perandorisë Ruse, konkretisht shtetet evropiane të cilat dukej se kishin frikë nga mbizotrimi i Rusisë në Ballakan.Por kjo përkrahje nuk erdhi ndaj shqiptarëve. Që nga korriku deri në dhjetor 1877, zhvilloi bisedimet me Athinën zyrtare për krijimin e një aleance politike shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane, por rezulati doli i pafavorshëm pasi Athina nuk pranoi idenë e Shqipërisë së Pavarur në kufijtë e saj etinikë.

Në fundvit të 1877 Abdyli ishte deputet i Janinës në parlamentin e dytë Osman, në atë kohë ai zgjedhet kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll e që njihet si Komiteti i Stambollit. Abdyl Frashëri konkludonte se nga prirjet ekspansioniste të Rusisë dhe interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur gjallë Perandorinë Osmane, poashtu kafshimet e fqinjëve ballkanik për ta bëre copë- copë, krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, do të ishte zgjidhja më e përshtatshme. Vilajeti i Kosovës dhe ai i Janinës ishin vendet ku Abdyli zhvilloi aktivitetet e tij politike dhe patriotike.

Ishte i palëkundur në kauzën e tij për autonominë e Shqipërisë. Ishte i pranishëm në të gjitha kuvendet të cilat ishin nën organizimin e Këshillit të Përgjithshëm nga Lidhja e Prizrenit ku më pas zgjedhet kryetar i komisionit për punë të jashtme. Më 1 nëntor 1878 mori pjesë në Kuvendin e Parë të Dibrës ku në mënyrë zyrtare iu kërkua Portës së Lartë ruajtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë në një shtet autonom të vetëm. Në janar të 1879 organizoi Kuvendin e Prevezës ku kërkohej ruajtja e e Çamërisë dhe mos aneksimi i saj nga Greqia fashiste. Po në pranverë të atij viti udhëhoqi delegacionin shqiptar të Lidhjes në turneun e Evropës ku kishin një kërkesë të vetme ndaj Fuiqive të Mëdha ruajtjen e territoreve shqiptare dhe kërkesën e tyre për liri dhe autonimi.

Qeveria e përkohëshme që u miratua nga Kuvendi i Dytë i Frashërit ishte projekt i mirëmenduar nga Abdyli. Poashtu priu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës e cili shihte si arsye të vetme kryengritjen e armatosur për mbrojtjen nga pushtuesit. Në Kuvendin e dytë të Dibrës ai promovoi programin e Gjirokastrës gjë që nuk kaloi nga shumica, pas këtij zhgënjimi Abdyli kthehet në Kosovë ku së bashku me trimat dardan vunë në funksion vendimet gjirokastrite.Më 1881 bëhet pjesë e qeverisë së përkohëshme në Prizren me qellimin e vetëm pavarësimin e Shqipërisë dhe ruajtjen e saj nga armiqët e kobshëm. Me tu shtypur Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri arrestohet nga gjyqi special Osman, ku dënohet me vdekje, por më pas dënimi i kthehet në burg të përjetshëm.

Qëndroi 3 vjet në burg dhe 20 muaj në internim dhe lirohet për arsye shëndetsore. Aktivitetin e tij patriotik e zhvilloi deri më 23 tetor 1892 në Stamboll ku edhe vdiç. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë më 1978 për tu rivarrosur në tokën nanë të cilën e deshi më shumë se çdo gjë. Ky burrë i urtë dhe trim hapi rrugën e vështirë për brezat që do vijnë dhe kështu lartësoi përjetë emrin dhe veprën e tij të madhe në shërbim të kombit. Dhe si i tillë mbetet që ta nderojmë dhe admirojmë personalitetin e tij, sepse nderimi për të është nderim për atdheun.

Dërgoi për publikim Skënder Mulliqi, gazetar

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.