Pse të detyrohet Kosova që të ulet në tavolinën e bisedimeve të pabarabarta në Bruksel me Serbinë?

0
335
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 17.07.2018

Letër e hapur zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së!

Duke përcjellë me vëmendje zhvillimet rreth përmbylljes së fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, ne qytetarët e Kosovës ndjehemi tepër të shqetësuar për fatin tonë pas përmbylljes së këtij dialogu të pabarabartë dhe vrastarë për Republikën e Kosovës!

E quajta të pabarabartë për faktin se, nga fillimi ishte i tillë. Detyrimi i uljes në tavolinën e bisedimeve viktimat me xhelatët e tyre është pak më tepër se presion politik, është nënshtrim, tallje dhe nënçmim në përmasa vrastare për Republikën e Kosovës!

Populli i Kosovës përjetësisht i është mirënjohës ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare, në veqanti SHBA-ve për intervenimin ushtarak për çlirimin e vendit dhe shpëtimin nga shfarosja dhe dëbimi gjenocidial i Serbisë.

Njohja e shtetit tonë në kufijtë ekzistues nga ish federata jugosllave 10 vite më parë nga shtetet e BE-së, SHBA-së dhe shteteve gjithandej globit, ishte e arritur dhe ngjarje kulmore për shqiptarët e vuajtur ndër shekuj.

“Pakoja e Ahtisarit”, në bazë të së cilës është shpallur pavarësia e Kosovës, edhe pse nuk ishte zgjidhja për të cilin ishte luftuar, por meqë ishte ofruar si zgjidhje përfundimtare për mbylljen e një kapitulli të luftërave dhe vuajtjeve shekullore, shqiptarët e Kosovës e pranuan si kompromis të dhimbshëm për vendin.

Në “Pakon e Ahtisarit”, nuk ka qënë i paraparë dialogu dhe as marrëveshje tjera shtesë me Serbinë. Mirëpo, këta të fundit vazhduan me “Ahtisari plus”, që ndryshe i bie “Pavarësi minus” për shqiptarët,…ide kjo e Millosheviqit për Kosovën, e cila ju kishte ofruar presidentit historik Ibrahim Rugova; “Më pak pavarësi e më shumë autonomi për Kosovën”, të cilën e kishte refuzuar kategorikisht presidenti ynë.
Thënë ndryshe, Dialogu i Brukselit dhe marrëveshje e reja nuk kanë qenë të parapara me Planin e Ahtisarit.

Mohimi i forcës mbrojtëse

Fillimi i bisedimeve të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, pa e njohur kjo e fundit Republikën e Kosovës, përveqse befasi, ishte një hap i madh prapa!

Për të qënë bisedimet e barabarta dhe suksesi i atyre bisedime i garantuar, paraprakisht do duhej detyruar Serbinë të njoh shtetin e Kosovës, si pikënisje e çdo gjëje.

Të detyrosh shtetin e Kosovës të dialogoj me Serbinë, kur kjo e fundit në preambulen e kushtetutës së saj e mbanë Kosovën akoma si pjesë iuntegrale të saj, është sa tendencioze po aq qëllimkeqe!

Të detyrosh shtetin e njohur ndërkombtarisht të futet në bisedime me armikun e saj shekullor, kur ajo, në vend të kërkim faljes, kërcënon me rikthim të sërishëm në truallin e saj, është abuzim me të drejtën ndërkombëtare.

Të detyrosh Republikën e Kosovës të futet në bisedime të pabarabarta jo si shtet i pavarur por si subjektivitet nën Rezolutën 1244 të KS të OKB, është shkelje e të gjitha normave demokratike, shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Shkuarja tutje me bisedimet e pabarta në Bruksel, ku Serbia hapur e shfaq kërkesën e saj për gllabërim të pjesës veriore të Kosovës, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet bazike të zyrtarëve të lartë euro-perëndimor për mos ndryshim të kufijëve në Ballkan, ide kjo që bie ndesh edhe me “Pakon e Ahtisarit”, mbi të cilën është njohur dhe pranuar Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur.

Të gjitha këto shkelje dhe një mori shkeljesh të tjera përgjatë 20 viteve të prezencës ndërkombëtare në Kosovës, janë “SUI GENERIS” dhe precedent i paparë dhe padëgjuar deri më tani në botën demokratike.

Kosovës, shtetit me prezencën më të fuqishme politike dhe ushtarake ndërkombëtare i mohohet formimi i forcës mbrojtëse, gjegjësisht ushtrisë së saj nën pretekstin se u dashka pajtimi i 2-3 % të pakicës serbe kundrejt 95 % të popullatës shqiptare në vend!

BE-ja, shqiptarët duhet t’i trajtojë ashtu siç janë, popull autokton në trojet e veta stërgjyshore

Dhënja e karakterit “multietnik” të shtetit më etnik në botë është mohim i skajshëm i realitetit dhe ndrydhje e vullnetit të popullatës shumicë në Kosovë.
Sikurse që e kuptojmë qëllimin e mirë të bashkësisë ndërkombëtare për arritjen e një paqe të qëndrueshme në Ballkan, akoma më mirë i kuptojmë ambiciet e Serbisë për rikthim në marsin e vitit 1999.

Nëse vërtet bashkësia ndërkombëtare dëshiron të arrijë paqe të qëndrueshme në Ballkan, atëherë sa më parë duhet të ndërroj çasjen ndaj çështjes shqiptare në Ballkan.
BE-ja, shqiptarët duhet t’i trajtojë ashtu siq janë, popull autokton në trojet e veta stërgjyshore. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë zhvilluar luftëra për pushtime territoresh të huaja, por për mbrojtjen e tyre nga pushtuesit e ndryshëm.

Vetëm nga viti 1877/78 e deri më sot shqiptarët kanë pësuar tkurrje enorme të territoreve, vrasje dhe dëbime masive nga trojet e tyre. A për ilustrim po ua permendi sa fakte si më poshtë;

“Vetem përgjatë viteve vitet 1877/78 Serbia gllabëroi dhunshëm sa 2/3 e territorit të sotëm të Kosovës. Ishte ushtria e Millosh Obrenoviqit ajo e cila dëboi dhunshëm nga vatrat e veta mbi 700 fshatra e 7 qytete shqiptare, me ç’rast mbi 500 mijë shqitarë janë vrarë dhe shpërngulur për Turqi e vende të tjera më të largëta.

“Nish-i” i sotëm ishte pika kufitare numër 1 që ndante tokat shqiptare me ato sllave. Jo vetëm “Nishi-i”, por edhe qytete dhe fshatra tjera, sot e asaj dite mbajnë emrat e dikurshëm të para 140 viteve, si: Kastrati, Drenova, Rashica, Tullari, Rafuna, Dukati, Leci, etj.

Janë këto 7 vendbanime nga 700 fshatra të pastra shqiptare të para 140 viteve më parë, që sot nuk banohen me shqiptarë, të pushtuara nga kolonët serb”.

Për të zbërthyer dhunën sistematike, helmimet e nxënësve dhe stundentëve, burgosjet dhe torturat, dhunimet, vrasjet dhe dëbimet, shkatërrimet dhe plaçkitjet e pronave të shqiptarëve vetëm në kohën e Millosheviqit, jo një shkrim e një libër, do duhen enciklopedi librash për të përfshirë gjitha ato që kanë përjetuar shqiptarët nën sundimin serbosllav.

Andaj e ftojë BE-në, SHBA-në, KS të OKB-së dhe të gjithë organizmat relevant ndërkombëtar, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që e gëzojnë paqen dhe lirinë në vendet e tyre, që të angazhohen edhe për liritë dhe të drejtat universale që i takojnë vendit dhe popullit tim të shumëvuajtur gjatë historisë mijëravjeçare.

Në emrin tim dhe mbarë popullit paqedashës shqiptarë, ju lutem që të ushtroni ndikimin tuaj në zgjidhjen e drejt dhe të qëndrueshme të çështjes shqiptare në Ballkan, në veqanti të problemit të Koosvës.

Ngase çdo zgjidhje e njëanshme do të thotë përseritje e skenave të kaluara në rajonin e Ballkanit.

E ftojë BE-në dhe SHBA-në, që të kërkojnë nga personeli i tyre diplomatik i instaluar në Kosovë, të mos përkrahin dhe përdorin liderët e korruptuar dhe inkriminuar kosovarë, por t’i luftojnë me të gjitha ligjet vendore dhe ndërkombëtare në fuqi.

Vetëm luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të ishte garanci e fuqishme për ardhmëri të sigurtë për të gjithë në Kosovë.

Të ndalen menjëherë shantazhet dhe obstruksionet që po i bëhen shtetit të Kosovës nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian

Ardhja në pushtet e njerëzve kompetent për fushat përkatëse, me etikë profesionale dhe të ndergjegjshem që i shërbejnë me nder e përgjegjësi popullit e shoqërisë kosovare, do të ishte ndihmesë e madhe edhe për ju, që për dy dekada investuat miliarda e miliarda për një paqe të “monitoruar”, e cila me largimin e juaj nga Kosova do të shndërrohet në një luftë shkatërrimtare përtej kufijëve ballkanikë e evropianë!

Andaj vetëm zgjidhja e drejtë dhe përfundimtare e çështjes shqiptare në Ballkan, është garanci për paqe të qëndrueshme në këtë pjesë të kontinetit evropian.

Që kjo të mos ndodh, kërkojë të ndalen menjëherë shantazhet dhe obstruksionet që po i bëhen shtetit të Kosovës nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Ju këputën 8200 hektarë tokë e Kosovës në emër të liberalizimit të vizave i cili nuk po ndodh edhe pas katër muaj të ratifikimit në Kuvend, e drejtë kjo universale që i takon çdo populli paqëndashës në shekullin 21.

Pse të penalizohet akoma më tepër populli më pro-evropian dhe më pro-perëndimor për interesa grabitçare të Serbisë në Ballkan!?

Pse të detyrohet edhe më tutje Kosova që të ulet në tavolinën e bisedimeve të pabarabarta në Bruksel me Serbinë, kur kjo e fundit nuk e ka përbushur asnjë kriter dhe asnjë marrëveshje të arritur deri më tani!?

Nuk e besoj, se është në interesin e BE-së dhe SHBA-së, mbetja hapur e një plage të vjetër në Ballkan, si vatër krize e përhershme në këtë pjesë të Bashkimit Evropian!?

Vallë, pse u dashka të dëmtohet akoma më tepër një popull paqedashësh që jeton prej mileniumesh në territorin e vet!?

Shqiptarët autokton në trojet e veta, nuk kërkojnë as më shumë dhe as më pak se sa ruajtjen e territoreve dhe rikthimin e territoreve të aneksuara me dhunë një shekull më parë, të legalizuara në Konferencën e Londrës dhe Vërsajes!

Familja është një shtet në miniaturë. andaj sikurse bashkimi familjarë që është i garantaur me ligjet ndërkombëtare, ashtu duhet të ndihmohet edhe bashkmi i trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm, si e drejtë ndërkombëtare dhe si garanci për paqe të qëndrushme në Ballkan dhe stabilitetit afatëgjatë të Bashkimit Evropian.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.