KULLA E ISA BOLETINIT U MBUSH PËRPLOT ME PLIS BARDHË

0
741

Në kullën muze të Isa Boletinit u mbajt pjesa e tretë e edicionit të pestë të Manifestimit “Dita e plisit”

Milazim F. KADRIU

Pjesa e tretë e Edicionit të pestë me radhë të manifestimit tashmë tradicional mbarëkombëtar “Dita e plisit” që është manifestim i ideuar nga Ismet Karasniqi – Lala e në përkrahje të Këshillit të përgjithshëm të njerëzve të kulturës e artit nga Klina ( Prend Buzhala, Idriz Berisha, Gjon Gjergjaj e Alban Gashi), kësaj radhe u mbajt në Kullën Muze të Isa Boletinit në Boletin të Shalës së Bajgorës. Organizimin kësaj radhe e mori përsipër Teatri i Qytetit “Sandër Prosi” në krye me Halit Baranin dhe institucionet kulturo-trashëgimore të Mitrovicës.

Manifestimi nisi me homazhet dhe vendosjen e kurorave pranë shtatores së Isa Boletinit në Mitrovicë dhe marshimin e pjesëmarrësve nëpër rrugët e Mitrovicës për të vazhduar më pas rrugën për në Boletin. Edhe në Boletin u bënë nderime pranë varrit të heroit Isa Boletini dhe u vizituan ambientet muzeore të Kullës së Isa Boletinit.

Në hyrje të kompleksit të Kullës së Isa Boletinit mysafirët nga trojet e ndryshme shqiptare u pritën ngrohtësisht nga burrat shaljanë të cilët u dëshiruan mirëseardhje në Shalën e Bajgorës, në Shalën e Isa Bolietinit.

Që në fillim të programit Ismet Krasniqi-Lala, tha se kësaj radhe moderimin e manifestimit do ta bënë njëri nga organizatorët lokal dhe ia kaloi fjalën Hysni Sylës, i cili fillimisht në emër të qytetarëve të Mitrovicës i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi organizatorët që e kanë zgjedh këtë mes për të mbajtur pjesën përmbyllëse të edicionit të pestë të manifestimit “Dita e plisit”. Ndër tjera ai tha : ” Është një nderë i veçantë për ne shaljanët, sepse bartja e plisit ishte traditë e kamotshme shqiptare në rajonin e Shalës së Bajgorës dhe të Mitrovicës. Në fotografi të moçme që po dalin nga arkivat gjithandej, banorët e kësaj ane nuk ishin ndryshe, pos me plis.”

Më pas të pranishmit i përshëndeti dhe ju dëshiroj mirëseardhjeje edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, i cili edhe një herë tha se kjo tokë është e jona dhe e jona do të mbetet, nuk do të ketë ndarje të tokave shqiptare dhe as të kësaj ane. Pra Mitrovica do të jetë e pa ndarë tha Bahtiri.

Më pas me një fjalë para të pranishmëve u paraqit Rrezarta Loxha ,drejtoresh e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, që e kishte mbështetur materialisht manifestimin e Ditës së plisit në Kullën e Isa Boletinit.

Gazmend Boletini, stërnip i Isa Boletinit para të pranishmëve foli me shumë emocione ngase ndjehej shumë i lumtur që ky manifestim mbahej në kullën muze të stërgjyshit të tij, për çka edhe falënderoi organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit.
Monologu kushtuar plisit u pritë mjaft ngrohtë nga të pranishmit e të cilin e deklamoi Venera Bojaj.

Shkrimtari, publicisti dhe njëri nga organizatorët e përhershëm të manifestimit Prend Buzhala. para të pranishmëve u paraqit me kumtesën e tij mjaftë përmbajtjesore të titulluar “Kulla dhe plisi”.
Manifestimi si gjithherë u freskua me një këngë rapsodike nga Nazmi Hajdari.

Ndonëse ishte paraparë që në këtë manifestim të paraqitet me një kumtesë edhe Dr. Jahja Dtançolli, por siç u tha nga moderatori ai nuk ishte prezent ngase ndodhej në një aktivitet të rëndësishëm në Dubrovnik të Kroacisë, ku mban një ligjëratë për Gjin Gazullin.
Profesori dhe shkrimtari i njohur i Shalës së Bajgorës Fazli Hajrizi, para të pranishmëve u paraqit me kumtesën e tij të titulluar “Plisi i bardhë-pjesë e kostumit popullor dhe simbol mijëra vjeçar i shqiptarëve”.

Manifestimi u freskua edhe me një pikë muzikore nga grupi i rapsodëve nga Mitrovica e për të vazhduar edhe me disa fjalë përshëndetëse nga mysafirë nga troje të ndryshme shqiptare. Kryetari i shoqatës atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra, Ndue Sanaj, pasi përshëndeti të pranishmit në manifestimin në kullën e Isa Boletinit, për Kullën muze “Isa Boletini” ndau mirënjohje dhe medaljonin “Mehmet Shpendi” të cilën me shumë respekt e pranoi Gazmend Boletini.

Pastaj përshëndeti Agron Isa Gjedia, kryetar i shoqatës “Bytyqi” Tiranë-Prizren, i cili ideatorit të këtij manifestimi i dhuroi dy botimet e kësaj shoqate që janë botime kushtuar plisit, aktivitet të cilin Gjedia më shoqatën e tij e realizon tash e disa vite në Tiranë. Po ashtu ai shpërndau edhe gazetën “Bytyqi” që e boton kjo shoqatë. Me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe Rrahman Lajçi, Avdyl Hoxha nga Oda e Junikut, Ramë Mrija nga Tropoja,Vlora nga Amerika, prof. dr. Mehmet Rukiqi etj.

Edhe rapsodët nga Shkodra ia thanë këngës në Kullën e Isa Boletinit, më pas u ndan disa mirënjohje nga Teatri i qytetit “Sandër Prosi” për ata që dhanë kontributin më të madh në organizimin e këtij manifestimi.

Në fund duke e shpallur të mbyllur aktivitetin e kësaj dite, ideatori i manifestimit Ismet Krasniqi-Lala pasi ka falënderuar pjesëmarrësit tha se në të ardhmen nuk do të quhet më Manifestimi “Dita e plisit”, por do të jenë “Ditët e plisit”,e që paralajmëroi se në vitin e ardhshëm aktivitetet “Ditët e plisit” do të mbahen ne Jezerc të Ferizajt, në kullën e Ahmet Delisë në Drenicë, në Zym të Hasit.

Si zakonisht për të pranishmit vendasit kishin shtruar ushqime tradicionale. Edhe në hapësirat jashtë kullës muze nuk mungoi kënga dhe zëri i ëmbël i çiftelisë, sharkisë e lahutës që tingëllonin aq bukur në këto male të larta të Shalës së Bajgorës nga Rapsodi Nazmi Hajdari me grup, dhe grupet rapsodike nga nga Shkodra e Mitrovica.

Ashtu si erdhën pjesëmarrësit edhe u larguan nga kompleksi i kullës muze të “Isa Boletinit” të përcjell nga burrat e kësaj ane.

Pjesëmarrësit aty ku u takuan pranë shtatores së Isa Boletinit në Mitrovicë aty edhe u ndalën sërish për të marr edhe ndonjë foto dhe për tu përshëndetur me dëshirën që të takohen edhe në manifestimet tjera të radhës.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.