Shaip Grabovci, “E bukura e dheut”, romanë për fëmijë, botoi “Fad” 2018, Prishtinë
Autori Shaip Grabovci, i njohur në letrat shqipe në disa rrjedha të krijimtarisë letrare. Grabovci, i dëshmuar sidomos në shkrimin romanit e të dramës, të radiodramës, të humoreskës, të tregimit për të rritur e për fëmijë, gjithherë – gjatë krijimtarisë së vet të begatë, ka prekur aty ku lexuesi e ndjen rrjedhën e gëzimit e të pikëllimit, për ta përfunduar ndonjërën nga librat e punuara me përkushtim dhe dashuri të veçantë.
Kështu, autori, ia ka dalë në këtë mënyrë të prek gjithherë aty ku i dhemb lexuesit, të prek dhe të derdhë ide, ngjarje, data e çaste të përditshme, por të kapura nga këndi i posaçëm. Me këtë rrjedhë, lexuesi, me secilin libër të ri është gjetur në një ballafaqim me realitetin dhe ëndrrat, me të arritshmen në jetë dhe të paarritshmen dhe gjithherë është gjetur i mahnitur, është ndjerë i ngazëllyer.
Ky rast është dhe me romanin për fëmijë “E Bukura e Dheut”, rrëfim i ri për një rrëfim të vjetër. Këtë autori e shfaq vetëm duke e cilësuar Annamornë – një herë, me të Bukurën e Dheut, sepse proza, romani, ka rrjedhë tjetër, ndërsa e Bukura do të mbetet në plan të dytë, sado që këtu – padyshim, është brilant. Vetëm një herë brenda romanit e thërret “E bukura e Dheut” dhe te lexuesi mbetet mrekullia pse nuk është thelluar me shumë dhe më dendur kjo pjesë e prozës.
Ja si e përshkrua gjendjen shpirtërore të Annamoreas e cila pa arsye gjendet e burgosur në qeli: “Annamorea ishte e lodhur dhe e frikësuar. Ajo për herë të parë ishte e ndarë nga prindërit! Ishte vetëm dhe në një ambient të panjohur! Iu afruar derës dhe u kap për grilla… Qëndroi ca e mandej sikur e zuri gjumi. Mirëpo nuk ishte gjumë i njëmendët, më shumë kotej, ose më mirë e thënë ishte një mbyllje e syve para një frike të madhe!
Papritmas iu bë se dëgjon diçka që ngjasonte në hapa, por ata ishin të mprehte dhe më shumë të kujtonin në kthetra se sa në hapa prej njeriu. Hapi sytë dhe e vuri re se para grilave gjendej roja që e solli në atë kafaz. Ai u ndal e shikoi ca kohë vogëlushen dhe sikur i vinte keq ta zgjonte. Mirëpo Annamorea ishte zgjuar, por e frikësuar, prandaj nuk lëvizte fare. Kështu kaloi një kohë bukur e gjatë dhe më në fund ajo me zë të dridhur iu drejtua rojës:
– A do të më thoni se pse jam këtu? Unë asnjë të keqe nuk kam bërë që të më burgosni!”
Ja pse është mëkat që Grabovci që nuk e ka kultivuar më shumë këtë zhanër të letërsisë, ngaqë të shumtën e herës i duhen vetëm një grusht fjalësh, disa fjali, që, në mënyrë mjeshtërore, si pak ose fare ndonjë krijues te ne, të ndërtojë një tregim të gjatë, të mrekullueshëm për fëmijë. Ai, kështu, sa herë vendosi të shkruajë ndonjë prozë të shkurtër apo edhe të gjatë për fëmijë, përmes një humori të natyrshëm, të lehtë, përmes bëmash të ndryshme të fëmijës, me afërsi, ngrohtësi dhe qartësi të çuditshme ia dol të depërtojë me sukses të papërsëritshëm në psikologjinë e fëmijëve, gjithherë pahetueshëm të prek në të përditshmen e tyre, në ëndrrat dhe dëshirat e tyre, që ata do t`i shprehin qoftë përmes lojës apo ndonjë forme tjetër të punës, të mësimit, të aktivitetit fizik dhe mendor…
Në ketë rast në romanin për fëmijë “ E bukura e dheut” ai prek mjeshtërisht imagjinatën e fëmijëve që kanë dëshirë të njohin botën vizuale të kompjuterit, të futet aty brenda dhe të eksplorojnë nëpër filmat vizatimor, të bëhet njeri nga personazhet, të njihen me jashtë tokësorët, të takohet me gogëlushet, të fluturoj me shqiponjën dhe të ndërtojnë një urë paqeje për njerëzit.
Ky libër vjen si një sihariq, si një shenjë ogurbardhë, për vlerat artistike të pamohueshme që ngërthen në vete, por dhe për faktin se romani për fëmijë është deficitar te ne. Secili kapitull në librin e ri të Shaip Grabovcit “E bukura e dheut” është përjetim i këndshëm më vete dhe kujtoj do të bëhet shumë shpejt pjesë e përditshmërisë së lexuesit, jo vetëm e lexuesit të vogël. Kjo vjen pashmangshëm, sepse – në fund të leximit të librit, deshi apo nuk deshi, secili e ndien thellë më vete kënaqësinë e tregimit, bëhet pjesë e zgjidhjes së problematikës së parashtruar, të ngashërimit apo dhe të zhgënjimit, të lidhura çdo ditë mes nesh, por që nuk i hetojmë apo nuk u kushtojmë rëndësinë e duhur. Romanin “E bukura e dheut” e mundësoi të botohet Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës
Është mëkat i madh që ky krijues kaq i suksesshëm nuk është marrë më dendur edhe me roman siç bëri mrekulli në monodramat dhe dramat e tij të shkëlqyeshme.
Fatmire Duraku