Gjergj Kastrioti në nëntor 1443, përmes Luginës së Preshevës filloi Veprën e Tij!

0
1110
Shtatorja e Gjeargj Kastriotit në Lezhë
Skënder Jashari

Skender Jashari

Lugina e Preshevës, mes tyre disa dhjetëra fshatëra, kanë edhe sot kujtimin e paharruar për Motin e Madh, veçmas Shqipëtarëve katolik të kësaj ane!1 Një ndër fshatrat e tillë, është edhe Rahovica. Fshat ky më i madh i komunës së Preshevës, që ka rreth 1200 shtëpi, me rreth 6000 banorë. Falë pozitës gjeostrategjike, i ka dhënë rëndësi gjatë gjitha etapave historike. Gryka në të cilën shtrihet ky fshat, është e stërmbushur me mitologji dhe histori, por nëntoka e saj ka të dhëna historike, kulturore, arkeologjike etj.

Edhe e kaluara e fshatarëve të fshatit Rahovicë, është e dhimbshme siç është e shumicës së Trojeve Shqipëtare, për më keq, ky fshat dhe lokalitetet përskaj, janë tejet më të pasura me histori luftërash, që nga lashtësia e deri më sot! Duke qenë pjesë kufitare e Trollit Shqipëtar, bëri që të ndesheshin me shumë më shumë pushtime, luftime e ngjarje historike. Por fati i keq, i përcolli që shumica u shpërngulën për në vende tjera, mes tyre për në brendi të territoreve Shqipëtare, pastaj për në vendet fqinje e deri në Turqi, e së fundmi edhe për në botën perëndimore- gjë që ka bërë që mos të ketë kush ta ruaj as kujtimin. Nga ana tjetër edhe pseudohistorian por edhe ndikimi i islamizmit, bëri qëllimisht të venitej, fshehej, kujtimi për Motin e Madh.

Madje për faktin që fshati Rahovicë, ndodhet në anën perëndimore të Luginës së Preshevës, nga kalonte rruga e vjetër në kohën e Perandorisë Romake-Bizantine (Morava-Vardar gjegjësisht Nish-Selanik), por e cila rrugë është përdorur edhe nga shpërnguljet e barbarëve( sllavëve, bullgarëve etj), e pastaj edhe nga Perandoria e Car Dushanit, Perandoria Osmane! Shkaku i kësaj rruglidhje, po ashtu edhe shkaku i të qenit të Luginës në kufirin lindor të territoreve Shqipëtare, bëri që të ndeshet më shumë me luftëra e pushtime.

Sot, çdokush që gërmon në fushat, kodrat dhe malet e fshatit, patjetër has në gjurmë të lashtësisë tonë. Derisa ende gjurmët shihen: në anën e majtë të lumit që shpie në brendi të maleve të Karadakut, ndodhet Kacipupi, pas të cilit ndodhet “Tuma”, që është një lokalitet i paeksploruar arkeologjik! “Gurishtja” një rrafshnaltë, e cila së fundmi nga nxënës të shkollës fillore, janë gjetur monedha, të periudhës parahistorike, e që besohet që ishte vendbanim i hershëm iliro-dardan!

Ndërsa anën e djathtë të fshatit ndodhet Kisha e Artilevicës (e sllavizuar Arhilevica). Koha e ngritjes së kësaj Kishe Katolike, daton nga vitet 1400, edhe pse disa burime theksojnë ndërtimin e saj 6 vite para lindjes së Gjergj Kastriotit. E që edhe kjo Kishë ishte pjesë e Manastirit të Hilandarit( që në shekullin XIV, përmendet në hartën e Despotes Jevdokija dhe të birit të saj Konstantinit). Manastiri i Hilandarit i njohur për përkatësinë e tij dhe lidhjen me Familjen dhe me vetë Gjergj Kastriotin!

Kthimi i Gjergj Kastriotit, me 300 kalorësit, i dha nderë e lavdi edhe Luginës së Preshevës, siç i dha edhe gjithë Arbërisë! Në nëntori 1443, shënon “Fillimin e Ngritjes së Projektit të Parë Arbërorë”, “Kthimi i Tij dhe 300 kalorsëve Arbërorë” nga Beteja e Nishit, ktheu Shpresën e vrarë nga pushtimi Osman. Deri më sot, shumë pak është folur për rrugën e Kthimit të Gjergj Kastriotit, për ta bërë Arbërinë, Emanthinë (Epirin) dhe Maqedoninë e Lirë, princ e mbret i të cilave do njihej nga fuqitë Europiane të kohës. Lugina e Preshevës, në vitet 1440, kishte pak dekada që ishte pushtuar nga Perandoria Osmane. Shkaku i pozitës gjeostrategjike, në Tabanoc të Luginës së Preshevës, ishte vendosur garnizoni i ushtrisë së Perandorisë Osmane.

Gjatë kthimit të Gjergj Kastriotit, gojdhanat e popullit Shqipëtar (pra Shqipëtarët katolik të Luginës së Preshevës, ende e ruajnë Kujtimin për të!), kaloi nga Gryka e Somolicës nëpër fshatrat në anën perëndimore (pra rrëzë maleve të Karadakut)! Kampimi i Gjergj Kastriotit dhe Ushtrisë së Tij, u bë në fshatin Rahovicë, tek Kisha dhe Manastiri i Artilevicës, e që pastaj u quajt nga populli yn si Kisha dhe Manastiri i Shën Gjergji. Subkoshienca e Shqipëtarëve të Luginës së Preshevës( nënkupto Shqipëtarëve katolik), deri më sot kujtojnë “Gurin e Skenderbeut”, “Manastirin e Skenderbeut” (ndryshe manastiri i Rahovicës), “gjurma e kalit të Skenderbeut”, “sofra dhe kampi i Skenderbeut”, “kampi i ushtrisë së Skenderbeut”,”rrugën e Skenderbeut”, “Prroi i Markut” etj.

“Guri i Skenderbeut” i cili ndryshe quhet Kacipupi, me rastin e qëndrimit të Gjergj Kastriotit në fshatin Rahovicë, në majen e këtij shkëmbi, ishte “sofra e Skenderbeut” (vendi ku ushqehej), ndërsa disa metra më tej, në një lëndinë në maje të këtij shkëmbi, ishte emërtuar “kampi i Skenderbeut” (vendi ku ishte vendosur kampi i Skenderbeut)!2 Për Kacipupin, banorët, edhe sot besojnë që ka shumë mistere, mite, që e lidhin me lashtësinë iliro-dardane, me hyjni iliro-dardane, me Gjergj Kastriotin, por edhe kanë gjetur edhe të dhëna të ndryshme faktografike e arkeologjike të lashtësisë!

“Manastirin e Skenderbeut” (ndryshe quhet Manastiri i Rahovicës), sot vetëm themelet kanë mbetur! Një pjesë e kalorsisë ( gojdhana jepte shifrën e 50 kalorsëve) së Skenderbeut, nën komandën e një kalorësi të quajtur “Mark” sipas gojdhanës, ishin vendosur në këtë pjesë. Qëndronin fshehur nga syri i garnizonit Osman në Tabanoc. Madje gojdhana e identifikon vendin si “rrafshina e Manastirit”, ku thuhej që natën qëndronte kampi, kurse gjatë ditës ai zhvendosej tek “Prroi i Markut”, më sakt tek “Kodra e Shemtë”3. Kjo njësi ishte si mbrojtëse dhe mbështetëse e Kampit të Gurishtes! Si prej Gurishtes, ashtu edhe prej Manastirit, tërësisht shihet pjesa e Tabanocës (ku ishte vendosur kampi Osman, po ashtu edhe pjesa totale e “rrugës turke (xhades osmane)”!

“Gurishtja”, vendbanim i lashtë iliro-dardan, por që në Motin e Madh, ishte vendosur “Kampi i Ushtrisë së Skenderbeut”! Gojdhana e jepë versionin, që gjatë natës kampi vendosej në Gurishte, kurse gjatë ditës zhvendosej anash saj deri afër Kacipupit!
Rruga e Gjergj Kastriotit, ishte quajtur rruga nëpër të cilën Gjergj Kastrioti vazhdoi rrugën për Kthim në Krujë. Sot kjo rrugë quhet “rruga e Vrajës” apo “rruga e Muhaxherëve”!
Rrugëtimi i Gjergj Kastriotit dhe Ushtrisë së Tij, vazhdoi nga Gurishtja (Kampi i Ushtrisë së Gjergj Kastriotit), duke ndjekur rrugën e Gjergj Kastriotit, për të kaluar në pjesën e sipërme të Preshevës (Preshevën e Vjetër), pastaj për t’u ngjitur rrëzë maleve të Norçës (N’orës, emërtimi i vjetër sipas gojdhënës), ku edhe gjendet “Gjurma e kalit të Skenderbeut”!

Kjo gjurmë, interpretohej duke glorifikuar madhështinë e kalit të Skenderbeut, i cili nga ai vend kishte nisur vrapimin malit përpjet, ku në shkëmb edhe sot, shihet gjurma e patkoit! Rrugën e kishte vazhduar për në Karadakun e Llojanit (Kumanovës), prej nga kishte shmangur ndeshjen me garnizonin osman të Tabanocës!

Detaje të tjera të cilat lidhen me kujtimin e Motit të Madh, për shkak të hapësirës nuk do paraqiten në këtë shkrim publicistik!

Historiografia sllave, i sllavizoi dhe tentoi t’i tjetërsoj Kujtimet dhe Faktet për Motin e Madh, duke tentu shkëputjen e Lidhjes së Shqipëtarëve të kësaj ane me Skenderbeun. Mjafton të shikohet, në Kadillëkun e Vrajës, ka dhjetra Kisha dhe Manastire të cilat janë të emërtuara në emër të Shën Gjergjit! Disa nga Kishat dhe Manastiret e Kadillëkut të Vrajës, kanë qenë mikpritëset e Gjergj Kastriotit dhe Ushtrisë së tij, gjatë Kthimit për në Krujë!

Mirëpo aludohet në Shën Gjergjin e Kapadokisë (edhe ky me prejardhje Ilire), kurse Shqipëtarët katolik të kësaj ane e identifikojnë Shën Gjergjin me Gjergj Kastriotin. Madje Lugina e Preshevës (e më gjerë), pra edhe pjesa e Karadakut, njohin Shën Gjergjin si “pajtorë” të tyre!

Dëshmoj edhe unë, që sikur mos të kishim Kujtimin dhe Krenarinë për Motin e Madh, as unë e as të parët tonë, nuk do mund ta ruanim identitetin kombëtar e as atë fetar!

Më: 28.04.2019

Skender Jashari i burgosur politik nga EULEX, për rastet e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky shkrim është pjesë e marrur nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në burgimin politik! Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.

Referenca:
1. Ky shkrim është pjesë e librit që trajton këtë çështje dhe se referencat i janë hequr qëllimisht, e që do paraqiten në libër me rastin e botimit!
2. Duke shiku këtë “sofër dhe kamp të Skenderbeut”, shihet qartë që u hyjnizu Gjergj Kastrioti si një Mesi” Shpëtues” i Arbërisë!
3. Kodra e Shemt- Kodra e Shembur! Besohet sipas gojdhanës, që kjo kodër është shembur shkaku i largimit të Ushtrisë së Gjergj Kastriotit!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.