Një dimension i ri i artistit Bekim Lumi

0
462
Bekim Lumi, portret

Besim Rexhaj

KOHA.net, 03 August 2019

Skena teatrore dhe kulturore shqiptare e njeh Bekimin Lumin si regjisor, si një nga regjisorët e mëdhenj, i cili, me angazhimin e me veprën e tij artistike ka lënë shenja të qarta estetike. Që ka lënë një emblemë të pashlyeshme teatrore e regjisoriale, që nga “Mësimi” i Joneskos e deri te “Arturo Ui”, e Brechtit, kryevepra e tij artistike!

Bekimi është nga ata pak regjisorë, dhe për mua është e vazhdon të jetë nga regjisorët e rrallë që, edhe po të mos ishte emri i tij në krijimet e tij teatrore, do të dallohej menjëherë me qasjen e tij origjinale, të papërsëritshme. Është regjisori i cili, me vizionin e tij autentik, me përkushtimin e tij të pashembullt, me botën e tij të veçantë, ka ndërtuar shenjat e tij të pashlyeshme teatrore, emblemën e tij krijuese, shkruan sot Koha Ditore.

Bekimin, ne, kolegët e tij, po edhe studentët tanë të dhjetëra e më shumë gjeneratave, e njohim si pedagogun e përkushtuar, të rreptë e parimor. E njohim si pedagogun e pakompromis, i cili i besonte një sistemi të vlerave akademike, të cilit, në mënyrë të pashoqe, i ishte kushtuar edhe atëherë kur shëndeti i tij nuk ia lejonte këtë.

Bekimin, pos si regjisor e pedagog unikal, bashkë me Fadil Hysajn, me kolegun e mikun tonë, kam pasur fatin e mirë ta njoh edhe si hulumtues, hulumtues me një ndjesi për të vërtetën, për saktësinë dhe me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë kur kemi punuar së bashku në një projekt shumëvjeçar të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës dhe ku shquante një dimension i pazakonshëm prej hulumtuesi i Bekimit që, tek ne, rrallë bashkërendohen brenda një njeriu, si artist e si studiues.

E kujtoj këtë dimensionin hulumtues të Bekimit, sepse libri “Shekespeare dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (një studim krahasues i tragjedisë “Makbethi” të William Shakespeare-it në kontekst me kodin zakonor shqiptar, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”), sado që e njihja këtë dimension, është një zbulim, madje edhe për shumicën e kolegëve e të miqve të tij të tjerë të rrethit të ngushtë, të mos flasim për publikun e gjerë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.