HYS XHEMALI HASA, NGA FILADELFIA, SJELL PËR LEXUESIT VLERAT E KRAHINËS SË TIJ…

0
353
H. Hasa - M. Gecaj, 26.09.2019

Nga e djathta: H. Hasa e M. Gecaj (Tiranë, 26 shtator 2019)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Nuk është hera e parë, që shkruaj e përpiqem të evidentoj, sadopak, para lexuesve tanë punën e palodhur: atdhetare, kulturore e letraare, të bashkatdhetarit tonë, Hys Xhemali Hasa, me origjinë nga rrethi i Kukësit, ish-ushtarak i lartë dhe tash sa vjet me banim, familjarisht, në Filadelfia të Amerikës.

Jo në pak raste, me shumicë janë bashkatdhetaarët tanë, që emigrojnë jashtë në moshën e pensionit dhe atje e kalojnë jetën në pasivite! Pra, nuk bëjnë pjesë në shoqata të ndryshme e të aktivizohen aty, por as ulen të shkruajnë diçka, në shtyp ose në Internet. Ndërsa janë me numër të pakët ata, që kohën e çmuar nuk e kalojnë kot, por ulen e shkruajnë. Edhe pse nuk kanë qenë shkrimtarë ose publicistë, jeta në emigracion, me mallin e pashuar për Atdheun, për traditat e çmuara të vendlindjes, i bëjnë që t’i futen një rruge të pashkelur më parë.

Në rastin konkrat, e kemi fjalën për bashkatdhetarin tonë të nderuar, Hys Xhemali Hasa. Çdo vit, sidomos në muajt e verës e të vjeshtës, ai rikthehet në Shqipëri. Dhe jo me çantën e zakonshme në krah, por që ka brenda një pasuri të paçmuar: Libra…Ata janë prodhim i mendjes e dorës së tij të palodhur. Pasi ka mbledhur dëshmi, të dhëna e dokumente të shumtë, ka biseduar e marrë kujtime nga bashkëkrahinas të moshave të ndryshme, me banim në kryeqytet ose në qarkun e Kukësit, kur kthehet në Filadelfia, ulet e punon me vullnet, pasion e ngulm. Bën sistemimin e materialeve të mbledhura dhe pastaj shkruan, për fakte e ngjarje historike, për traditat atdhetare e kulturore të krahinës, për njerëz të mendjes e të pushkës në mbrojtje të pavarësisë e lirisë së Atdheut. Ndërsa, kur shkrimet e tij i ka “krehur” mirë e mirë, i dërgon në shtyp për botim, si libra.

Edhe më parë është publikuar një listë e gjatë, me 14 libra voluminozë, të cilët i ka shkruar e botuar autori Hys Xhemali Hasa. Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve, si montim në foto, atë po e ribotoj më poshtë:

Kapakë të 14 librave, me autor Hys Xhemali Hasa…

2.
Hys Xhamali Hasa u rikthye nga Filadelfia, në Shqipëri, edhe në muajt shtator-tetor 2019. Një lexues i vëmendshëm, sidomos në faqet e Internetit ose te shtypit, ka vërejtur se ai ka shkruar vazhdimisht e vijon të shkruajë për bashkëkrahinasit e tij, të periudhave e moshave të ndryshme. Të gjitha shkrimet i ilustron me foto të bukura e të rralla. Pastaj, ky “brumë” i shërben për të hartuar librat e tij.

Nga një njoftim i publikuar, jemi njohur edhe me një veprimtari të bukur, për përurimin e 2 librave të rinj të këtij autori. Tubimi u organizua në sallën kryesore “Unesco” të Muzeut HistorikKombëtar, në ditët e fundit të muajit shtator të këtij viti. Pra, u bë përurimi i librave, me shumë faqe: “Vlera intelektuale kuksiane”(vëll.3-2018) dhe “Gjurmë vlerash kuksiane”(vëllimi 1-2019). Pjesëmarrësit e shumtë, familjarë, kolegë, miq e bashkëkrahinas, të gjithë e përgëzuan atë për punën e palodhur, atdhetare e kulturore, që bën, duke qenë larg në emigracion. Ndërsa folësit evidentuan kujdesin e veçantë të këtij autori, për dokumentimin e traditave të çmuara të njerëzve të periudhave të ndryshme historike, nga vendlindja e tyre. Po kështu, shprehën besimin e ai do ta vijojë pandërprerje këtë punë krijuese, duke u shërbyer brezave të sotëm dhe atyre që vijnë pas nesh.

…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, për botimin e librave nga kolegu e miku i dashur Hys Xhemali Hasa, shënoj se ai gjeti rastin që, ndërmjet punëve të shumta, të vinte e të më takonte dy herë e të pinim kafe bashkë. Ndërsa dy librat e mësipërm, të cilët u përuruan, në shenjë respekti, ai m’i kishte dërguar që më parë. Nga këto takime tona të paharruara, ruaj edhe disa fotografi, njërën nga të cilat po ia bashkëngjes kësaj skice modeste.

– Përshëndetje nga Shqipëria e Tirana, kolegu e miku i mirë, i sa e sa lexuesve tanë, Hys Xhemali Hasa! Urojmë, që të keni shëndet të plotë, ta vazhdoni pandërprerje krijimtarinë tuaj dhe të jeni sa më të gëzuar e të lumtur, bashkë me familjen!

Tiranë, 29 tetor 2019

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.