Do mbetet Kosova ashtu si e përshkruajti Fan Noli, apo do të europianizohet?

0
305

Shkruar nga Pirro PRIFTI, 15 Shkurt 2020

Albin Kurti, kryeministri i ri i Kosovës bisedoi më në fund kryeministrin Rama të Shqipërisë në një takim zyrtar më 11 shkurt në Tiranë. Problemet e politikës kosovare janë sa të mprehta aq edhe të zgjidhshme, nëse politikanët kosovarë do të kishin durimin të zbatonin rekomandimet e BE, Merkelit dhe Makronit për taksën 100% ndaj Serbisë, problemin e mos njohjes nga Kosova nga ana e Serbisë, problemin e njohjes së gjenocidit të bërë nga Serbia, problemet e shqiptarëve në Republikën e Serbisë, problemin e kufijve etj. etj. Të gjitha këto probleme midis Kosovës dhe Serbisë pavarësisht se Serbia qëndron e pakthyeshme në idenë e mosnjohjes së Kosovës, egziston mundësia e zbutjes dhe e zgjidhjes graduale të këtyre problemeve midis dy palëve me ndihmën e BE dhe SHBA.

Kokëfortësia e politikanëve kosovarë për të mos arritur Kompromise të domosdoshme me Serbinë në praninë e BE dhe SHBA, acarimi i marrëdhënieve me Shqipërinë kryesisht me politikën shqiptare dhe Edi Ramën, duke i atribuuar kryeministrit shqiptar sikur ai na qenka tradhtari i çështjes kosovare, akuza të pabaza dhe të pamerituara për një kryeministër, i cili ishte i pari që në Beograd i tha Vuçiçit se “Kosova është tashmë e Pavarur”, të shoqëruara me opinionistë injorantë dhe psikopatë, që përpiqen të mbulojnë budallallëqet e drejtuesve politikanë kosovarë me një pseudo-nacionalizëm të shtirur, – na kujton gjithsesi vargjet e të madhit Noli për kosovarët e viteve nën sundimin e Serbisë, me titull “Përkufizime të Fan S.Nolit për krahinat shqiptare”:

“A të duhen luftëtarë,
A do botës t’i vësh zjarrë
Do arratinë armiku të marrë
Merr nja dhjetë kosovarë”

Një mentalitet i shqiptarëve të Kosovës shumë patriotik për atë kohë, kërkon në ditët e sotme të paktën për politikanët kosovarë një ndryshim rrënjësor të sjelljes së etikës dhe të largpamësisë së çështjeve politike, me qëllim të arritjes së objektivave që ka Kosova në rrafshin nacional ashtu dhe në atë ndërkombëtar. Këmbëngulja e ish-kryeministrit Haradinaj për taksën 100% u përkthye nga opozita shqiptare si një patriotizëm i flaktë dhe si një goditje politike kundër Ramës, pra u shfrytëzua politikisht një problem, i cili shqetësoi ndërkombëtarët, por për opozitën shqiptare të rrugës, së cilës i intereson nxirja e realitetit shqiptar, madje e ka vërtetuar, që për pushtet ajo i ka vënë flakën dhe Shqipërisë në 1997-1998; sidoqoftë, kjo u ka ardhur për shtat drejtuesve kosovarë, fatkeqësisht miopë politikë, të cilët nuk po e kuptojnë se rekomandimet e BE dhe SHBA janë rekomandime me “qitje të largët” për të arritur objektivat e njohjes së Kosovës nga sa më shumë shtete dhe më në fund njohjen e Kosovës edhe nga Serbia në një të ardhme jo edhe aq të largët.

Mos kuptimi i politikanëve se çfarë rëndësia ka pezullimi i taksës 100% ndaj produkteve serbe, mos kuptimi nga ana e politikës kosovare i sinjaleve sinkrone të Shqipërisë për Kosovën, dëshira për të justifikuar gabimet e politikës kosovare me kritikat dhe armiqësinë artificiale ndaj qeverisë shqiptare dhe Edi Ramës (sigurisht të zmadhuara dhe të ashpërsuara nga kori i analistëve mediatikë shqiptarë dhe i ndonjë psikopati kosovar), ka shkaktuar që vitet e fundit Kosova të ketë rezultate negative si në planin brenda vendit ashtu dhe në planin ndërkombëtar: – Brenda vendit, krahas rritjes së pagave në arsim + shëndetësi, përqindja e rinisë së larguar nga Kosova është shumë e lartë (ndoshta përkohësisht e justifikuar), korrupsioni qeveritar ka rrezikuar shtetin, kriminaliteti dhe radikalizmi është i lartë; – Ndërsa në arenën ndërkombëtare, Kosova vitin 2019 e mbylli me humbje: izolacioni ndërkombëtar është shtuar, numri i shteteve që kanë tërhequr njohjen ndaj Kosovës ka arritur në 15 shtete, taksa 100% që nuk hiqet nuk ka shkaktuar rritje të të ardhurave në Kosovë, përkundrazi.

Atëherë çfarë duhet bërë? Zgjedhjet e lira në Kosovë mendohet të ndryshojnë gjendjen. Kryeministri i ri i Kosovës z. Albin Kurti me energji të reja, duhet të bëjë edhe një ndryshim në mentalitetin e tij personal dhe atë kosovar, përsa i përket objektivave të plotësojnë rekomandimet e BE dhe SHBA qoftë për heqjen apo pezullimin e taksës 100%, qoftë për rifillimin e bisedimeve me Kosovën, qoftë për të ashtuquajturin mini-Shengenin Ballkanik, qoftë për bashkëpunimin më të ngushtë me Shqipërinë. Dihet se Republika e sotme e Kosovës mbetet nje shtet i njohur në arenën ndërkombëtare nga shumë shtete. Sidoqoftë ashtu siç ka thënë Lenini në një debat me Klara Cetkin se: “Është më e lehtë të fitosh lirinë e pavarësinë se sa ta mbash atë”. Më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga 120 deputetë gjithsej, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, qytetarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtarë në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar. Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria. Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë (https://sq.wikipedia.org/wiki/iki/Shpallja_e_Pavar%C3%ABsis%C3%AB_s%C3%AB_Kosov%C3%ABs).

Në takimin zyrtar të parë të z. Albin Kurti me kryeministrin shqiptar, u pa qartë dëshira për bashkëpunim të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës bazuar në rekomandimet e BE për mini-Shengenin Ballkanik dhe forcimin e bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe zbutjen dhe çeljen e marrëdhënieve me Serbinë. Pyetur nga gazetarët lidhur me mini-Shengenin Ballkanik, zoti Kurti tha se takimi i sotëm kishte në fokus makro-shegenin shqiptar dhe jo për mini-Shengenin Ballkanik. Kësaj deklarate kryeministri Rama iu përgjigj duke thënë se makro shengeni shqiptar është i lidhur ngushtësisht me mini-Shengenin Ballkanik.

Kryeministri Rama tha dhe se së shpejti do të ketë një mbledhje të dy qeverive në Shkodër dhe se bashkëpunimi me Kosovën është prioriteti kryesor i Shqipërisë: “Bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve. Nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të njerëzve dhe më pas dhe të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë. Është themelore të heqim kufirin mes dy shteteve”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se Shqipëria dhe Kosova do të formojnë një komision ndërshtetëror për të vijuar zbatimin e 77 marrëveshjeve, nënshkrimin e marrëveshjeve të reja si dhe për t’i dhënë dy vendeve ato që qeveritë e mëparshme nuk ja kanë dhënë. Në këtë komision do të ketë deputetë dhe ministra të të dy vendeve (https://exit.al/2020/02/takimi-rama-kurti-perplasje-per-mini-shengen-ballkanik/).

Shpresojmë që politika miope e deritanishme e politikës kosovare t’i vërë veshin rekomandimeve të BE dhe të ndryshojë qëndrimin personal negativ ndaj qeverisë shqiptare dhe veçanërisht ndaj Edi Ramës, sepse në fund të fundit, kryeministri shqiptar po zbaton plotësisht rekomandimet e BE dhe SHBA, objektiva e të cilëve përputhen plotësisht me integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në BE.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.