Gomari me maskë ose guaca e artë

0
572
G - ilustrim nga Dea Halimi

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën G

Dea Halimi
Dea Halimi

Gresa është një përtace. Ngjet të vijë në mësim pa detyrat e shtëpisë. Nuk ushtron lexim e as në matematikë nuk qëndron mirë. Mësuesja i kishte shkruar në fletore se duhej të ushtronte shkronjën g të vogël të dorës.
Ndërkohë, mësuesja më luti, ta thërrisja Gresën të vinte tek unë dhe për disa orë të ushtronin shkronjën G.
– Po, – ia pëlqeva propozimin mësueses dhe bashkë me Gresën shkuam tek unë. Mamaja ime thirri në shtëpinë e Gresës dhe i lajmëroi se ajo gjendet tek ne, që të ushtrojë me Dean shkronjë g të vogël të dorës.
Hyjmë në dhomën time të punës. I hapëm trastat dhe i vumë librat e fletoret mbi tavolinë. Unë nxora nga vitrina me dritare të mëdha prej qelqi gomarin-lodër dhe guacën e artë t`i vendosja mbi tavolinë.
– Çfarë bën kështu, – tha Gresa.
– Këto janë lodrat e mia të reja. M`i ka blerë mami, në mënyrë që më lehtë ta mësoj e ta mbaj mend shkronjën G. Ajo për secilën shkronjë më blen nga një lodër që fillon me atë tingull. Shiko… G – gomari, – G – guaca.
Ajo më shikoi me habi.
– Kështu, me gomarin para nesh dhe Guacën e artë, do të jetë më lehtë të shkruajmë shkronjën g të vogël të dorës.
I dhashë zemër të mos nguronte aspak, të shkruante e shkruante derisa të lodhej… Më pastaj, unë iu ktheva punës. Pa ngritur kokën të shikoja më rreth vetes, shkrova tërë një faqe në fletoren time me shkronjën g të vogël të dorës.
– Unë përfundova, – thash , – e ti, Gresa?
– Unë… Ja, i bëra gomarit tënd një maskë, – ma tregoi maskën që e kishte punuar. – Le të duket dhe ky si gomari me maskë në abetare,- tha Gresa.
– E ushtrimin e shkronjës g ? – ia bëra.
– Po, po, – tha, – e shkrova dhe shkronjën g!
– Për kaq kohë, Gresa, ke bërë vetëm dy rreshta dhe atë me nga tri shkronja, – i fola me mllef. – Mendon se kjo që ke shkruar mjafton ta mësosh shkronjën g?!
– Po bëhet vonë, – e vërejti zemërimin tim e i mblodhi librat e fletoret dhe i futi në trastë. – Tash do të ik në shtëpi.
Të nesërmen, në orën e parë të mësimit, mësuesja Xake kërkoi të shihte se çka kishim ushtruar në shtëpi. Të gjithë i hapëm fletoret, e – Gresa më shikonte mua.
– Çfarë t’i them mësueses, – ia bëra. – Ajo më ka thënë të të ndihmojë rreth shkronjës g.
Gresa nuk foli gjë.
Mësuesja shikoi fletoren time, pastaj fletoren e Gresës.
– Gresa, ti ke shkruar shumë pak, vetëm gjashtë shkronja! A nuk ushtruat bashkë, Dea.
– Po, – thash unë.
– Ti ke shkruar një faqe e ajo, çfarë bëri ajo?
– Ajo i ka bërë gomarit tim-lodër një maskë, – thash unë.
E gjithë klasa qeshën.
– E dashura mësuese… Do të qe mirë që nga 36 shkronja t`i pakësonim në 26! Kjo do të ishte e dobishme, që ne kolopuçët të mësojmë më shpejt alfabetin, t`i shkruajmë e lexojmë më lehtë shkronjat, pastaj dhe mësueset do të kishin më pak punë me ne, – tha Gresa.
– Ti je pak përtace, Gresa. E përtacia nuk të çon gjëkundi! – tha mësuesja.
– Ti ma bëre këtë, – më shikoi vëngër Gresa. – I tregove për maskën e gomarit tënd-lodër. Do të hidhërohem me ty!
Nuk kisha çfarë të bëja, unë nuk mund të gënjej për askënd. Nuk gënjej as për vetën time.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.