Poezi nga Fatmire Duraku

0
850
Fatmire Duraku

Fatmire Duraku

Lahuta

Gojëhapur me sy në zbrazësi
E hutuar nga heshtja e pluhuri
Nën penjëza të merimangës

I kërkon në mua fjalët
Krismat i kërkon
Ëndrrat e trupit të humbur
T`i ngjallë nga hiri
Zjarret e gjakut

E varur në ballë oxhaku
Me të kuq e të zi në faqe

Nën hijet e kota të kohës tjetër
Zgjohet duke matur-çmatur vijat
Me gur në krah trupit të atdheut
Në kërkim të tërësisë së vet të ikur

Tashmë të vizatuar në harta
Të ngushtuar të prerë
Pa të kuqen e vet mitike

Çdo ditë vdes heshtjes sime

II

Nën hijet e kota të kohës tjetër
Tingëllima e ndjek në hirin e kohës
Gjithë gjak jashtë zemrës

E mbajnë gjallë vetëm krismat

Tash i kërkon kot në mua fjalët
Ta vras heshtjen tmerruese

Kotet nën penjëza të merimangës
E çdo ditë thahet brenda
Të kuqes dhe të zezës së vet

Gjethet e ullirit

Me gjakun tim të ndezur
Mbush mëngjes të lules
Dua t`i bashkoj cepat e hartës së kurmit

Të ndihem prapë një
Me yjtë e mi të humbur
Me guacat e mia të dala nga deti
Me ëndrrat
Në një ëndërr

E ta pi çajin shërues të vetmisë
Nga gjethet e ullirit të vjetër mbi det
Me copat e vizatimit të atdheut
Vetëm në kërkim të vetes
Në kërkim të udhës, të pragut
Vetëm në kërkim të së vërtetës,
Të zjarrit të ujit për njeriun e urtë
Të shoqërimit të tij me qenin,
Besnikun e vetëm të njeriut

T`i bashkoj gjithë cepat e kurmit tim
Vitet e ikura lidhur në zinxhirë të rëndë
Ëndrrat e mia të paepura
Për dashurinë e tokës

Kroi im kurrë të mos rrjedh
Ujë të turbullt

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.