Ylberi

0
880
Y - ilustrim nga Dea Halimi

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën Y

Dea Halimi
Dea Halimi

Unë shikoja nga dritarja e klasës.
– Çfarë shikon, – më pyeti Yllka, shoqja ime e bankës.
Unë nuk fola, ende me sy të harruar jashtë dritareve të klasës.
– Fol, Dea. Pse hesht? Çfarë shikon atje kaq e hutuar,
– Shikoj…Ylberin e shikoj, – ia ktheva unë.
– Ylberi del çdo herë pasi të ndalet shiu. E dua ylberin, – tha Yllka.
– Edhe unë e dua ylberin. Mami im ka një tregim për ylberin. Në tregim thuhet se dikur ishin shtatë princesha. Mbretëresha i vishte vajzat e saj me fustane me ngjyra të ylberit. Vajzën e madhe e vishte me fustan të kuq, të dytën me fustan ngjyrë portokalli, të tretën me fustan ngjyrë të verdhë, të katërtën me fustan të gjelbër, të pestën me fustan të kaltër, të gjashtën me fustan ngjyrë vjollce, dhe të shtatën, atë më të voglën, me fustan të bardhë. Kështu, sa herë që ndalej shiu shtatë princeshat kishin dëshirë të zjarrtë të zbrisnin me fustanet e tyre farfuritëse mbi sipërfaqen e lumit, që rridhte mes fushës deri te lumi. Secili fustan bashkë me buzëqeshjet e secilës princeshë, lëshonin rreze, të cilat të ndërlidhura me rrezet e diellit binin mbi ujin e lumit për të krijuar harkun magjik prej shtatë ngjyrash në hapësirën e qiellit. Pra, kështu krijohej ylberi, të zhdukte pikëllimin, zhgënjimin dhe t`i mbushte me dashuri të gjitha zemrat.
– Është një tregim i bukur ky, – tha Yllka.
– Po, është i bukur.
– E si krijohet ylberi?
– Ai është hark i ndritshëm në qiell, që ka shtatë ngjyrat e spektrit të dritës dhe që krijohet zakonisht pas shiut nga thyerja e rrezeve të diellit e nga pasqyrimi i tyre në pikat e ujit të reve… – ia bëra.
– E me princeshat çfarë ndodhi, nga u zhdukën, – më shikoi gojëhapur Yllka.
– Princeshat i rrëmbeu një div.
– Çfarë ndodhi me divin,- tha Yllka.
– U zhdukë së bashku me shtatë princeshat.
– Mund të jetë kjo e vërtetë, – tha Yllka dhe më shikonte e habitur.
– Kjo që thash është veç një pjesë nga tregimi në librin e mamasë sime, – thash unë.
– Mamaja jote shkruan tregime të mira, Dea, – tha mësuesja Xake, e cila qe ndalur pranë meje e Yllkës dhe tërë kohën do ta ketë dëgjuar e heshtur bisedën mes nesh.
– Më fal, mësuese, – ia bëra, unë e Yllka qemë bërë një me ëndrrat dhe flasim tërë kohën.
– Ah, Dea, moj llafazania e klasës… Ti me Yllkën, kaq sa e prishnit qetësinë për shokët e shoqet po kaq e flisnit dhe zanoren Y, të tridhjetekatërtën shkronjë në kolonën e alfabetit të gjuhës shqipe .
– Y, është ylberi vetë, – tha një nxënës.
– Ylli farfuritës është, – shtoi një tjetër.
– A nuk e thua dhe një herë me zë tregimin që ia rrëfeje Yllkës, – tha mësuesja.
– Po ai është veç një tregim – përrallë, – ia ktheva unë dhe ika shikimin prapë nga dritarja t`i shikoja ende ngjyrat e spektrit të dritës…
Yllka më shikoi me habi, ndërsa mësuesja buzëqeshi.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.