DEXHALLI ME TRUMBETA NË SHKUP MERR NUSE

0
655
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ÇELIKU

(Valle me nalle)

Zonja Vdekje erdhi para dere
Dhe, i lakmoi çizmet e zeza:
Lëkurë krokodili. Shtrenjta!
Pyeti: Të kujt janë këto çizme?

Xhadia u përgjigjë: Një Poeti.
A, mund t’i veshi në dasëm?
Mundesh. Po, të duhen nalle
Rrëzë Çukës, mes varreve.

Bukur! Tha: Zonja Vdekje
Valle, Unë heq me nalle…

(Birrë të zezë pi te “Parku i Grave”)

Kohën e fundit u kam hipur këmbëve
Jo, biçikletës. Makinës. Autobusit.
Edhe, u grahi nëpër Çarshi. Nën Rrap
Qendrës Tregtare, hip-zbres shkallëvea:
Gati për çdo ditë nga Tre kate lartë.

Dikur, pi dy-tri birra të zeza. Akull
Te “Parku i Grave”. Pjetër Bogdani…

(Në Shkup Dita dhe Nata
i kanë ndërruar rolet
)

Në Shkup, Dita dhe Nata
Sot, i kanë ndërruar rolet:
Dita është Natë. Nata Ditë.
Teatër. Gjysma e popullit
Flen Ditën. Gjysma Natën.

Qentë andacak nëpër Qytet
Macet. Dhe, lypësit rrugëve:
E kanë Ditën. Edhe, Natën.

Mëkot, Hoxha i Allahut lutet
Thirrë: Pesë vakte në minare!
Nuk e di: Kur, është Ditë. Natë
As, pse: Ulet Mali. Delë Hëna…

(Poezitë e mia në Dimër
ndezin zjarrin
)

Klima në Shkup ka ndryshuar
Stinët i kanë ndërruar rolet:
Pranvera – Dimër. Drimri – Pranverë.
Bora bie në Pranverë. Shi, në Vjeshtë
Pemët, shpërthejnë në Dimër. Frute.

Vera – Vjeshtë. E, Vjeshta – Verë
Bryma i strehon lulet. Dhe, barin.

Poezitë, në Dimër ndezin zjarrin…

(Dexhalli me trumbeta
në Shkup merr Nuse
)

Shkupin e kanë pushtuar kryqet
Maleve. Këmbonat bien kishave.
Gjysëmhëna, minareve xhamive
Prifti e Hoxha, i luten Allahut:
Zot, na shpëto nga koronavirusi!

Dexhalli, rrugëve me trumbeta
Dasëm në Shkup. Merr Nuse:
Mëkatarve, u vë vulë në ballë.
Mëkot, Prifti. Hoxha i Allahut
Shejtanin e përzënë me lutje:
Dexhalli me trumbeta merr Nuse.

Koronavirusi dhëdërr. “Çlirimtar”…

(Mëkot u përpoqa – Lirinë
nuk e gjeta mes jush
)

Qeveria. Kryeministri më pagzuan
“Armik i padukshëm”. Shpallën:
Luftë! Vetë, u strehuan në bunkere
Popullin. Mjekët. Ushtrinë. Policinë
I nxorrën në vijën e zjarrit. Luftës.

Masa Qeveritare. Orë Policore:
Arrestime. Dënime. Karantinë.
Mëkot, Lirinë nuk e gjeta mes jush…

(Ujqërit uluronin pas Hënës
E Unë pas Xhadisë
)

Ujqërit, uluronin pas Hënës
Kodër më kodër. Maleve?!
Hëna, yjet ndriçonin dhiaret:
Qengji, nuk pi ujë te Lumi
Ujin, nuk ia turbullon Ujkut.

Ujqërit, ulurojnë pas Hënës
Qielli i mashtron me Pyje. Yje:
Pula me zogj, zbretë në Lëmë.

Arusha e Madhe: Valle, pas porte…

(Bora në Kopësht
bie deri në brez
)

Bora në Kopësht bie deri në brez
Qielli i kreh flokët. Mjegullat.
Drithin e bluajnë në mulli miell
Mullisi Plak e shtron vetë sofrën.

Udhëtari i Natës, troket te porta
Konak kërkon ta kalojë Natën.
Dimri zbretë nga malet Pemëve
Gunën e bardhë, hudhë krahëve…

(Lumi nuk i respekton
masat e Qeverisë
)

Lumi, nuk rri dot në karantinë. Shtëpi
Nuk i respekton as masat e Qeverisë.
Gur më gur, zbretë nga majëmali:
Pa maskë. Frikë, nga koronavirusi.
Nuk i lanë duart me sapun. Distancë:
Dy metra larg, nga liqeni. Dhe, Deti.

Lumi, nuk i respekton masat e Qeverisë
Nuk ua vë veshin porosive Kryeministrit.
Nuk ia ndi për Orën Policore. Arrestime:
Dënime. Dhunë. “Armiku i padukshëm”…

(Mikja Di delë nga shtrati
si një Qershikuqe
)

Mikja ime Di, delë nga shtrati
Si një Qershikuqe, plotë fruta:
Degët përtokë. E kokën në Qiell
Them, me vete: Si nuk jam rrëzuar
Gjithë Natën u kacavirra degëve?!

Mikja ime Di, delë nga shtrati
Si një Qershi e kuqe, plotë fruta:
Them, me vete: Imzot, Unë të gjitha
I hëngra! Nuk lash së paku dy kokërra:
Meze për raki rrushi nën Rrap. Nesër?!

Mikja, të më përcjellë te porta. Shtëpia…

(Vetminë time e zhvesha
si gjarpëri lëkurën
)

Vetminë time e zhvesha
Si gjarpëri lëkurën e vet:
Dhe, hyra te “Parku i Grave”
Sa shumë janë rritë dëllinjat!
Strehimoret pisha. Çati
Që, na strehuan Dimrit.
Kur, na zente. Shiu. Bora
Me një dorë bar nën kokë
Qafëpërqafe, na zgjonte Dielli.

Vetminë time e zhvesha Sonte
Si gjarpëri lëkurën. Helmin…

(Largpamësi)

Në Kopështin tim Dimrit Madh
Bie borë mbi strehet e çative.
Pemët veshin gunat. Stuhive
Bari fsheh kokën. Ftoni shokët.

Zjarri delë nga oxhaku. Tymi
Xixa – xixa me yjet Qiellit:
Dielli fsheh kokën pas malit
Hëna e plotë i ndriçon pyjet.

Pranvera zbretë në Kopësht
E zgjon barin. Lulet. Ftonin.
Vargun tim Plak. Largpamës…

Shkup, 21 maj 2020 (karantinë)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.