Fjalori Historik i Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët…

0
346
Shkupi, Mac

Col Mehmeti në FB:

Vitin e kaluem, Shtëpia botuese “Rowman & Littlefield” e paska ribotue “Fjalorin Historik të Maqedonisë së Veriut” me autor Dimitar Bechev. Për fat të keq, autori i ka përsëdytë të njejtat konstatime si “Enciklopedia” e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë me 2009. Bechev vetëm u përkujdes që hyrja me qenë gjuhësisht e balancueme por me nënkuptime lojcake. Zani për shqiptarët e Maqedonisë nis kështu:

“Shqiptarët… e nxjerrin prejardhjen e vet tek fiset ilire që banonin pjesën më të madhe të shtetit të sotëm në kohën e pushtimit romak. Studiuesit shqiptarë kanë theksuar praninë e pakëputur të shqiptarëve në rajon, derisa kolegët e tyre bullgarë e maqedonë kanë dokumentuar shkulme migrimesh masive nga mesi i shekullit të 18-të e tutje. Këto lëvizje popullsish shpesh drejtoheshin me sulme të armatosura që kishin cak fshatarësinë sllave në krahina si Pollogu e Kërçova” (fq.7)

Edhe enciklopeditë që botoheshin në ish-Jugosllavi ftilloheshin me formulime në dukje paqësore ku mëtimeve rivale iu jepej nji përqindje fifty-fifty e vërtetësisë. Diskursi i tyne fillonte me formulime të tilla si: shqiptarët janë vijuesit e popullatave të hershme iliro-thrake, por në hapësinat e sotme janë rezultat i ekspansioneve të vonshme migrative (sic!).

Edhe autori i kësaj enciklopedie manipulon njisoj me fjalë por origjinën ilire e trivializon si pretendim të vetë shqiptarëve dhe jo si diçka të përftuem nga studimet historike e indoevropianistike.

Në anën tjetër, Bechev e favorizon mëtimin e studiuesve bullgarë e maqedonë për mbivendosjen relativisht të vonë të shqiptarëve në kurriz të popullatës sllavofone në viset e Pollogut, Treskës e Vardarit.

Prej viteve ’90, shqiptarëve iu kërkohet me ba nji lloj ekzorcizmi mbi narrativat historike. Në emën të shembjes së idhujve, panteonit të ri i trupëzohen narrativa që legjitimojnë interesime e rivendikime politike (nja prej tyne edhe krijimi i nji imazhi opulent për periudhën e pushtimit osman me nxitjen e Turkisë që ka kontroll masiv mbi Tiranën e Prishtinën).

E padurueshme për botime të tilla prestigjioze, si kjo Enciklopedia e Bechevit, âsht akomodimi aq i lehtë i mëtimeve të vjetra politike që iu jepet padrejtësisht statusi i të vërtetave të mirëqena.

Prania e shqiptarëve në rajonin përskaj Vardarit, fushën e Pollogut e atë të Pellagonisë deri në masivin e Jakupicës – e që mas 1945-ës u quejt Maqedoni – nuk shpjegohet me shprëngulje migrative.

Le të përqëndrohemi vetëm te shekujt ma kritikë ku bahen pretendimet kryesore:
i) Shek.14-të: prania sedentare e shqiptarëve provohet nga aktdhurimet e manastireve ortodokse. Dyer fisnike arbërore si Gropajt, Muzakajt fituan pushtet mbi qytete si Ohri e Kosturi
ii) Shek.15-të: Derisa në burime italiane Vardari konsiderohet si lum n’Shqipni (“fiume in Albania”), defterë osmanë si ata të viteve 1467-68 evidentojnë nji antroponimi solide arbërore në rajone si Reka, Demir Hisari, Manastiri, etj
iii) Shek. 16-të: Në vitin 1595, nji kryengritje antiosmane plas në Shkup e merr zjerm deri në Tetovë. Kryengritësit cilësohen shqiptarë!
iv) Shek. 17-të: Evlija Çelebiu në udhëpërshkrimet e tij ban shpesh paranteza të tilla si ajo kur mbërrin në Shtip “Gjuha e rajasë është serbe dhe bullgare. Shqipja nuk flitet këtu”. Pse e ban këtë vërejtje për shqipen? Sepse për dallim prej Shkupit e qyteteve të tjera në perëndim, në viset lindore nisej të zbehej elementi shqiptar…

Natyrisht nji shekull âsht teper i gjatë për me u kornizue kaq shkurt e me spikat veç përkatësi etnike. Historia âsht nji univers me aq shumë zhvillime sa nonsensi ma kolosal âsht kur iu jepet pasaporta e qytetarisë në komunitetin akademik mëtimeve për “kolonizim shqiptar”.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.