GURI YNË I DASHUR, NË KËTË KOHËZEZË NA E MORE ME VETE EDHE NJË PJESË TË SHPIRTIT TONË

0
1833
Guri Gani Hoxha

ARIF EJUPI

Të njoha si 6 vjeçar kur viti i pamëshirshëm 1999. Ty dhe motrën Tuaj Flakën, u ndau nga nëna e Juaj, Milihatja, e cila vdiq shumë e re, pa e kryer pranverën e 27 të jetës së vet.

Ganiu, që ushqehej me dashurinë për Ju, edhe pse i lënduar nga vdekja e bashkëshortes, gjegjësisht nënës Suaj, kur u shihte si dy yje që shëndërisinë në qiell motivohej për vazhdimin e jetës.

Disa, baballarë kur rimartohen të shumtën e rasteve tregohen egoist dhe pak të përzemërt me fëmijët e tyre nga martesa e parë. Pa dhembje ata ua lënë në barrë gjyshërve, apo edhe i bëjnë pjesë të strehimoreve në vendet ku jetojnë.

Ganiu, u ndjeu si gjymtyrë të trupit të tij. Çdoherë ishte me Ju. As edhe deri në dyqan nuk dilte pa Ju. E kishte mundësinë t’u merrte kujdestare, por kishte vendos që deri ta mbërrini zotësinë e plotë të veprimit të jetë me shpirt e zemër pranë Jush.

Gjatë vikendeve nga Ditari i tij personal u rrëfente deri në detaje përkushtimin dhe dashurinë që kishte treguar ndaj Jush, nëna Juaj.
Në ballë të dhomës Guri ynë i dashur, që lajmi mbi vdekjen tënde të papritur na erdhi shigjet helmuese në zemër e mbaje fotografinë e nënës Milihate.

Deri në takim me Ty, më përcjell zëri Yt i butë dhe i këndshëm “axhi Arif, kjo është nëna ime”.

Pastaj, sikur të ishim në një muze suveniresh një nga një i shpalose rrobat e nënës, deri kapelen e punuar nga duart e saj të arta para se të lindje Ti.

Guri, ishe fëmijë me inteligjencë të paparë nga grumbulli i rrobave shkëpute trajsën me shqiponjën dykrenore, punë dore e nënës për Flakën.

Si të mos qajmë e si mos të bëjmë gjëmë për Ty, kur në vizitat e radhës të gjetëm me shtat basketbollisti gati dy metra. Si përherë i buzëqeshur nxorre nga raftet e bilbiotekës të gjithë klasorët, ku i kishe renditur me aq pedantëri materialet, dhe në shtojcë të tyre notat e shkëlqyera në Gjuhën italiane, gjermane, frënge, angleze, matematikë, fizikë, biologji, gjeografi, histori dhe Punë artizanale.

Suksesi yt dhe i motrës i jepte forcë Ganiut, si për jetë ashtu edhe për aktivitet kombëtar. Ai me shumë obligime në punë e aktivitet nuk ndjente lodhje, kur shihte se TI, dhe Flaka ishit në rrugën e dëshiruar.

Gjithashtu ishit me fat që babai u rimartua me një grua fisnike e cila u trajtojë tamam si një nënë e vërtetë. Secili që të njohu nga afër derdhi lotë për Ty, sepse ishe djalë i dashur dhe shok i mrekullueshëm. Me kohë e kuptove që mami Yt, kishte vdekur nga një sëmundjeje e rëndë dhe e shpejtë.

Me shpirtin tënd të çiltër mungesën e nënës e ktheve në raporte të shkëlqyera me Vjollcën, të cilën e doje dhe të donte pa hile. Të pati gëzuar tepër edhe lindja e vëllait Donatit, të cilit shpejt ia pate mësuar shijen e lojërave, përzgjedhja e të cilave të besohej vetëm Ty.

Kjo ngrohtësi e treguar ndaj Donatit shpejt u kthye në dashuri të ndërsjellë. Ai vitin e kaluar kastile për Ty në Kosovë, pati blerë portretin e Skënderbeut, të derdhur në bronz për cilin shumëherë na flisje, nga ajo që kishe hulumtuar në literaturën italiane.

Donati, të donte dhe të ndjente në çdo hap. Guri i dashur, me të rrahura të çakordura zemre e shpirt të lënduar, nuk mund të thuhet as çereku i asaj që Ti e meriton.

Vdekja jote tepër e hershme u prit me dhembje e lot në të katëranët e Zvicrës. U prehësh në paqe të përhershme! Dhembja për Ty, vazhdon në Llap, Gjakovë, Burim, Tetovë, Pejë, Durrës, Preshevë e gjithandej ku ka shqiptarë.

Ata që ta errësuan dhe ta prenë rrugën e jetës kurrë mos pafshin dritë !…

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.