DINJITETI I KRITIKËS SONË

0
221
Ramadan Musliu

Mehmetali Rexhepi

Iku edhe Dani… Ramadan Musliu (1954-2020). Poeti i poezisë së kulluar dhe kritiku i hollë i letrave shqipe; miku i mirë kush e ka njohur nga afër. Gjithsesi paraqitjet e tij kritike paralajmëronin një optikë krejtësisht tjetër nga ajo tradicionalja, ndesh asaj soc-realiste për letrat shqipe. Fillimin e kapjeve kritike të Ramadan Musliut e kishte vërshuar terminologjia e huaj, por gjithnjë gjatë depërtimeve të mëpastajme në aspekte e dukuri të qëmtimit të veçantive dhe përgjithësimeve teorike, tek autorë dhe rrjedha të shkrimeve letrare- poetike, Dan Musliu i përzgjodhi mjetet shprehëse, duke i qëruar për ta gëlltitur më lehtë kumtin dhe kuptimin e thënies tij kritike. Vështrimet kritike dhe estetike të Ramadan Musliut kapërcejnë rutinën shoqërore, ose përshkrimin e veprës si shkallë e parë e njohjes në përshkallëzimin e konceptit të Blumit për njohjen.

Po të vështrohen me vëmendje, Ramadan Musliu vështrimet kritike për akëcilët autorë të letërsisë bashkëkohore shqipe, i vështroi, i analizoi, i sintetizoi me kriterin e konceptimit shkencor, jashtë klisheve jetëshkrimore të autorëve, jashtë paragjykimeve ideologjike e politike, prore brenda një diskursi vlerësues me një arsenal shkencor, pa mbufatje tiradash e animesh meskine, por me peshoren e një logjike analitike… Sipas metodologjisë së shkrimeve kritike të Ramadan Musliut, vepra artistike trajtohet si plotësi e pleksjeve të thënieve të ngjyrosura, pra, figurës dhe reflektimeve figurative brenda ngërthesash filozofike, estetike, kontekstesh ideore, estetike, etike dhe evoluimit të relievit njerëzor…

E pohuar në trajtën e përmbylljes së këtij diskursi përkujtimor për Ramadan Musliun në aktin e kalimit tij në botën e amshuar: shkrimet kritike-estetike dhe gama e tërësishme e krijimtarisë së diskurseve të këtij intelektuali, mendimit kritik i ktheu dinjitetin në kahen e duhur…

Përgjatë kësaj pandemie, që do të bëhet fatkobi i tij, pata fatin të shkëmbeja disa njoftime për mbylljen e detyrueshme të tij dhe, për qasjen intensive prirjes për përkthime poetësh, autorë botërorë dhe të rajonit të Ilirikumit të ballkanizuar… E përgëzoja pas çdo përkthimi nga frëngjishtja ose gjuhët e fqinjëve tanë… Ishte më e pakta që mund të bënim për njëri-tjetrin dhe kulturën tonë të komunikimit… Madje, nga Dan Musliu e mora edhe pëlqimin për emrin e tij redaktor, për dy vëllimet e mia të kahershme në prozë dhe kritikë e eseistikë letrare…

Ramadan Musliun që nga dita e sotme nuk do ta kemi në mesin tonë, por do t’i kemi veprat e tija të sferës së lartë artistike dhe intelektuale. Lamtumirë Dan!… Padyshim dinjiteti Yt është skalitur brenda veprave Tua!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.