SHTYPI SHQIPTAR PËR NGJARJET NË KOSOVË (1981-1990)

0
1461
Zymer Mehani - Fadil Curri me poete

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Ngjarjet që u zhvilluan në Kosovë prej vitit 1981 e tutje, ia tërhoqën vëmendjen opinionit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm në kuadër të ish-Jugosllavisë, i cili kërkonte rrugë dhe mundësi të reja për të kuptuar formën, përmbajtjen dhe shkakun e zhvillimeve që ndodhën në Kosovë, gjatë vitit 1981.

Ngjarjet e vitit 1981 sollën një frymë e re politike e cila ngriti nevojën e bashkimit të organizuar politik të ilegales për çlirim e bashkim kombëtar, që u ndie menjëherë pas demonstratave. Për të zgjeruar ndikimin atdhetar e luftarak te shtresat e gjera të popullit e për të mos lejuar shuarjen e zjarrit luftarak të tyre, ishte e nevojshme thellimi dhe zgjerimi i propagandës së organizuar të shtypit ilegal atdhetar, që në Kosovë vinte kryesisht nga Shqipëria.

Në fillim të viteve 80-të të shekullit të kaluar në Kosovë dhe diasporë do të kenë luajtur rol të rëndësishëm revistat ilegale që botoheshin në diasporë. Revistat më të njohura që u botuan në ato vite kanë qenë: ‘Liria’, ‘Bashkimi’, ‘Lajmëtari i Lirisë’ etj. Rol të rëndësishëm, do të thoshnim edhe historik, për shqiptarët e Kosovës, për të zgjeruar frymën dhe politikën kombëtare e luajtën Radio Tirana, Radio Prishtina, si dhe Televizioni Shqiptar e Televizioni i Prishtinës, gjatë viteve 70- 80, që ishin vite të Rilindjes Kombëtare. Ndikimi i shtypit të shkruar nga Shqipëria ishte më i kufizuar, megjithatë edhe një numër bukur i mirë i shqiptarëve gjatë viteve 1970 – 80, kishin mundësinë e parapagimit të gazetave nga Shqipëria, të cilat vinin në Kosovë me rrugë legale, siç ishte “Zëri i Popullit”, “Punëtori”, “Shqipëria e Re”, “Bashkimi” etj, të cilat i shpërndanin nga njeri tek tjetri, që ndikuan shumë në krijimin e idesë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet.

Ngritja intelektuale gjatë këtyre viteve në Kosovë e në diasporë, krijoi mundësinë e nxjerrjes dhe të botimit të revistave ilegale që botoheshin kryesisht jashtë vendit, por që arrinin të shpërndaheshin edhe në Kosovë, ndonëse në një numër më të kufizuar.

Përveç gazetave, edhe traktet ishin formë e komunikimit me qytetarët dhe krijimin e ndjenjës kombëtare. Këto gazeta i kishin dhënë vetes detyrë që të bëheshin armë e fuqishme e të drejtave të shqiptarëve për liri, për çlirim e bashkim kombëtar.
Revistën ilegale, armiqësore anti-jugosllave ‘Lajmëtari i lirisë’ e udhëhiqte atdhetari Jusuf Gërvalla që ishte organ i (LNÇK) ndërsa Ibrahim Kelmendi revistën ‘Bashkimi’ që ishte organ i ‘Frontit të Kuq Popullor.’ Gazeta ‘Liria’ shkruante: ‘Liri thërret sot Kosova e robëruar, Kosova e shumëvuajtur e martire, Kosova trime. Bijtë e Kosovës, luftuan në shekuj për liri, kundër armiqve të shumtë e të egër që lakmonin fushat tona të gjëra, malet tona të bukura, e pasuritë e shumta që ka toka jonë… Ndërsa ‘Lajmëtari i lirisë’ do të shkruajë:

’Përzënia e shqiptarëve nga trojet e veta, zhdukja e tyre fizike, kolonizimi i trojeve shqiptare me elementë sllavë nuk ndihmuan në realizimin e qëllimeve të ulëta, të shovinistëve në zhdukjen e popullit shqiptar, sepse populli ynë është i mishëruar me vendin e vet. Gazeta ilegale ‘Liria’ organ informativ i organizatës ilegale ‘OMLK’-së edhe pas demonstratave studentore të vitit 1981 vazhdonte rrugëtimin e saj me plot sfida e suksese edhe pas demonstratave të vitit 1981.

Të gjitha gazetave e revistave ilegale që botoheshin në këtë kohë, demonstratat ia rritën besueshmërinë përpara opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, pasi ato kishin mbështetje reale për tematikën, me të cilën merreshin. Dhe kryesisht ato rëndësi parësore u kushtonin ngjarjeve që tronditën jo vetëm ish-Jugosllavinë, por edhe tërë rajonin. Në temën ‘Përpara drejt fitores’ atdhetari Jusuf Gërvalla shkruante se: Forcat ushtarake policore fashiste të borgjezisë serbe mbuluan sërish me zjarr e hekur Kosovën tonë të shtrenjtë…

Ata nuk u mjaftuan me gjakun e bijve dhe bijave tona më të mirë që lau rrugët e Kosovës në masakrën e përgjakshme të marsit dhe prillit, por mbushën edhe burgjet e tyre famëkeqe me mijëra petrita e sokolesha shqiptare në Kosovë dhe Jugosllavi, pastaj autori vazhdon: ‘Popull shqiptar, ne bijtë e tu besnik deri në vdekje bëjmë thirrje që për të drejtat tona të ligjshme, lufta kundër masave të egra shoviniste antishqiptare të organizohet me guxim e heroizëm… Rruga e rezistencës e luftës së vendosur, është rrugë e vetme e fitores, rrugë e vetme e realizimit të drejtave tona… Dëshmorët tanë të lavdishëm, dhanë jetën në demonstrata duke thirrur:

‘Rroftë populli shqiptar,’ ‘Rroftë Republika,’ ‘Rroftë liria,’ ‘Përpara drejtë fitores’ etj. Ndërsa, nëpër traktet të cilat ishin një formë tjetër e shtypit ilegal gjatë viteve 1970- 80, shkruhej: ‘është detyrë e çdo shqiptari të ndershëm që të luftojë me guxim kundër sunduesve revizionist. Punëtorë, fshatarë, rini revolucionare e Kosovës, popull punonjës mos duro shtypjen e egër revizioniste, organizohu, në greva, ashtu si punëtorët trima të ‘Ramiz Sadikut’ në prag të Majit, organizohuni, në bojkotime në demonstrata: në luftë e çdo ditë atje ku ndodheni etj”.

Në shkrimin me titull me 1 maj 1993 “Zëri i Kosovës” shkruante se, kombi shqiptar aktualisht gjendet në fazën më të rëndë të kohës së tij, përveç që ra nën okupimin më të rëndë ai sërish u rinda midis shteteve të Ballkanit të dala nga ish-Jugosllavia.
Partitë politike shqiptare në vend marrin qëndrim të drejtë lidhur me UÇK-në dhe të ndryshojnë mënyrën e veprimit të tyre me format pacifiste, ato ende po vazhdojnë me fjalor të njëjtë si me të pushtuesit. Ndërsa në shkrimin tjetër: ‘Mbrojtja e Kosovës është e drejtë e pacenueshme e patjetërsueshme dhe obligim e nder i madh i çdo qytetari’, publikohet deklarata e LPK-së, që i jepte përkrahje UÇK-së. ‘Zëri i Kosovës’, ishte gazeta e LPK-së që me shkrimet e veta të ndryshme argumentonte se rezistenca dhe lufta e popullit shqiptar në Kosovë është e drejtë ngado që të shikohet, si nga e drejta natyrore për të jetuar i lirë çdo qytetar, si nga pikëpamja e të drejtave të njeriut, po edhe nga pikëpamja kushtetuese e Kushtetutës së Republikës së Kosovës si edhe nga Konventa Ndërkombëtare.

Të gjitha veprimet konkrete që i merrte Lëvizja Ilegale Kombëtare dhe më vonë UÇK-ja, kundër pushtetit serb në Kosovë dhe të gjitha komunikatat për shtyp që i lëshonte ajo e që nuk i botonte shtypi shqiptar në Kosovë, ose i shtrembëronte, ‘Zëri i Kosovës’ i botonte me qëllim të njoftimit të opinionit me luftën e drejtë të popullit tonë. ‘Zëri i Kosovës’ arriti të bëhet zëri i shqiptarëve në mbarë viset shqiptare të sunduara nga pushtuesit sllavë, zëri i studentëve, i shqiptarëve jashtë atdheut, por edhe zëri i luftëtarëve të UÇK-së dhe i aksioneve të tyre ushtarake.

’Zëri i Kosovës’ mbrojti drejtësinë, realitetin, të burgosurit, patriotët, ata që për atdheun, rrezikuan jetën e tyre duke e internacionalizuar kërkesën e drejtë të shqiptarëve. Në këtë drejtim vend të rëndësishëm luante gazeta ‘Zëri i Popullit’ organ i Partisë së Punës së Shqipërisë. Kjo gazetë me të drejtë thoshte ’Lufta e popullit të Kosovës për të drejtat e tyre kundër atyre që e shfrytëzojnë dhe e shtypin është e drejtë, që meriton përkrahjen e popujve të Evropës dhe të mbarë botës…’.

Në faqet e ‘Zërit të Popullit‘ mbështeteshin kërkesat e Kosovës si më të domosdoshme të kohës. Me titull ‘Kosovës po i vriten djemtë nga serbomëdhenjtë ‘lajmëronte ‘Zëri i popullit’.
Sipas agjencisë së lajmeve gjermano-perëndimore në afërsi të qytetit Shtututgard në Gjermaninë perëndimore ‘të dielën më 17 janar 1982 natën vonë u vranë kosovarët Bardhosh Gërvalla, Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka. Në artikullin e 16 shtatorit 1990, ‘Zëri i popullit’ shkruan: Terrorizimi serb pasohet me akte vrasëse, arrestime e tortura, njoftohet nga Prishtina më 13 shtator 1990 se ‘njësi të policisë serbe rrethuan fshatrat Pollatë, Repë dhe Metohia nën pretekstin e kërkimit të armëve dhe hapën zjarr kundër banorëve të tyre. Dy të rinj shqiptarë, bën të ditur agjencia Rojter u vranë nga armët e policisë, Skender Hamit Monolli dhe Besim Hashim Latifi, ndërsa 30 veta u arrestuan…

Komiteti i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut në Kosovë publikoi listat e të vrarëve dhe të plagosurve, sipas të cilit janë 34 të vrarë dhe 204 të plagosur. Se në Kosovë e në Serbi, kur është fjala për shqiptarët, që moti funksionon shteti policor, për këtë kanë pasur rastin të binden më shumë se 600.000 shqiptarë, të cilët duke filluar nga viti 1981 e deri më sot u përpunuan në mënyra të ndryshme policore. Mirëpo, shteti policor, kur është fjala për shqiptarët funksionon për mrekulli edhe në nivel të federatës jugosllave, për këtë shqiptarët e Kosovës u bindën e po binden për çdo ditë. Dhe me shumë të drejtë ngrihet zëri:

‘Turpërohu Jugosllavi’, Por, s’ka turp atje kur turpi është pjesë e vetë sistemit të qeverisjes serbe dhe jugosllave, apo të qeverisjes jugosllave nën qeverisjen serbe. Në ‘Rilindjen’ e 3 prillit 1981 është botuar deklarata e Xhavit Nimanit, kryetar i KSA të Kosovës, për ngjarjet e Marsit e të 1 e 2 prillit 1981, ku thuhet: ‘Në krahinën tonë këto ditë jemi ballafaquar me vështirësi të mëdha të cilat janë pasojë e sulmeve të forcave të brendshme dhe e veprimtarisë së forcave të jashtme armiqësore që janë të organizuara të veprojnë ndaj Kosovës dhe në Kosovë.

Në demonstratat me karakter armiqësor nga pozita nacionaliste shqiptare, me 11 e 26 mars si edhe me 1 e 2 prill të vitit 1981 sot këto forca janë të përqendruara për aktivitet e veprimtari armiqësore kryesisht në Prishtinë e qytete të tjera’. Ky udhëheqës i lartë jugosllav i shqiptarëve të Kosovës e pranonte se demonstratat ishin të organizuara nga armiku i brendshëm dhe i jashtëm kundër vetëqeverisjes jugosllave. Jo pse ndoshta ai kishte dëshirë, po kështu i kishte thënë nëna parti.

Në të njëjtën ditë në ‘Rilindje ‘ishte botuar Komunikata për media e dalë nga mbledhja e përbashkët e Kryesisë së KQ të LK të Serbisë ku thuhej: ’Dy kryesitë konstatuan se fjala është për aktivitet të organizuar armiqësor të drejtuar kundër sistemit kushtetues të bashkësisë sonë socialiste vetëqeverisëse . Qëllimi i këtij aktiviteti është destabilizimi i KSA të Kosovës, i RS të Serbisë dhe i RSFJ-së. Aksionet e këtyre grupeve kishin për qëllim minimin e vëllazërim-bashkimit të kombësive në Kosovë dhe përmbysjen e sistemit politik të vetëqeverisjes socialiste’.

Me përvetësimin e tezës së ‘kundërrevolucionit’ nga Azem Vllasi në vitin 1981 me të drejtë thotë Viktor Meieri, serbët kishin fituar kartën e fuqishme që nuk ngurronin ta hidhnin në lojë me t’u dhënë rasti, që pushteti serb rrallëherë e lejonte rastin t’i dilte nga dora. Pas 36 viteve të Jugosllavisë socialiste në vendin e ‘popujve të barabartë,’ po vendosej për herë të dytë të shpallej gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë, thuhej në gazetën ‘Rilindja’ të 3 prillit 1981, me vendimin e Sekretarit Krahinor të Punëve të Brendshme të Kosovës.

Në fjalën e tij Mahmut Bakalli luftën e popullit e të rinisë shqiptare e vlerëson si luftë të klasave dhe bën thirrje për diferencim në Lidhjen e Komunistëve, diferencim që u shtri në të gjitha nivelet dhe vazhdoi deri në shkatërrimin e LKJ-së. Nuk vonoi shumë kohë edhe ish-udhëheqësi komunist i Kosovës, Mahmut Bakalli u bë pjesë e diferencimit të mësimit të vet. Në vlerësimin e ngjarjeve edhe më larg shkoi Dushan Ristiqi, i cili në mbledhjen XVI të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës thotë: ‘Elementët kundërrevolucionarë, përpiqen t’i mashtrojnë masat me disa parulla politike, ekonomike e sociale, por secili sot e ka të qartë se qëllimi i tyre i vërtetë është separatist, pra ndryshimi i kufijve në këtë pjesë të Ballkanit, e kjo do të thotë konflikt i ri i kombeve e kombësive të kësaj pjese të Ballkanit dhe derdhje e gjakut, e që kjo do të thotë; humbje e lirisë dhe e pavarësisë’.

Në fjalën e tij, Fadil Hoxha para aktivit politik të Prishtinës më 4 prill tha: ‘Dëshiroj të them menjëherë se një varg ngjarjesh që ndodhën ditëve të fundit në Prishtinë dhe në disa vende të tjera të Kosovës, janë vepër e kurdisur mjeshtërisht me karakter armiqësor. Kjo është vepër e kontrarevolucionit. Demonstratat e studentëve dhe e disa ekseseve të tjera ishin vetëm pretekst për veprimin e organizuar të armiqve të hapët të Jugosllavisë vetëqeverisëse, socialiste e të painkuadruar’.

Frika dhe lakmia i kishte bërë ata, jo vetëm Fadil Hoxhën, por të gjithë udhëheqjen e Kosovës, të kishin e të mbanin qëndrim qyqar e kapitullues dhe antishqiptar, sepse e mbrojtën interesin e armikut shekullor të kombit, kurse të drejtat legjitime të popullit i vlerësuan ‘nacionaliste’, ‘irredentiste’, ‘armiqësore’, e ‘kundërrevolucionare’, ndërkaq rininë shqiptare e quajtën rini ‘rrugaçe’, ‘reaksionare’, e hiq më pak se edhe ‘plehu i Kosovës’, pasi që iu kishte hyrë frika në palcë të kurrizit.

Edhe pse politika në Kosovë mburrej me arsimin si proces, në raste të veçanta pranonin se ende kishin probleme me analfabetizmin. Në numrat vijues të ‘Zërit të rinisë’ që kishin datën e 7 e 14 marsit 1981, në përmbajtjen e tyre, kryesisht merreshin me problemet e Organizatës së Rinisë Socialiste, në krye me Isa Musafën, e nuk kishin asnjë fjalë për demonstratat e studentëve dhe rinisë së Kosovës, e cila për çdo ditë po burgosej, diferencohej, dënohej përjashtohej nga procesi mësimor.

Në Mbledhjen XX e KQ të LK të Jugosllavisë, Ali Shukriu deklaron se: ‘Ngjarjet në Kosovë treguan se sa i dëmshëm është oportunizmi ndaj nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Udhëheqja e Shqipërisë, nëpërmjet ‘Zërit të popullit’ është vu haptas në mbrojtjen e nxitjen e aksioneve ‘armiqësore’ të drejtuara në shkatërrimin e rendit kushtetues të RSFJ-së, nëpërmjet kultivimit të urrejtjes shoviniste ndaj popullit serb por edhe ndaj kombësive të tjera në Kosovë, në Serbi e Jugosllavi’.

Gazetat e revistat e Kosovës do të jenë të mbushura me lajme e komente të nënshkruara në masë të madhe me firmën e agjencisë jugosllave – TANJUG. Ky është argumenti më real që vërteton se udhëheqësit e mediave ishin nënshtruar nga sistemi i regjimit jugosllav. Ky nënshtrim deri në poshtërim kombëtar nuk ishte vetëm ndaj mediave, por ai vlente edhe për politikën e dështuar të udhëheqësve të Kosovës, të cilët e kishin marrë vetëm rolin e përkthyesit nga gjuha serbe në gjuhën shqipe.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.