Rreziku nga hipnoza politike!

0
186
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Florim Zeqa

Hipnoza është krijimi i një gjendje ëndërrore tek njerëzit nëpërmjet përdorimit të sugjestionit gojor, respektivisht bartja e mendimit personal tek një grup më i madhë personash me intelekt të ulët apo të mesëm. Hipnoza e nënkupton gjendjen e tjetërsuar të ndërgjegjës njerëzore, për çka veprimet e personit të hipnotizuar hyjnë nën komandën e hipnotizuesit dhe mund të kryejnë veprime të pazakonta dhe jashtë vetëdijes së tyre normale. Pas daljes nga gjendja e hipnozës, shumë persona do të jenë të detyruar që të trajtohen për një kohë të gjatë me Hipnoterapi dhe Psikoterapi shëruese.

Si pasojë e hipnozës së liderëve partiakë, disa individ apo grupe të interesit, po mundohen që fatin e vendit ta ndërlidhin me personalitetin e 4-5 figurave politike, duke i trajtuar si të vetmit shpëtimtar për vendin!

Një çasje e tillë pashmangshëm i kontribuon krijimit të miteve të reja në fillimdekadën e tretë të shekullit 21, të shekullit të zhvillimit të hovshëm teknologjik i cili po e bën transparente çdo veprim në jetën e njerëzve dhe subjekteve në përgjithësi!

Nëse, ne si popullatë e Kosovës, nuk i kemi edhe nga 100 personalitete që mund t’i zavendësojmë secilin nga 4-5 figurat politike të kohës, atëherë pashmangshëm jemi duke shkuar drejt zhbërjes fizike si komb dhe fundosjes si shtet i pavarur.

Vendit tonë nuk i duhen politikanë aventurierë dhe karrierist, me të kaluar të dyshimtë dhe pa vizion të qartë për të ardhmen. Qytetarët e vendit duan ta kenë të qartë, nga duam të shkojmë si shtet, majtas apo djathtas, kah lindja apo perëndimi, kah forcimi i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës apo kah ideja e bashkmit kombëtar.

Janë këto pyetje, në të cilat qytetarët e Kosovës kërkojnë përgjigje nga liderët partiak dhe grupet tjera që pretendojnë marrjen e pushtetit në zgjedhjet e rregullta apo të jashtëzakonshme kurdo që të mbahen ato!

Pa përgjigje në këto pyetje, qytetarët e Kosovës, më mirë është të mos votojnë fare sesa ta hedhin votën e tyre “symbyllur”.

Qytetarët e vendit kërkojnë qartësi e transparencë në veprimet e politikanëve e jo fjalë megalomane dhe pa mbulesë.

Mbulesa e fjalëve të një politikani janë veprat e tij në shërbim të kombit dhe atdheut, duke e dëshmuar para qytetarëve të vendit, se çka ka dhënë ai apo ajo nga vetja e tij (saj) për lirinë e vendit qoftë në aspektin material apo fizik gjatë luftës për çlirim dhe shtetndërtim të Republikës së Kosovës!

Nuk ka çka i duhet popullit një politikan, i cili për 15, 20 apo 30 vjet ska dhënë gjë nga vetja për shtetin, por që ka marrë gjithçka që i është dhënë mundësia, filluar nga pagat e majme si deputet, ministër, kryeministër apo president e deri tek benificionet e tjera financiare nëpër komisione qeveritare dhe parlamentare, nga tenderomania, nga aferat korruptive dhe skandalet e pandërprera deri në ditët e sotme.

Në qeverisjen e ardhshme të vendit nuk na duhen politikan që nuk kanë mbulesë të veprimtarisë së tyre atdhetare, materiale apo financiare në shërbim të shtetit, për shkak se qytetarët e vendit nuk duan t’i humbin edhe 20 vjet të tjera nga pseudopatriot dhe matrapazët e të njëjtit brum politik.

Populli tashmë është vetëdijësuar, nuk i vlerëson politikanët sipas fjalëve, por sipas veprave. Ka kaluar koha e mashtrimeve dhe hipnotizimeve me ideologji boshe dhe megalomane.

Populli është në pritje të një alternative të re, me figura të reja politike që nuk kanë qenë pjesë e sistemit të inkrimunar politik pozitë-opozitë të këtyre njëzetë vjetëve të fundit.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.