POEZI E NDJESHMËRISË SË LARTË ARTISTIKE

0
367
Tonin Nikolli - Gjashtëdhjetë kambana të reja

ANTON NIKË BERISHA

Rreth librit “Gjashtëdhjetë kambana” të Tonin Nikollit

Në qoftë se nisem nga autori – si hartues i tekstit, siç ndodh zakonisht në punimet dhe vlerësimet e shumë kritikëve dhe studiuesve tanë të letërsisë – atëherë mund të them se vëllimi me poezi “Gjashtëdhjetë kambana” i Tonin Nikollit (që botohet me rastin e 60 – vjetorit të lindjes së tij) është i përvuajtur dhe pa ndonjë rëndësi të veçantë. Emri i tij është pak i njohur në botën tonë letrare dhe, sipas kësaj logjike, kjo mjafton që të përcaktohet dhe vlera e poezisë së tij!

Mirëpo, nëse nisem nga teksti i poezive të Toninit të përfshira në këtë vëllim (autori dhe teksti poetik janë dy gjëra të ndryshme, përkundër faktit se autori është hartues i tekstit), puna ndryshon rrënjësisht. Dhe nuk duhet të veprohet ndryshe: teksti është përbërësi kryesor që përcakton vlerën dhe qenësinë e secilës krijesë letrare poetike, pra dhe të poezisë së Tonin Nikollit, dhe të vënies së komunikimit me marrësin. Roland Barthes-i thoshte se teksti, në fund të fundit, është i vetmi rezultat i ‘vërtetë’ i çdo hulumtimi[1].

Kur e lexon me vëmendje dhe thellohesh në tekstet e poezive të këtij vëllimi, në mënyrën e shtjellimit dhe në shtresat shprehëse kuptimore të shumta, në ndjeshmërinë që i cilëson ato, atëherë jo vetëm mund të thuash se ajo është një poezi moderne në kuptimin e mirëfilltë të fjalës: Qielli me të shtëna t´shpeshta, / mbledh retë, grindet me to… (Vjeshtë e plotë), Më thonë, përtej oborrit, troket nata, / me gishta avujsh, përkthyer në gusht (Më thonë), po ngërthen dhe vlera të pamohueshme poetike, që e bëjnë të qenësishme për kohën tonë, po dhe për të nesërmen.

Tonin Nikolli e ndjen qenësinë e artit të fjalës, pra e ndjen poezinë, po ajo që është më e rëndësishmja, e shpreh bukur atë që e trajton në tekstin e tij; i kushton kujdes strukturës gjuhësore dhe mesazheve që dalin prej saj; e krijon natyrshëm vargun dhe poezinë si tërësi shprehëse kuptimore dhe si e tillë ndikon në marrësin. Këto veçanti të poezisë së tij dallohen, qoftë kur ai e përdor vargun metrik, kur u kushton kujdes të shtuar muzikalitetit dhe harmonisë së fjalëve, theksave ritmikë, rimës, qoftë kur harton poezi me vargun e lirë, ku gjithnjë përligjet ritmi përkatës dhe të shprehurit e menduar.

Tonini është kursyes i madh kur e përfton vargun si njësi e qenësishme e poezisë dhe kur i krijon pamjet poetike (njësi më të mëdha se vargu), kur e krijon tekstin si tërësi shtjelluese shprehëse. U kushton kujdes të barabartë sistemit të të shprehurit poetik dhe rëndësisë dhe shumësisë së kuptimeve që ai tekst duhet të përmbajë.

Pra, ai nuk e përfton tekstin që si shenjë dhe si shtjellim gjuhësor t’i shërbente vetvetes (siç thuhet rëndom: art për art), po për mendimet që shpreh në të. Me fjalë të tjera: shprehjes së lartësuar poetike, duhet t’i përgjigjet edhe mendimi i rëndësishëm. Poeti e di se lexuesi është i qenësishëm për ekzistimin dhe komunikimin e secilës veprës letrare poetike, prandaj përmes tekstit të tij shpreh mendime që heqin peshë për jetën e njeriut, të njohjes si dhe të pasurimit shpirtëror.

Teksti i poezive të Nikollit nuk është pohues, as përshkrues, po shqiptues dhe figurativ. Autori asnjëherë nuk synon ta ngushtojë kuptimësinë e tekstit të vet, nuk gjakon thjeshtësinë e të shprehurit, po edhe nuk krijon tekste me strukturim të ndërlikuar dhe të errët që kërkojnë mund për të vënë komunikim e për të pësuar ndikim prej tyre.

Poeti ynë nuk u përmbahet rregullave të sakta të përftimit të vargut, të pamjeve poetike dhe të poezive si tërësi, po u lë hapësirë dhe frymëmarrje të madhe. I vetmi rregull që është i pranishëm në tekstet e poezive të këtij vëllimi është përmasa artistike, vlerat poetike të tekstit, që jetësohen në aktin e leximit, kur çdo tekst letrar poetik e dëshmon mirëfilli veten.

Përmes tekstit poetik Tonini shpreh para së gjithash botën e vet shpirtërore, ku gjallojnë fshehtësitë; ku e ndjen atë që e bën objekt vështrimi poetik; shpreh trazimet e shpirtit, pakënaqësitë dhe brengat e tij, po dhe ka guximin t’i thotë.

Nuk e di, prizmi i gëzimit,
n’sa reflekse t’u përthye…
Ndërsa terri i dëshp’rimit,
litar n’qafë m’u mbërthye…

(Oazë)

* * *

Rrëfimin në kishë nuk ma pranojnë.
Zgjodha një gur të bardhë në mal të lindjes,
ta gërryej me fajet e mia…

(Rrëfimi)

* * *

Kemi sharë, injoruar,
shokun, mikun edhe Zotin…
N´gjurmët tona kemi pshurrur,
gjer në qiell ngritëm KOTIN…

(Kohë e rrëfimit)

Në kohën që jeton dhe vepron poeti tundimet shprishja shpirtërore e njeriut ka marrë përmasa të mëdha; ai (njeriu) kryqëzohet nga tjetri, po dhe vetëkryqzohet; e keqja (Frojdi e quan destrukcion) përdegëzohet dhe shtresohet, ndihmohet ndërsjelltas: individi kolektivit dhe anasjelltas:

për t´u ngopur me asgjënë,
tepricë e ditës së vrarë…

(Shifër)

* * *

Shpirtin çon në gijotinë, rrëzon ballin, ëndrrën ve në kryq,
derrit i thërret dajë

(Vetëkryqëzim)

Pakënaqësinë, vetminë (Pastaj qeshë harruar nëpër stinë (Shporta e zezë) dhe shqetësimet shpirtërore (Atëherë, ngarkova trastën e dëshpërimit mbi shpinë (Kurrizulur) në poezinë e vet Tonini i shpreh përmes tragjikes së jetës e të kotësisë së saj, po dhe përmes pyetjeve që bën në tekstin e tij, që ngërthejnë kuptime të ndryshme. Njeriu e ka të keqen brenda vetes, që dëshmohet edhe tek njeriu i botës së tij (njeriu ynë). Këtë e ndien poeti, po ai, si dhe poetët e tjerë, flijohen për të e për tjetrin, duke ia kushtuar artin e vet.

Pra, poeti, si pjesëtar i shoqërisë që i takon, merr pjesë në pësimin dhe në tragjiken që ngjet dhe shprehet në mënyra të ndryshme: Gjetheve, / damarët e shterur, / t´ua ushqej, / me dhimbje… (Damarë…), duke mos harruar të thotë se na pret fundi i pashmangshëm: kur t´vijë ora t´qelbim dhenë…(Kohë e rrëfimit).

Tonini e vëren dhe e thotë se përshpirtshmëria e njerëzve është zbehur, për të mos është zhdukur; në veprimin e përditshëm dëshmohet “vetëdija e fjetur” (ose siç thuhet “Njeriu për njeriun është ujk”), edhe tek njerëzit më të afërt: Për interes, bisha bëhemi, / shesim babë e shesim nanë…(Kohë e rrëfimit).

* * *

Në qoftë se poezinë e Tonin Nikollit e vlerësojmë në bazë të rrafshit poetik që mbërrihet në vëllimin “Gjashtëdhjetë kambana”, përkatësisht të vetëdijes së të folurit poetik si dhe të moralit të ligjërimit (sipas Barthes-it), atëherë mund ta mbyll këtë shkrim hyrës me mendimin se ai i ka siguruar vetes një vend me rëndësi në poezinë e sotme shqipe.

Prishtinë, shkurt 2020

[1] Roland Barthes, Aventuara somiologjike. Përktheu nga frëngjishtja Rexhep Ismajli. Dukagjini, Pejë 2008, f. 8.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.