ABDIXHIKU KONTESTOHEJ NGA GARDA E VJETËR E LDK

0
121
Lumir Abdixhiku

IDRIZ ZEQIRAJ

I. Anëtarësia është e shumtë, por, kryetari është një. Themeluesit e partisë e kanë më të lehtë zgjedhjen, kurorëzohen pa hamendësime, në ditën themeluese. Ndërsa pas disa viteve, kur je njëri nga anëtarët e kryesisë, pretendentët janë shumë dhe gara nuk është hiç e lehtë.

Kontestimi bazik i Lumir Abdixhikut, vinte nga garda e vjetër e LDK-së. Ai ishte rishtar në LDK-e dhe në mesin e anëtarëve të kryesisë. Edhe pse nuk i kishte ende 4 (katër) vjet stazh partie në LDK-e, megjithatë ai ishte provuar në dy palë zgjedhje qendrore, në cilësinë e kandidatit për deputet, madje, me sukses, duke u renditur i dyti, (përjashto bartësin e listës). Kandidatura e tij, për kryetar të LDK-së, u konfirmua vetëm pasi është konsultuar me pak shokë të tij, brenda kryesisë.

Konsiderata e shokëve për Lumirin dhe kandidaturën e tij, ishte e veçantë. Dhe, rivali garues, komandanti i shquar i Kosharës, heroi i mbijetuar, Anton Quni, tërhoqi kandidaturën, me arsyetimin “t’u japim hapësirë dhe mundësi kandidatëve të rinj“. Dhe, u mirëprit, me vlerësim të lartë, si akt fisnik. Në përballjen me dy kandidatët tjerë, Lumir Abdixhiku fitoi bindshëm, duke u ndarë shumë miqësor me garuesit tjerë.

Anëtarësia, elektorati dhe struktura që e votoi Kuvendi i LDK-së, e ka votuar me shumicë të cilësuar 38 vjeçarin, Dr. Lumir Abdixhikun, një intelektual i kompletuar, me personalitet dhe integritet të plotë dhe dinjitar.

II. LDK-ja, si parti e parë pluraliste, shtetformuese e shtetndërtuese si dhe shumë e përgjegjshme, në funksionimin e institucioneve shtetërore, është e gathme të përballet me proceset e rëndësishme, që ka dhe e presin edhe në të ardhmen Kosovën. Si parti opozitare, e qendrës së djathtë, do ta bëjë opozitën konstruktive, duke qenë në rolin e saj aktiv, në lehtësimin e veprimtarive, në zhvillimin progresiv të vendit.

Kosova ndodhet para proceseve të mëdha, siç janë: Dialogu, njohjet, liberalizimi i vizave, përballimi i mëtejmë të Pandemisë, bllokuese ekonomike dhe rrezikshmërisë vdektare.

Kryetari i sapozgjedhur, në një Kuvend të organizuar mirë, veçse pa debat, por, me konkurrencë të ndershme dhe votim të fshehtë, parime bazë të demokracisë, ka zgjedhur strukturën vendimarrëse, Këshillin e Përgjithshëm. Dhe, kjo strukturë, tashmë, e konsoliduar, është në përgaditje e sipër, për zgjedhjen e kryesisë të LDK-së, që përbën edhe kompletimin e strukturave partiake.

Kryetari i ri, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se, po sa ta zgjedhim kryesinë e partisë, do të bisedojmë, me fituesit e zgjedhjeve, për formimin e institucioneve qeveritare e shtetërore. Takimin me koalicionin fitues, përkatësisht, Albin Kurtin dhe Vjosë Osmanin. Ne, si parti serioze dhe shumë e përgjegjshme, nuk do të jemi pengesë, për formimin e organeve kuvendore legjislative, qeverisë dhe të tjerave.

III. LDK-ja, për fajësinë e madhe, të ish lidershipit klanor të saj, që përjashtonte çfarëdo konkurrence, në zgjedhjen e kryetarit apo të kryesisë, provokoi, deri në përjashtim nga strukturat e partisë të Dr. Vjosë Osmanit.

Ndonëse në zgjedhjet e vitit 2019, në cilësinë e kandidatës për kryeministre, nga LDK-ja, kishte premtuar shkapjen e shtetit, nga partitë-banda të PAN-it, Vjosa nuk donte ta linte premtimin peng dhe kërkonte mundësi veprimi.

Ndërkohë, ajo, së bashku me Donikë Gërvallën dhe ekipin e saj, lehtësisht dhe pa sforcim, krijuan – Listën Vjosa-, duke konkuruar, si grup, brenda LVV. Ato me suksesin e tyre, tejkaluan çdo parashikim. 300 mijë votat e Vjosës dhe të 72 mijë votat e Donikës, ndonëse ishte larg Kosovës, por, Kosova kurrë nuk e ka harruar kontributin enorme, të bijës të saj, ishte fitore plebishitare. Në marrëveshje të koalicionit VV-Lista Vjosa, ajo është nominua për Presidente e Republikës të Kosovës.

LDK, me kryetarin e ri, Lumir Abdixhikun, tashmë, nuk ka alternativë: Ose ta votojë Vjosë Osmanin presidente, ose të shkojë në zgjedhje të sërishme. Shkuarja në zgjedhje, me damkën e mosvotimit të Presidentës, nga deputetët e LDK-së, ndëshkimi i saj nga anëtarësia dhe elektorati i mbetur, përgjysmuar i saj, do të ishte shkatërrim fundak i LDK-së. Kjo është e lexueshme qysh tani. Aq më parë, kur kjo LDK-e ka votuar Hashim Thaçin president dhe Kadri Veselin kryetar të Kuvendit, duke qenë nën akuzë, për vrasjen e qindra shqiptarëve të pafajshëm!!

Megjithatë, humbja drastike, që pësoi LDK-ja, imponoi dorëheqjen e kryetarit Mustafa si dhe humbjen e forcës vendimmarrëse të klanit, bllokues e ngulfatës, Mustafa. Zgjedhjet, qofshin edhe këto nga lart të LDK-së, tronditën klanin në fjalë. Kryetari dhe kryesia e re, kanë tjetër diapazan politik e shtetëror. Ndjenja e përgjegjësisë shtetërore dhe të interesave personale, obligon votimin e presidentës Dr. Vjosë Osmani.

Rrjedhimisht, LDK-ja do ta votojë pesidenten Vjosë Osmani, përkundër kundërshtive, foshnjore e inatçore, të ish-kryetarit të LDK-së. Edhe një herë u dëshmua se “inati në politikë, është humbës!” Atëherë, pse ta provonin klanorët?!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.