Bashkia Malësi e Madhe dha titullin “Qytetar Nderi” për akademik Rexhep Qosja.
Nën një organizim të bukur dhe në një atmosferë të ngrohtë dhe emocionale, në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Malësisë së Madhe, u krye ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për akademikun Rexhep Qosja, me motivacionin:
“Për vlerat dhe arritjet e larta intelektuale dhe jetësore në fushën studimeve gjuhësore e letrare, krijimtarinë letrare dhe etno-kulturore shqiptare. Për kontributin e tij të çmuar dhe atdhetar, për Kosovën e pavarur dhe lirinë e popullit të tij.”
Rexhep Qosja e ka origjinën nga fshati Vuthaj i Malësisë, pjesa e aneksuar në Mal të Zi. Pasi mbajti fjalën e rastit kryetari Marinaj, të cilën po e publikojmë më poshtë, e morën fjalën edhe ambasadorët e Kosovës në Shqipëri dhe i Shqipërisë në Kosovë, pastaj edhe studiues të letërsisë dhe intelektualë të Shkodrës e Malësisë, si dhe ministri i jashtëm Ditmir Bushati. Me këtë rast, edhe akademiku Rexhep Qosja kishte përgatitur një fjalë të rastit, ku tregoi për lidhjen emocionale, që familja e tij e ai vetë ka patur me këto troje shqiptare, me Shkodrën e Malësinë…
Fjala e Kryetarit Tonin Marinaj me këtë rast. Edhe akademiku Rexhep Qosja mbajti një fjalë me vlerë me këtë rast, të cilën sapo tq mrrim, do e publikojmë…
Të nderuar miq e pjesëmarrës,
Ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, intelektulët si rektori i Universitetit Shkodër, studiuesi Gjekë Marinaj, shkrimtari Juka, etj.
I nderuar akademik Rexhep Qosja,
Ndjehem mjaft mirë, që më jepet mundësia të nderoj me një titull simbolik, por domethënës, “Qytetar Nderi” i Bashkisë Malësia e Madhe, një shqiptar të mirë, një intelektual të mirëfilltë, të një kalibri mbarëkombëtar e ndërkombëtar, një figurë të madhe dhe emblematike të shoqërisë sonë, i cili kontribuoi gjithmonë me veprën e tij, në shërbim të ruajtjes së vlerave shqiptare, në shërbim të së mirës!
Rexhep Qosja bëri emër falë punës dhe aftësive të tij, edhe pse në kohë të vështira e asimiluese për kombin shqiptar. Ai doli në dritë, si fryt i kësaj ndjenje të brendshme, që ka populli shqiptar, aftësisë së kombit tonë për të mbijetuar, falë njerëzve të mëdhenj, që kjo tokë e ky komb lind. Që fatkeqësisht, për arsye të pushtimeve të ndryshme dhe rrethanave të pafavorshme historike, jemi penguar mjaft, që të kemi një numër më të madh njerëzish të ditur e me kulturë, si Qosja, që ta drejtojnë shoqërinë drejt prosperitetit e zhvillimit të merituar. Kjo duket se e sqaron deri diku edhe prapambetjen, që vazhdon ta ketë shoqëria jonë!
Sociologu i njohur, Sen Simoni, një nga pionerët e sociologjisë, thotë në një moment: “Çfarë do të ishte Franca, nëse asaj do i hiqnin 50 figurat më të ndritura të saj?” Turmë do të ishte. Një popull pa njerëzit e tij të ngritur, pa dijetarët e liderët e tij të dalluar, është turmë. Kjo tregon pra, se sa vlerë marrin njerëzit e ditur dhe intelektualët e palodhur në një shoqëri, që ajo të mos mbetet turmë.
Në këtë kontekst, Qosja e njerëz të ngritur si ai, marrin për ne shqiptarët vlera të veçanta. Ne vlerësojmë veten në radhë të parë, duke nderuar njerëz të tillë, qoftë edhe simbolikisht! Pasi njerëz të ditur, me vlera njerëzore e intelektuale, si dhe me arritje jetësore në një shkallë sipërore, që i prijnë shoqërisë, shërbejnë si gurë kilometrikë, si referencë e domosdoshme për shoqërinë, që ajo të orientohet racionalisht drejt zhvillimit e suksesit, drejt dijes e shkollimit!
Njerëz si Qosja janë një vlerë e shtuar dhe e dobishme për shoqërinë tonë, prandaj duhet të lexohen, kuptohen, nderohen e kujtohen gjithmonë!
Faleminderit!