Nga Diadema STIL
Në vend të mendimit të lirë dhe lirisë së zgjedhjes së alternativës, me anë të dialogut dhe ballafaqimit të alternativave, kasta e vazhdimësisë neokomuniste ka zgjedhur presionin dhe shantazhimin, si mjete të përgjunjës së kundërshtarit dhe tkurrjes së dimensionit opozitar të shoqërisë.
Alban Xhelal Bodini, i datëlindjes 22 maj 2000, student në vitin e dytë dega Financë-Kontabilitet Elbasan, ndihet i kërcënuar dhe shantazuar për shkak të pjesëmarrjes së tij në protestat studentore të dhjetorit 2018.
Duke qenë njëri nga organizatorët dhe më aktivët e kësaj proteste në Elbasan, ai disa herë, qoftë gjatë protestave, por dhe më vonë, është kërcënuar nga njerëz anonimë, por që flisnin në emër të pushtetit të “Rilindjes”. Duke qenë pinjoll vazhdues i një familje të persekutuar deri në gen nga Diktatura (vëllai i gjyshit të tij, Adem Bodini ka bërë 15 vjet burg politik), Albani është ndier gjithmonë i vëzhguar dhe i shantazhuar, duke kulmuar në veprime të dhunshme ndaj tij, pas pjesëmarrjes në krye të protestave studentore në Elbasan, përkrah liderit të opozitës Lulzim Basha.
Më 11 nëntor 2019, në ora 12, në afërsi të Institutit Bujqësor, i afrohen tre persona të paidentifikuar, të cilët zbresin nga një motor pa targa dhe e pasi e kërcënojnë, e godasin me sende të forta dhe largohen menjëherë, duke i thënë me ironi: “Bëj të fala Lulzim Bashës!”…Edhe pas kësaj ngjarje, ka marrë përsëri kërcënime verbale e të drejtpërdrejta fizike e psikike, qoftë ai, qoftë i ati, vetëm për shkak të pozicionimit politik si opozitarë.
Para disa ditëve profesori i letërsisë Agron Tufa, shkrimtar, poet, analist i shquar, drejtor i Qendrës Kombëtare të Krimeve kundër Komunizmit, kërkoi azil politik në Zvicër për shkak të presioneve të kastës politike të “Rilindjes” në pushtet, të cilët e kanë kërcënuar me jetë, ngaqë agjenda e tij dhe e institucionit që drejtonte synonte zbardhjen dhe ndëshkimin e plotë të krimeve të Diktaturës. Rasti i Alban Xhelal Bodinit është një nga dhejtëra rastet e shfaqjes së mekanizmave të dhunës dhe përjashtimit që neokomunistët në pushtet ushtrojnë ndaj demokratëve dhe opozitarëve në përgjithësi.
Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar