ANALIZË E POEMËS “HANKO HALLA” TË POETIT, ALI ASLLANI

0
13640

Shkruan prof. Zymer Mehani

Një kurorëzim i origjinalitetit krijues të Ali Asllanit, ku ndeshën dhe mentalitetet e ndryshme të njerëzve në shoqëri, Hanko Halla është poema humoristike që u botua më 1933 në revistën “Minerva”. Botimin e parë të plotë të veprës e kemi në vitin 1942. Kjo vepër u bë shumë shpejt popullore dhe mbeti kryevepra e tij poetike, duke lënë prapa lirikat e dashurisë apo lirikën satirike. Kjo vepër shfaq karakterin krijues të Ali Asllanit si dhe metodën e tij krijuese.

Prandaj tërë vepra është një monolg i protagonistes, Hanko Hallës, ku ajo shpreh emocionet dhe qëndrimet e saj për mjedisin që e rrethon dhe për kohën e shkuar. Ndërsa Hanko Halla e kundërshton apo e interpreton botën nëpërmjet monolgut, autori e shfaq veten rrallë për të mbështetur monodramën e tij. Atëherë shtrohet pyetja , ku qëndron autori? A fshihet ai pas tonit elegjiak të ligjërimit të Hanko Hallës, apo në tonin e theksuar humoristik, që e përshkon gjithë tekstin e poemës, apo në të dyja rastet?

Grindja dhe pakënaqësia e Hallës nis brenda në shtëpi, fillon me nusen, pra brenda familjes. Këtu ndeshja bëhet ndërmjet dy grave; njëra plakë dhe tjetra e re.

Në thelb është një mosmarrëveshje brezash, jo vetëm në konceptin e jetës e të moralit , po para së gjithash të ndjeshmërisë së saj. Halla e ka humbur rininë dhe flet me emocionet e humbjes, kurse nusja do që ta jetojë rininë e saj.
Prandaj në këto marëdhënie, kërkesa e Hanko Hallës është kërkesë për mbisundim; nusja duhet të jetë e nënshtruar dhe do të quhet e mirë vetëm nëse i urdhërohet vjehrrës.

“lepe” fjalë e parë, “peqe” fjalë e dytë. Edhe asgjë tjetër, vetëm “lepe”, “peqe”

Halla vetë kur kujton rininë e saj, fluturon në kujtime të bukura e të dhimbshme, ndërsa veshja mer rëndësinë e dekorit. Duke përjetuar rininë e tashme të nuses, ajo vajton rininë e saj të bukur, por të humbur.
Halla ka përjetuar një tërmet shpirtëror; atë të ndërrimeve e të moskuptimeve.
Me kalimin e kohës çdo gjë është përmbysur. Është prishur rendi i mëparshëm dhe ky ndryshim merr dimensione fantastike në të folurit e në të menduarit e figurshëm të plakës.

Kjo natyrë e përzishme është një pasqyrë e botës shpirtërore të shkretuar të Hallës. Dhe ky shkretim ngriihet emocionalisht shkallë-shkallë, derisa arrin në nivelin e përmbysjes, të cilën e sjell situata, Hankoja tanimë sheh se nuk dallohet mbi të tjerat, se të tjerat kanë guxim të kërkojnë barazi në familje dhe shoqëri. Ajo shpreh në mënyrë të figurshme teorinë e famshme se nuk mund të barazohet ”kongjili i zjarrit” me “gjerdanin e arit”; si në rrethin familjar, ashtu nuk mund të bëhet barazimi i shtresave dhe në shoqëri.

Dallimet e shtresave shoqërore (nëpër rrëmujën e të menduarit të Hanko Hallës) nuk kanë të bëjnë me dallime materiale por me dallime morale. Kalimi i Hanko Hallës nga bota e ngushtë e familjes në botën e gjerë të shoqërisë, nis me udhëtimin e saj për në Tiranë, ku mënyra e jetesës, që ajo nuk e do dhe nuk e kupton, e kthejnë atë përfundimisht në përmasën e saj njerëzore.

Lutja që i bën ajo djalit pas këtyre njohjeve të botës: “Ik e thuaj nuses të ma bëj hallall” – është një zgjedhje e autorit që përmban në vete një simpati njerëzore për protagonisten e poemës së tij: plaka nuk ndryshon e nuk ka si të ndryshojë, ajo vetëm mund të shpëtojë shpirtin e saj në raport me nusen e vet. Autori nuk shfaq qëndrim të prerë dhe të hapur, por e lë hapur dritaren për lexuesin, që ai ta ndjejë vetë këtë pjesë të botës, por pa dyshim duke e veshur tekstin me një ton elegjiak.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.