ATA JANË VETË LIRIA JONË

0
15302

Prof. Zymer Mehani

(Me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve)

Në vargun e dëshmorëve të kombit, rrinë të rreshtuar bijat dhe bijtë më të denjë të popullit tonë.

Kalojnë ditët, javët, muajt, vitet, kalojnë edhe shekujt, por kujtimi për dëshmorët e kombit tonë mbetet prore i freskët në mendjet tona, në zemrat tona dhe në kujtesën tonë historike.

Mbetet prore i freskët dhe nuk tretet kurrë edhe malli për bijtë e bijat tona sypatrembura e atdhedashëse. Ashtu si edhe ne, edhe brezat që vijnë, do t‘i mbajnë në zemër dëshmorët, për t’i bërë flamuj në valim rrugëve e shesheve tona të lirisë. Liria bashkohet me Atdheun. Gëzim e hare në çdo anë. Dritësim diellor, rreze gjak.

Liria ndërtohet me sakrifica, me jetëra, ndërtohet me gjak, ndërtohet me dëshmorë. Kështu pat thënë dikur një mendje e urtë. Kurse ne sot duhet ta dimë se dëshmorët janë nderi dhe krenaria e popullit tonë martir.Të këtij populli që luftoi parreshtur për liri shekuj me radhë.

Dëshmorët janë ndërgjegjja më sublime dhe vetëdija, e ngritur lart, deri në piedestalin e vetëflijimit. Ata jetuan për ne. I kemi prore gjithkund e gjithherë. Të tillë i kemi bijtë dhe bijat tona syshqiponjë.Të gjallë përherë në kujtesën tonë. Me flamuj kuq e zi në duar, me një diell në gji, me një rreze në ballë, lundrojnë dëshmorët mbi detin e gjakut të flijuar për liri. Në paqe e në luftë, në fushë e në mal. Rendin dëshmorët për lirinë.

I ke atje, këtu… Një varr, një gur, një lapidar, një përmendore. Lapidarë të lirisë ishin vetë ata, që u bënë flakadanë të përjetësuar.

Lapidar lirie i kemi në shpir dhe në zemër, për të cilët kemi mall, por edhe jemi krenarë. Ata sot dhe gjithmonë Kosova, Shqipëria dhe tërë Kombi Shqiptar i kanë dhe do t’i kenë Diell Lirie me rreze të dëlira, me dritë lirie. Dëshmorët e Kombit tonë na e sollën lirinë. Ata janë vetë liria jonë.

Lavdi dëshmorëve të atdheut!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.