BOTOHET STUDIMI: “MALËSORJA, ROMANI MONUMENTAL I KOSOVËS”

0
247
Sh. Dibrani - Malësorja - pjesa e parë

Bota Sot

Vitrina e librit:

Shefqet Dibrani, poet, publicist dhe kritik letrar, ka botuar pjesën e parë të studimit mbi romanin “Malësorja” të Nazmi Rrahmanit, me titull: “MALËSORJA, Romani monumental i Kosovës”.  

Shikuar nga stafi akademik të cilët janë marrë me përgatitjen e librit: Prof. dr. Hamit Xheferi, ligjërues i letërsisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, i cili është redaktor, si dhe recensentët, prof. dr. Zejnullah Rrahmani, ligjërues i letërsisë në Universitein Publik “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, dhe prof. dr. Gjekë Marinaj, ligjërues i lëndëve humane dhe letrare në Univeristetet e Dallasit në Amerikë, shihet se kemi të bëjmë me një studim të përgatitur mirë, në aspektin profesional.

Kjo vepër e Shefqet Dibranit, ndahet në  katër kapituj, që i paraprin shënimi, “Në vend të parathënies për këtë studim”, në të cilin autori ka shpjeguar arsyet pse e ka marrë në shqyrtim romanin “Malësorja”, i cili si asnjë vepër tjetër në Kosovë, që kur është botuar (1965), e deri më sot, e ka bërë jetën e vet akademike në sistemin arsimor nga niveli fillor deri në atë universitar.

Në “Kreun e parë”, “MALËSORJA, Romani monumental i Kosovës”, autori kryesisht është marrë me: Subjektin dhe strukturën si dhe vlerat humane të romanit, duke e arsyetuar pse “Malësorja” është romani monumental i Letërsisë Shqipe në Kosovë. Po në këtë kapitull, autori i ka bërë një vështrim të zgjeruar kritik këtij romani. Kjo shihet edhe nga thyerja teknike, tejet e veçantë, me shënime përkatëse faqe për faqe.

Në“Kreu e dytë”, autori merret me: Kompozicionin e romanit, në të cilin janë trajtuar fillimi, zhvillimi dhe etapat kur është shkruar romani, deri te kompozicioni si formë artistike si dhe kategorizimi dhe fazat e kompozicionit. Pastaj merret me kohën kur është shkruar romani, me moshën e autorit, me rrethanat shoqërore e politike, me zhvillimet kulturore në Kosovë, pozitën e arsimit gjatë atyre viteve, duke e mbyllur këtë kapitull me “Natyralizmin”, si rrymë letrare në këtë roman.

Në“Kreun e tretë”, janë trajtuar kryesisht vlerat universale të romanit, ndikimi i tij, si dhe aspekte të tjera sociale, kulturore, arsimore e shëndetësore, duke i dhënë lexuesit një pasqyrë më të kompletuar për ato rrethana në të cilat mbijetoi romani “Malësorja” dhe letërsia shqipe në Kosovë. Pastaj, autori merret me procedeun e veprës, simbolikën dhe simbolizmin si dhe me aspekte të tjera letrare. Në një syth të tërë ai ka përshkruar “Zonën gjeografike në të cilën janë zhvilluar ngjarjet e romanit”, pastaj është marrë me vitet kur është ndërtuar kompozicioni i romanit, duke dhënë një kronologji interesante të ngjarjeve e cila provokon mendjen e lexuesit, për thellësinë dhe imagjinatën e qasjes së studimit sipas kohës dhe stinëve, sipas brendësisë së romanit.

Në “Kreun e katërt”, janë përfshirë tri përkushtime:Letrar, jetësor e poetik”. 1. “Prof. dr. Sabri Hamiti, 2. Prof. dr. Zejnullah Rrahmani dhe 3. Poezia “Na-Rra-Tive”, e autorit, të gjitha kushtuar Nazmi Rrahmanit.

Në fund të vepres është dhënë: Bibliografia e botimit të romanit “Malësorja”, pastaj, bibliografia e shkrimeve kritike për romanin, literatura teorike, literatura shkollore, revistat si dhe burimet e internetit dhe rrjetave sociale, ku është mbështetur studimi,  duke e bërë qasjen jo vetëm të kompletuar por edhe specifike për natyrën e studimeve letrare të kësaj fushe. Autori e ka në procesin e botimi edhe pjesën e dytë të këtij studimi, “KARAKTERI dhe ARKETIPI, në romanin Malësorja të Nazmi Rrahmanit”, në të cilën janë thelluar qasjet për figurat letrare e stilistike, karakteret dhe arketipet, që janë kundruar sipas teorisë së psikoanalistit zvicera Karl Gustav Jung. Ky studim i Sh. Dibranit botohet “Me rastin e 80 Vjetorit të lindjes së Nazmi Rrahmanit dhe në 56 vjetorin e botimit të romanit “Malësorja”.

E boti Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë, maj 2021.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.