Dëshmori Artan Cuku, Komisari i hekurt, krenaria e Lurës dhe gjithë Shqipërisë

0
203
Artan Cuku

Nga Gëzim LOKA

Radhës së dëshmorëve dhe heronjve të Lurës, që në shtigje kohe kanë dhënë gjithçka që kishin për Lurën dhe krejt shqiptarinë, i është shtuar me dinjitet dhe një emër, që vjen nga uniformat blu, nga policia e shtetit, ku punoi me përkushtim në detyra të rëndësishme, në krye të njësive dhe strukturave të policimit shqiptar. Ai është Artan Cuku, luriani shpirtqëndrestar, ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit, ish drejtor i Policisë Vlorë, i mbiquajtur “Komisari i hekurt”.

Vlerat e tij të larta morale dhe profesionale kanë lënë gjurmë në rrugëtimin e Policisë së Shtetit, misionar i të cilës ai mbeti deri në fund, me besim të pathyer tek shteti i së drejtës, tek rendi dhe liria njerëzore.

Artan Cuku, ish-drejtor i policisë së Shtetit në Vlorë u vra tragjikisht nga dora e krimit, teksa po hynte në banesën e tij, në lagjen Dinamo, pranë “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë. Për aktin e tij në shërbim të konsolidimit të policisë së shtetit dhe rendin e sigurinë publike, ish komisari dhe oficeri i lartë i Policisë Artan Cuku është shpallur me vendim të posaçëm të strukturës përkatëse, Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, me vendim nr. 770, datë 02.04.2019 “Dëshmor i Atdheut”, ndërkohë që familjes së tij i jep simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”. Gjithashtu Këshilli Bashkiak i Dibrës i ka dhënë titullin ‘Qytetar Nderi’ Artan Cukut, me rastin e 1 vjetorit të rënies së tij.

Artan Cuku ka shërbyer në qytetin e Vlorës për rreth dy vite, ku u rikthye për herë të dytë në Vlorë, sepse më parë ka qenë nën-drejtor i policisë në këtë qytet. Rreth vitit 2010 kur ka qenë nën-drejtor i policisë ishte jo pak i njohur, sepse ishte i pari që vendosi numrin e tij personal nëpër instritucione, akt, për shkak të së cilit, mori mesazhe kërcënimi të drejtpërdrejta… Kapjet më të mëdha të drogës, ku trafikantë me emër ranë në prangat e ploicisë, bllokimi dhe vënia para ligjit e grabitjeve me armë, presioni ligjor ndaj bandave dhe grupeve kriminale në Vlorë janë disa nga aspketet ku shkëqleu në punën e tij në drejtim të strukturave të policisë.

Artan Cuku, si drejtor njihej përsa i përket operacioneve dhe arrestimeve të bujshme, ishte i drejtpërdrejtë në marrjen e informacionit që nga numri i tij i telefonit, operativ, fjalëpak e punëshumë, kështu do ta mbajnë mend kolegët, vartësit dhe eprorët e tij.

Artani u lind më 25.01.1975 në fshatin Lurë e Vjetër të rrethit Dibër. Edukimi familjar, dashuria e prindërve ndaj të gjithë fëmijët, të afërmve dhe fqinjëve lanë gjurmë të thella në koshiencën dhe kureshtjen e Artanit për dijen. Arsimin fillor dhe 8-vjeçar ai e përfundoi në Fushë-Lurë. Që në moshë të vogël Artani shquhej për zgjuarsi, shkathtësi, sjellje shembullore dhe ishte i shkëlqyer në mësime dhe kishte prirje të gjithanshme. Nisur nga rezultatet e mira dhe me mbështetjen e familjes Artani vazhdoi arsimin e mesëm të përgjithshëm në qytetin e Peshkopisë, që e përfundoi në vitin 1994.

Pas përfundimit të arsimit të mesëm, nga viti 1994-1996, ka punuar si mësues në shkollën e mesme “Nikoll Kaçorri” Lurë. Bashkëmoshatarët, mësuesit dhe kolegët e kujtojnë atë si njeri me virtyte të spikatura si: i zgjuar, i sjellshëm dhe i respektueshëm, këmbëngulës në kryerjen e detyrave, i pëlqenin sfidat dhe ishte i papërtueshëm për çdo detyrë që i ngarkohej apo ndihme që i kërkohej nga kushdo.

Viti ogurzi 1997, me kaosin dhe rrëmujën e shoqëruar me kriminalitet të lartë, lanë gjurmë tek Artan Cuku, i cili nisi të mendonte se si mund të jepte kontributin e tij për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve. Kështu, pas një konkurimi të suksesshëmgjatë viteve 1997-2000 mbaroi studimet e larta në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” me rezultate të shkëlqyera dhe mori titullin “Specialist i Lartë i Policisë”. Këmbëngulës, me etje për dije, ai do të përfundonte pa shkëputje nga puna, studimet për Drejtësi në nivelet Bachelor e Master dhe më pas iu nënshtrua provimit të avokatisë ku mori titullin “Avokat”. Gjithashtu ai ka kryer me sukses me dhjetëra kurse e trajnime të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit, të organizuara nga Institucionet Ligjzbatuese Shqiptare, Europiane dhe Amerikane, përgjatë periudhës 2000 – 2014. Në CV e tij numërohen mbi 15 certifikata trajnimi e kualifikimi në fushën e hetimit te krimit dhe sigurisë publike.

Kudo që punoi, në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Malësisë së Madhe, Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë Shkodër, Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, qytet ky shumë problemalitk në atë kohë, Shef i Komisariatit të Policisë Tropojë, në Berat, në Sektorin Kundër Akteve Terroriste ku u mor me krijimin e dosjeve sipas procedurave ligjore e standartet profesionale, Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin Nr.4 në Drejtorinë e Policisë Tiranë, Specialist Drejtimi në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë, në Sektorin e Krimeve Kundër Personit në Tiranë dhe më pas në Sektorin Kundër Krimit të Organizuar, kudo spikati talenti I tij, përkushtimi dhe kuraja për ta goditur krimin në rrënjët e tij, duke mbrojtur të drejtën e qytetarëve të lirë për një jetë dhe rend të stabilizuar e të sigurtë.

Për shkak të performancës së lartë profesionale dhe guximit në përballje me bandat dhe krimin, si dhe për aftësitë e spikatura menaxhuese dhe drejtuese, në mesin e vitit 2007 Artani emërohet si Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Vlorë, detyrë të cilën e kreu me shumë sukses. Situata e rëdnuar kriminale në Fier, bëri që komanda eprore në qendër, në fund të vitit 2007 ta emëronte Artanin Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Fier, me tej, në fund të vitit 2008 u caktua si Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Berat dhe më pas deri në vitin 2011 Zv/Drejtor i Policisë Qarkut Tiranë.

Kudo që vajti, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në qarqe të ndryshme të vendit, u dallua për profesionalizëm, ekspertizë të lartë të antikrimit, vetëdije të lartë qytetare e profesionale për të goditur krimin e rëndë, bandat dhe trafiqet e paligjshme, duke kulmuar në detyrën e tij si Drejtor i Policisë Vlorë, ku u përball dhëmbë për dhëmbë me të keqen, me keqbërësit dhe kriminelët, duke çuar pas hekurave kapo të krimit të organizuar dhe të trafqikut të drogës.

Artan Cuku u ekzekutua nga dora e krimit, duke lënë pas bashkëshorten, një djalë 5 vjeç dhe një vajzë rreth 3 vjeç. Ai drejtonte një prej policive private, e cila u rri shumë shpejt dhe u kthye në një njësi të shërbimit cilësor qytetar.. Ai ishte i dhënë pas familjes dhe një bashkëshort i dhënë pas surprizave.

Sa më shumë kohë që kalon, aq më shumë spikat në sfondin e kohës dhe në vëmendjen e bashkëkohësve vepra e Artan Cukut, këtij komisari të hekurt, që u ngrit mbi botën e tij intime, mori përsipër rrezikun dhe mbeti përjetë ikonë e policisë shqiptare, shembull frymëzimi për të gjithë ata policë të thjeshtë, oficerë e komisarë, që e duan ligjin, e duan shtetin dhe sakrifikojnë çdo ditë në emër të tyre. Kolonel Cuku kishte një shpirt të madh, të cilin e vuri në shërbim të mbrojtjes së të dobtëve, kundër të gjitha presioneve që bota e krimit bënte aso kohe kundër njerëzve të pambrojtur…

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.