DISKURSI ESEISTIK PËR KULTURËN SHQIPTARE NË OPUSIN KRIJUES TË BASRI ÇAPRIQIT

0
263
Basri Çapriqi - Aksidenti i orës shqiptare

Ballina e lbrit “Aksidenti i orës shqiptare”

Dr. Nail Draga

Trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me opusin krijues për autor të ndryshëm, paraqet obligim profesional që mund të trajtohët në shumë aspekte, varësisht prej qasjes së autorëve përkatës. Në rastin konkret Basri Çapriqi të opinioni shqiptar është i njohur si poet, sepse si i tillë ishte i veçantë dhe vlerësohej nga kritikët e kohës, por nuk duhet harruar së ai ka dhënë një kontribut me peshë edhe në fushën e eseistikës, sidomos në dekadën e parë të veprimtarisë së tij krijuese. Esetë e shkruara, kanë trajtuar aktualitetin në botën shqiptare në periudhën e thyerjeve të mëdha shoqërore dhe ideologjike dhe janë botuar kryesisht në revistën “Fjala” e cila ishte prestigjioze jo vetëm në Prishtinë por në hapësirën mbarëkombëtare, duke mbetur model për kohën kur janë shkruar e botuar.

Andaj, edhe analiza e tyre eseve duhet trajtuar në varshmëri të kohës, por ndonëse kanë kaluar rreth tridhjetë vite nga botimi i tyre ata kanë vlerën e tyre edhe në kohën tonë.
Kalaja e Ulqinit dhe autorët shqiptarë

Për ata të cilët nuk janë nga Ulqini, por jashtë tij, të cilët në këtë qytet kanë ardhur gjatë verës për të kaluar pushimet, nuk kanë njohuri, se autorët vendas nuk e kanë pasur mundësinë të shpalosin vlerat e tyre kulturore në mjediset e Kalasë dymijë e pesqindvjeçare. Jo së diçka të tillë e kanë dëshiruar autorët shqiptar, por ishte pushteti monist i kohës që ndaj kulturës shqiptare kishte qasje mohuese e më të edhe të vet autorëve. Është dashur të ndryshoj sistemi shoqëror ku nga viti 1990 u miratu pluralizmi ku filluan ndryshime edhe në fushën e kulturës, e ate kryesisht duke iu falendëruar shoqërisë civile, përmes formimit të subjektëve kulturore.

Në Kala të Ulqinit, prezantimi i autorëve shqiptar ndodhi vetëm pas rënies së monizmit(1990) e ate pikërisht në gusht të vitit 1992, ku për të parën herë u prezantuan autorët shqiptar, dr.Ruzhdi Ushaku me promovimin e librit “Ulqini në rrjedhë të shekujve” me 12 gusht 1992 e më pas takimi me shkrimtarin Mehmet Kraja, ndërsa i treti autor ishte Basri Çapriqi ku me 16.6.1993, iu organizu promovimi i librit “Aksidenti i orës shqiptare”, botuar nga “Fjala” në Prishtinë në vitin 1993.

Ndërsa autori i katërt i cili është prezantuar në Kala të Ulqinit, pikërisht në Kullën e Balshajve, në muajin korrik 1997, është Milazim Krasniqi, ku është diskutuar për veprimtarinë e tij letrare e publicistike. Ishte kjo një mbërmje e veçantë dhe e para e kësaj tematike deri atëherë në Ulqin, ndonëse kemi pasur pengesa në “defekt” të rrymës elektrike, ishim të detyruar që mbrëmja të mbahet më qirinj(!).

Këto takime u organizuan nga Shoqata “Art Club”, si subjekti i parë joqeveritar i shqiptarëve në Mal të Zi, i themeluar me 28.12.1990, në Ulqin, duke dëshmuar përkushtimin për kulturën shqiptare e cila ishte injoruar dhe e anatemuar në monizim, sepse ekzitonte një refuzim i vazhdueshëm institucional. Por, përmes kësaj Shoqate, u bë një kthesë e madhe në organizimin e veprimtarive të ndryshme kulturore, shkencore, artistike si dhe botimet në gjuhën shqipe, qofshin ata revista apo botime të veçanta të profileve të ndryshme, kryesisht të autorëve vendorë.

Ngjarjet në vitin 1989-1990 dhe shqiptarët

Ngjarjet që kanë të bëjnë me vitët 1989-1990 kanë pasur përmasa të gjëra në nivel regjional e europian dhe si të tilla nuk kanë pasur mundësi të anashkalojnë edhe shqiptarët. Janë pikërisht këto vite që iu paraprinë ndryshimeve të mëdha, ku kemi fillimin e fundit të falemintimit sistemit socialist përkatësisht të dëshmit të ideologjisë komuniste dhe shpërbërjen e shtetëve të ish kampit socialist në Europën Juglindore.

Pas vitit 1981, në sajë të demonstratave të studentëve në Kosovë dhe masave represive të pushtetit jugosllav të kohës ndaj shqiptarëve, viti 1989, ishte me ngjarje dramatike për shqiptarët në Kosovë, sepse me 23 mars 1989, Kosovës iu hoq autonomia, duke e bërë një provincë në kuadrin të Serbisë.Ishte ky fillimi i shpërbërjeës së shtetit me emrin Jugosllavi që u shpërbe në vitin 1991, me rastin e pavarësisë së Sllovenisë e Kroacisë, duke pasuar më pas në sajë të luftërave pushtuese të drejtuara nga politika serbe në Kroaci, Bosne e Hercegovinë dhe së fundi në Kosovë(1998-1999).

Në aspektin ndërkombëtar me 9 nëntor 1989, përfundimisht u shëmb muri i Berlinit, duke sinjalizuar shëmbjen e komunizmit në Europën Juglindore.

Në dhjetor 1989, revolta popullore në Rumani, likuidimi i ish predisentit N.Çaushesku me bashkëshortën, përshpejtoj rënien e komunizmit,

Më 23 dhjetor 1989, në Prishtinë themelohet LDK, partia e parë shqiptare ku vulosi fillimin e pluralizmit të shqiptarët dhe përfundimin e komunizmit të shqiptarët në Kosovë e kudo ku kishte shqiptar në ish Jugosllavi.

Ndërsa viti vijues 1990, vazhdoj me dinamikën e vet ku me 2 korrik u bë shpallja e deklaratës kushtetuese, ndërsa me 5 korrik mbyllja e RTP si dhe gazetën e vetme ditore „Rilindja“, ndërsa nga vjeshta u mbyllën shkollat dhe Universiteti i Prishtinës, ku nga pushteti serb u inauguru aperthejdi kolonial nga pushteti serb si rast specifik në Europë.
Në Shqipëri jehona e ndryshimeve në Europën Juglindore e bëri të vetën, ndonëse më vonesë, që arsyetohet me pushtetin e diktaturës si askund në vendet e ish kampit socialist.

Pas protestës së parë antikomuniste me 14 janar 1990 në Shkodër, më pas ka pasur edhe protesta të tjera, ku duhet veçuar ate me 2 korrik 1990, eksodin e rreth 5000 qytetarëve të Tiranës e disa qytetëve tjera, në disa ambasada të shtetëve perëndimore(kryesisht në RFGJ), si dhe emigrimin e tyre me pas me anije nga porti i Durrësit për në Brindizi(Itali) dhe më pas në Gjermani, përmes Kryqit të Kuq Gjerman.

Ngjarjet e 2 korrikut 1990 në Prishtinë e Tiranë, ndodhën brenda një dite, duket si koincidencë, por mbetet të hulumtohet në të ardhmën, për të dhënë përfundime të argumentuara e jo me paragjykime e konsipiracione për kohën.

Në Shqipëri, këto ngjarje vazhduan me pas në vjeshtë e duke u mbyll me protestat e studentëve të Universitetit të Tiranës në dhjetor 1990, si dhe me lejimin e pluralizmit politik, me themelimin e Partisë Demokratike me 9 dhjetor 1990. Ishte ky një moment historik duke përfunduar periudha e diktaturës 46 vjeçare, dhe hapja e Shqipërisë më botën e lirë demokratike.

I kemi cekur këto ngjarje sepse të tillat ndikuan edhe të shqiptarët si brenda kufijve politikë në shtetin amë në Shqipëri, por edhe jashtë saj në hapësirën etnogjeografike shqiptare si dhe në diasporë.

Ndikimet e para ishin te krijuesit e fushave të ndryshme shkencore, kulturore, artistike e në veçanti të mediat, të cilat tash kishin një frymarrje të lirë që e kishin të ndaluar dekada më radhë.

Në këtë aspekt, në Kosovë, mediat e shkruara i paraprinë zhbllokimit informativ, ku në veçanti dallohet revista „Fjala“, me përmbajtjen dhe temat e trajtuara nga autorë profileve të ndryshme shkencore e kulturore.

Revista „Fjala“ tribunë e mendimit të lirë

Nga numri i revistave të ndryshme të cilat botoheshin në Prishtinë në duke filluar nga viti 1990, vendin parësor e kishte revista „Fjala“., e cila dallohej me përmbajtjën e saj duke qenë revistë e hapur, përkatësisht tribunë e mendimit të lirë dhe e krijimit të tolerancës e të kulturës së re politike.

Artikujt e botuar në këtë revistë, nga personalitete të fushave të ndryshme si në atë kohë por edhe tash pas tri dekadave e them pa hezitim se ishin model për studiuesit e profileve të ndryshme shkencore, kulturore e publicitike. Pikërisht duke marrë parasysh tematikën dhe përmbajtjën e trajtuar si asnjëher deri në atë kohë, do të ishte me interes për opinionin e përgjithshëm kulturor botimi i disa vëllimëve duke bërë perzgjedhje të artikujve të botuar në Fjala (1990-1992).

Një veprim i tillë do të ishte nderim dhe respekt për autorët për angazhimin e tyre profesional dhe kombëtar për të shpalosur çështje të ndryshme të panjohura deri atëherë për opinion e gjerë. Nuk ka dilemë se meritë kryesore ka pasur kryeredaktori Milazim Krasniqi së bashku me stafin e redaksisë, të cilët nuk hezituan të botojnë materiale më vlerë shumëdimensionale, që më kënaqësi lexohen edhe tash, ndonëse janë bërë rreth tri dekada nga botimi i tyre. Madje, kam bindje të plotë së brezi i ri i cili nuk ka pasur mundësi të lexojë këto materiale të revistës „Fjala“, ka mundësi të mësojë nga autorët e asaj kohe për shumë çështje që mund të jenë në fokusin e tyre të formimit profesional, sepse janë shkruar me profesionalizëm dhe qasje intelektuale.

Botim i veçantë eseistik për kohën

Në gamën e botimeve të cilat ka botuar revista „Fjala“ bën pjesë edhe libri i Basri Çapriqit „Aksidenti i orës shqiptare“, botuar në vitin 1993. Kemi të bëjmë me një botim eseistik, i veçantë për kohën kur janë shkruar e botuar, duke sfiduar rrethanat e kohës në sajë të ndryshimeve të sistemëve shoqërore, ku as shqiptarët nuk ishin përjashtim. Andaj, të lexohen sot këto ese, do të thot rreth 30 vjet më herët, duhet kuptuar kontekstin kohor, ku vetëm në këtë mënyrë mund të kemi një opinion për çështjet e trajtuara.

Në kohën bashkëkohore nuk janë të rralla rastet që intelektualë të ndryshëm që përveç fahut të tyre profesional në opusin e tyre krijues të jenë të njohur edhe në lëmënj të tjerë siç është eseistika apo publicistika. Në këtë aspekt në dy-tre vjetët e fundit edhe në hapësirën etnokulturore shqiptare me shkrimet e tyre eseistike e publicistike filluan të paraqiten një numër i konsideruar individësh, kryesisht shkrimtarë, që në një farë mënyre ishin edhe nismëtarët e lëvizjeve demokratike tek ne.

Kështu një nder më të zëllshmit nga ky aspekt i cili ka bërë kthesë në eseistikën e publicistikën tonë të opinioni shqiptar është edhe poeti B.Çapriqi, me librin “Aksidenti i orës shqiptare”. Është ky një liber i cili në vete përmbledh shumë artikuj të botuar më parë(1990-1992) në revistën Fjala, që së bashku trajtojnë një tërësi unike nga aktualiteti i kulturës shqiptare dikur dhe sot. Me një fjalë, trajtimi i problemeve gjegjëse në këtë liber paraqet një freski dhe risi për eseistikën e publicistikën shqiptare dhe më gjërë, sepse është botimi i parë i këtij lloji tek ne.

Autori aksidentrin e kulturës shqiptare e ka trajtuar në plan të gjerë kultural për tëtë hapësirën etnokulturore shqiptare, pothuaj duke filluar nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e deri në ditët tona. Kjo goditje për fat të keq ka përfshirë të gjitha dimensionet e qeniës kombëtare dhe materiale të kulturës shqiptare, duke nisur me shthurjen e hapësirës kulturore gjithëshqiptare e duke përfshirë hapësirën informative, intelektuale, shkencore, arsimin fillor, të mesëm e universitar, të gjitha llojet e artit e duke përfunduar me deformime të ndryshme në kulturën politike.

Botimi në fjalë bën përpjekje që të tregojë shkaqet e aksidentit, që për fat të keq shqiptarët i përjetuan rreth gjysëm shekulli. Është çështje tjetër se a përjetuan këtë tragjedi kombëtare shqiptarët me dëshirën e tyre apo diçka e tillë kanë qenë e imponuar nga të tjerët. Por, në lidhje më këto çështje autori i këtij libri nuk është imun, por ai i bën një vështrim kritik gjendjes ekzistuese, duke dëshmuar së tragjedia shqiptare, ndonëse filloi më herët, ajo pikën kulmore e arriti në periudhën e ashtuquajtur socialiste. Nëse faktët e periudhave të kaluara mund të shërbejnë për të bërë një analizë diakronike, për kohën e socializmit, analiza sinkronike është e tepërt sepse faktët flasin vetë.

Nga leximi i këtij libri vërehet se autori kryesisht ka qenë i preokupuar me kulturën si bazament i identitetit kombëtar, e cila pati po të njëjtin fat si populli. Ajo jo vetëm që pësoi ndryshime por njëherit në kulturë filluan të dominojnë qasjet ideologjike, duke mënjanuar pothuaj tërësisht bazamentin kombëtar. S’ka se si të tregohet ndryshe e dhëna, kur për ca figura të rëndësishme të letërsisë në veçanti, e të kulturës në përgjithësi, si p.sh. Faik Konica, Gjergj Fishta etj., u injoruan për pesë dekada. Një veprim të tillë e ka bërë pushteti për hir të ideologjisë, por pasojat ishin të mëdha sepse gjenerata të tëra shkollarësh, jo vetëm që kanë mbetur analfabetë për shumë çka, por në një farë mënyre ata janë dezinformuar për mjaft personalitete letrare, kulturore e historike të popullit tonë.

Aksidenti i shkaktuar nga bartësit e komunizmës në hapësirën etnokulturore shqiptare në Evropën Juglindore, në shikim të parë nuk ishte i veçantë për shqiptarët, por nëse i bëhët një analizë më e detajuar, pa hezitim mund të thuhet se komunizmi në shoqërinë shqiptare ishte më i tmerrshëm se askund tjetër. Një konstatim i tillë nuk është vetëm shprehje e rastit por një dëshmi autentike.

Jemi të sigurt se në të ardhmën e afërt individë të penave të ndryshme do të shkruajnë faqe të tëra për këtë murtajë që i solli tragjedinë kombit tonë. Në këtë aspekt edhe kjo vepër trajton ca çështje në mënyrë eksplicite, që njëherit jep mundësi për teza të ndryshme të trajtimit të çështjeve përkatëse.

Duhet thënë me këtë rast se me rastin e botimit të ca artikujve të këtij libri, ka pasur edhe reagime nga individë të ndryshëm në revista të kohës, që një farë mënyre ishin akuzë ndaj autorit. Reagimet e tilla ishin pa mbeshtetje faktografike, të shkruara me emocione nga individë dogmatikë, që çdo gjë që ishte shqiptare e kanë idealizuar, ndërsa realiteti ka qenë tjetër fare. Por, fatmirësisht koha dëshmoi shumë çka, andaj edhe artikujt e këtij libri duhet lexuar në varshmëri me kohën, sepse shkrime të tilla atëherë pakkush ka pasur guximin të shkruaj.

Por, autorit të këtij libri, i njohur në opinion shqiptar dhe më gjerë si poet, nuk i ka munguar guximi intelektual e qytetar që të merret me shkrime eseistike e publicistike nga aktualiteti shqiptar, që për opinionin e gjerë pothuaj ishin tema tabu. Andaj i trajtuar me një akribi publicistike, ky botim paraqet një qasje intelektuale për kulturën dhe shoqërinë shqiptare sipas standardëve bashkëkohore dhe si i tillë është i mirë së ardhur për opinion kulturor shqiptar.

(Kumtesa është paraqitur në Sesionin shkencor “Poeti i detit”, më 18 janar 2020, në Ulqin, më rastin e 60-vjetorit të lindjës së poetit B.Çapriqi, në organizim të Shoqatës “Art Club”-Ulqin dhe PEN Qendra e Kosovës-Prishtinë).

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.