MESHA SHENJTË
HOMELIA E ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT
Bazilika e Vatikanit – E diela XXXIII e Kohës gjatë Vitit, 18 nëntor 2018
Le të shohim drejt tri veprimeve që Jezusi kryen në Ungjill!
I pari. Në kulmin e ditës, lë: lë turmën në momentin e suksesit, kur brohoritej sepse kishte shumuar bukët. Dhe, ndërsa dishepujt donin të gëzonin lavdinë, menjëherë i detyron të ikin dhe përcjell turmën (krhs. Mt. 14,22-23). I kërkuar prej njerëzve, shkon vetëm; kur gjithçka ishte “në zbritje”, ngjitet mbi mal për t’u lutur. Pastaj, në zemër të natës, zbret nga mali dhe arrin të tijtë duke ecur mbi ujërat e trazuara nga era. Në gjithçka, Jezusi shkon kundër rrymës: më parë lë suksesin, pastaj qetësinë. Na mëson guximin për të lënë: për të lënë suksesin që fryn dhe qetësinë që vë në gjumë shpirtin.
Për të shkuar ku? Drejt Hyjit, duke u lutur, dhe drejt kujt ka nevojë, duke dashur. Janë thesaret e vërteta të jetës: Hyji dhe i afërmi. Të ngjitemi drejt Hyjit dhe të zbresim drejt vëllezërve, ja udha e treguar prej Jezusit. Ai na shkëput nga të kulloturit pa shqetësim në fushat komode të jetës, nga të jetuarit me përtaci mes kënaqësive të vogla të përditshme. Dishepujt e Jezusit nuk janë bërë për qetësinë e parashikueshme të një jete normale. Si Zoti Jezus, jetojnë ecjen e tyre, të lehtë, të gatshëm për të lënë lavditë e momentit, të vëmendshëm për të mos u lidhur pas të mirave që kalojnë. I krishteri e di se atdheu i tij është diku tjetër, e di që është që tani – siç kujton Apostulli Pal në Leximin e dytë – “bashkëqytetar i shenjtërve dhe familjar i Hyjit” (krhs. Ef. 2, 19).
Është një udhëtar i shkathët i ekzistencës. Ne nuk jetojmë për të grumbulluar, lavdia jonë qëndron në lënien e asaj që kalon për të mbajtur atë që mbetet. T’i kërkojmë Hyjit që t’i ngjajmë Kishës së përshkruar në Leximin e parë: gjithnjë në lëvizje, eksperte në lënie dhe besnike në shërbim (krhs. Vap. 28, 11-14). Na zgjo, o Zot, nga qetësia dembele, nga bunaca e qetë e porteve tona të sigurta! Na zgjidh nga lidhjet e vetëreferimit që i hedh zhavorr jetës, na liro nga kërkimi i sukseseve tona! Na mëso, o Zot, të dimë të lëmë për të hedhur themelet e udhës së jetës në tënden: drejt Hyjit dhe drejt të afërmit!
Veprimi i dytë: në kulmin e natës Jezusi jep zemër. Shkon tek të tijtë, të zhytur në errësirë, duke ecur «mbi det» (v. 25). Në realitet bëhej fjalë për një liqen, por deti, me thellësinë e errësirave të tij nëntokësore, rikujtonte në atë kohë forcat e së keqes. Jezusi, me fjalë të tjera, shkon për të takuar të tijtë duke shkelur mbi armiqtë e ligj të njeriut. Ja domethënia e kësaj shenje: jo një manifestim kremtues i fuqisë, por zbulesa për ne e sigurisë qetësuese që Jezusi, vetëm Ai, Jezusi, i mund armiqtë tanë të mëdhenj: djallin, mëkatin, vdekjen, frikën, gjërat e botës. Edhe neve sot na thotë: «Zemër, jam unë, mos kini frikë!» (v. 27).
Barka e jetës sonë shpesh është e përplasur prej dallgëve dhe e lëkundur prej erërave, dhe kur ujërat janë të qeta shpejt kthehen dhe trazohen. Atëherë ne zemërohemi me stuhitë e momentit, që duken sikur janë problemet tona të vetme. Por problemi nuk është stuhia e momentit, është se në çfarë mënyre lundrojmë në jetë. Sekreti i të lundruarit mirë është të ftojmë Jezusin në bord. Timoni i jetës duhet t’i jepet Atij, që të jetë Ai që ta drejtojë udhën. Vetëm Ai, në fakt, jep jetë në vdekje dhe shpresë në dhimbje; vetëm Ai shëron zemrën me falje dhe liron nga frika me besim. Ta ftojmë sot Jezusin në barkën e jetës! Si dishepujt do të provojmë se me Të në bord erërat qetësohen (krhs. v. 32) dhe nuk ndodh kurrë anijembytje. Me Të në bord nuk ndodh kurrë anijembytje! Dhe është vetëm me Jezusin që bëhemi të aftë edhe ne që të japim zemër. Ka nevojë të madhe për njerëz që dinë të ngushëllojnë, por jo me fjalë boshe, por me fjalë jete, me gjeste të jetës. Në emër të Jezusit jepet ngushëllimi i vërtetë. Jo inkurajimet formale dhe që dihen, por prania e Jezusit përtërin fuqitë. Na jep zemër, o Zot: të ngushëlluar prej teje, do të jemi ngushëllues të vërtetë për të tjerët!
Dhe veprimi i tretë i Jezusit: në mes të stuhisë, zgjat dorën (krhs. v. 31). Kap Pjetrin që, i frikësuar, dyshonte dhe, duke u mbytur, bërtiste: «O Zot, më shpëto!» (v. 30). Mund të vihemi në vendin e Pjetrit: jemi njerëz besimpakët dhe jemi këtu duke lypur shpëtim. Kemi varfëri jete të vertetë dhe na duhet dora e zgjatur e Zotit, që të na nxjerrë jashtë nga e keqja. Ky është fillimi i fesë: të boshatisemi nga bindja krenare për të besuar se jemi në rregull, të aftë, të pavarur, dhe të ndihemi nevojtarë për shpëtim. Feja rritet në këtë klimë, një klimë me të cilën përshtatemi duke qëndruar së bashku me gjithë sa nuk vihen në piedistal, por kanë nevojë dhe kërkojnë ndihmë. Për këtë, të jetojmë fenë në kontakt me nevojtarët, është e rëndësishme për të gjithë ne. Nuk është një zgjedhje sociologjike, nuk është moda e një pontifikati, është një nevojë teologjike. Është të pranohemi lypës shpëtimi, vëllezër e motra të të gjithëve, por kryesisht të të varfërve, të zgjedhurit e Zotit. Kështu thithim shpirtin e Ungjillit: «shpirti i varfërisë dhe i dashurisë – thotë Koncili – është në fakt lavdia dhe shenja e Kishës së Krishtit» (Kushtetuta Gaudium et spes, 88).
Jezusi ka dëgjuar britmën e Pjetrit. Të kërkojmë hirin për të dëgjuar britmën e atij që jeton në ujërat e stuhishme. Britma e të varfërve: është britma e mbytur e fëmijëve që nuk mund të dalin në dritë, e të vegjëlve që pësojnë urinë, e djemve e vajzave të mësuar me ushtimet e bombave në vend të zhurmave të hareshme të lojërave. Është britma e të moshuarve të hedhur e të lënë vetëm. Është britma e atij që gjendet përballë stuhive të jetës pa një prani miqësore. Është britma e atij që duhet të ikë, duke lënë shtëpinë dhe tokën pa sigurinë e një arritjeje. Është britma e popullsive të tëra, të privuar edhe nga pasuri të mëdha natyrore që ata i kanë. Është britma e shumë Lazrave që qajnë, ndërsa pak njerëz të pasur kanë në banket atë që për drejtësi iu takon të gjithëve. Padrejtësia është rrënja perverse e varfërisë. Britma e të varfërve bëhet çdo ditë më e fortë, por çdo ditë më pak e dëgjuar. Çdo ditë ajo britmë është më e fortë, por çdo ditë është më pak e dëgjuar, e kërcënuar nga zhurma e pak të pasurve, që janë gjithnjë më pak e gjithnjë më të pasur.
Përpara dinjitetit njerëzor të shkelur shpesh mbetemi me duarkryq ose krahët hapen, por të pafuqishme përballë forcës së errët të së keqes. Por i krishteri nuk mund të rrijë duarkryq, indiferent, ose me krahë hapur, fatalist, jo! Besimtari zgjat dorën, siç bën Jezusi me të. Tek Hyji, britma e të varfërve gjen dëgjim. Pyes: po në ne? Kemi sy për të parë, veshë për të dëgjuar, duar të zgjatura për të ndihmuar, apo përsërisim shprehjen “eje nesër”? «Vetë Krishti, në personin e të varfërve kërkon si me zë të lartë dashurinë e dishepujve të tij» (po aty). Na kërkon ta pranojmë në atë që ka uri dhe etje, në atë që është i huaj dhe i zhveshur nga dinjiteti, i sëmurë dhe i burgosur (krhs. Mt. 25,35-36).
Zoti zgjat dorën: është një gjest falas, jo i detyruar. Është kështu që bëhet. Nuk jemi të thirrur t’u bëjmë mirë vetëm atyre që na duan të mirën. T’ua kthejmë është normale, por Jezusi kërkon të shkojmë përtej (krhs. Mt. 5, 46): t’u japim atyre që nuk kanë me çfarë të na e kthejnë, domethënë, të duam falas (krhs. Lk. 6, 32-36). Të shikojmë ditët tona: mes shumë gjërave, a bëjmë ndonjë gjë falas, ndonjë gjë për atë që nuk mund të na e kthejë? Ajo do të jetë dora jonë e zgjatur, pasuria jonë e vërtetë në qiell.
Na e zgjat dorën neve, o Zot! Na ndihmo të duam ashtu si ti do! Na mëso të lëmë atë që kalon, t’i japim zemër atij që kemi pranë, t’i dhurojmë falas atij që është në nevojë! Amen!
Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi