Shkruan: Lekë Mrijaj
Dje, me 29. 10. 2017, në restorant “Dasmori” në Doblibarë të Gjakovës, nën patronatin e Famullisë së Doblibarës në Gjakovë, u mbajt manifestimi kulturo-artistik “Ditët e Augustin Ukaj”, në të cilin morën pjesë një numër shumë i madh i mysafirëve e adhuruesve të këtij rapsodi. Këtë eveniment madhor kulturo-artistik, pas intonimin të himnit kombëtar me një fjalë rasti e nisi Famullitari i Kishës së “Shën Mëhillit” në Doblibarë , don Albert Jakaj i cili në mes tjerash në emër të Këshillit Organizativ të këtij manifestimi kulturo-artistik “Ditët e Augustin Ukaj”, i falenderoj të gjithë të pranishmit pjesmarrës të këtij evenimenti, në veçanti ministrin e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës Dr. Pal Lekaj, Deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Anton Quni, Rektorin e UP-së prof. dr. Marjan Demaj, kryetaren e Gjakovës znj. Mimoza Kusari-Lila, z. Ardian Gjini etj.
Don Alberti, në fjalimin e tij tha se në fund në muajit shtator, kishte lindur kjo ide nga ana e don Pashk Danit, dhe në bashkëpunim me intelektualët e Bashkësisë Lokale të Doblibarës së Gjakovës, në ndriqim të Figurës së të Madhit – Bilbilit të Kosovës dhe të pavdekshmit Augustin Ukaj, i cili edhe pse fizikisht para plot 13 vjetësh kishte ndërruar jetë, ku me kalimin në perjetësi të Augustin Ukaj, folklori shqiptar humbi një rapsod shumë të madh, rapsod i cili rreshtohej në listën e melosëve të parë kosovar siq ishin: Dervish Shaqa, Bajrush Doda, Sali Bajrami, Feriz Krasniqi, Marash Krasniqi etj.
Andaj edhe me vendimin unanim të këtij Këshilli Organizativ, tashmë manifestimet e tjera me radhë “Ditët e Augustin Ukaj” do të jenë tradicionale dhe do të mbahen nën patronatin e Drejtoriatit për Kulturë të Gjakovës apo të asaj të Ministrisë së Kulturës, sepse Bilbili i Kosovës Augustin Ukaj, ka kontribuar shumë në folklorin dhe melosin shqip, e sikur do të thoshte populli “Augustin Ukaj sikur me pos lind me çifteli në dorë”.
Ai tha se manifestimi në fjalë ka vetëm një qëllim, vetëm se të promovoi vlerat e folklorit shqip në Trevat Shqiptare. Bilbili i Kosovës Augustin Ukaj, këndoi me rapsodët Marjan Gojanin e Gjergj Ukaj-n. Shumë këngë të këtij rapsodi akoma janë të gjalla njëkohësisht ato janë të pranishme përherë tek njerëzit në Rrafshin e Dukagjinit, Kosovës, Gostivarit, Tropojës, Tiranës, Tetovës, Gostivarit, Malësisë, Preshevës e Mërgatës Shqiptare, sidomos “Kënga e Zagrebit”, “Kënga e Mrikës”, “Kënga e At’ Shtjefën Gjeçovit”, “Luto Fukaraja”, “Dem Ahmeti”, “Toka e Kosovës”, “”Ju më qani për së gjalli”, “Pjetër Bogdani”, “Isa begu”, “Thanë prej Zotit ka ardhë një letër” dhe “Brez pas brezi” etj.
Evenimenti në fjalë vazhdoi ashtu sipas agjendës së saj me pikat të tjera të programit kulturoartistik të grupeve të shkollës fillore “Dëshmorët Lleshi” Doblibarë e grupeve të tjera muzikore e humoristike: Vëllezërit Ukaj, Lekë e Gjokë Duhani, Vëllezerit Gashi, Pjetër Bisaku, Ndrecë e Marjan Gojani, Vesel Bujupi, Man Behluli, këngëtarja Marije Lajqaj, njëkohësisht edhe humoristët shqiptar nga Kosova Sevdai Radogoshi-Qumili, Leze Qena e Rasim Thaqi-Cima etj.
Para të pranishmëve përveç djalit të vetëm të rapsodit z. Leonard Ukaj, e mysafirëve të tjerë të pushtetit qendor e lokal, me kumtesë doli edhe mr. Vilson Culaj, i cili e trajtoi personalitetin dhe veprën e rapsodit ashtu sipas këndvështrimeve dhe burimeve të ndryshme rapsodike e historike, ndaj veç tjerash spikati duke thënë se: “Shqiptarët e Kosovës në këngën e Augustin Ukajt, filluan të dëgjojnë, reflektojnë, e rikapitullojnë për historinë dhe kronikat e vjetra, për qëndresën shqiptare nëpër fushëbeteja, për njerëzit e vrarë për shkronjat shqipe, për egzodet biblike dhe për gjakimet shpirtërore e kulturore të këtij kombi të lashtë.
Rapsodi ynë i spikatur Augustin Ukaj, ishte këngëtar i dhembjës dhe vajit me zërin autentik që dridhej bashkë me telat e çiftelisë, një jetë ishte me këngën dhe për këngën. Ai nuk e këndonte këngën për ta përfunduar si tekst, vetëm si një formë e zbrazët dhe pa mesazh, por ai e dëshironte këngën, pikërisht e ndjente, qeshte dhe qante me të, heronjtë e këngës nuk ktheheshin të vdekur në varreza, ata jetonin në jetë të jetëve, endeshin nëpër mite dhe legjenda fushave të Dukagjinit, e shkruanin historinë në gurë dhe në gjak, ndërsa Bilbili i Kosovës e kthente në dhembje, në shqetësim, në këngë të cilat si tragjedi orale barteshin brez pas brezi.
Bilbili i Kosovës kur rikujtohet, bashkë me të përkujtohen trimat në zë të cilëve u këndoi dhe për të cilët ndërtoi katedralen e vuajtjes dhe të krenarisë. Vitet ikin ndërsa zëri mbetet, zëri i Bilbilit të Kosovës mbeti kronikë që shënoi historinë prej Skënderbeut e deri tek dhembja e njeriut të Dukagjinit e Kosovës në tërësi, njeriut të zakonshëm qe ikte nëpër rrugët e botës për një copë bukë dhe shpresë. “Kjo këngë po kendohet për pleq e për të ri” do të na thoshte Bilbili, ndërsa ne tani këngën po e dimë por zëri nuk po na del”, tha në fund të kumtesës së tij mr. Vilson Culaj.
Ishte Simon Karaqi, i cili në emër të Këshillit Organizativ me një fjalë permbyllëse e shpalli të mbyllur evenimentin madhor “Ditët e Augustin Ukaj”.