DY FJALË PËR LIBRIN PËR PLISIN E BARDHË DHE AUTORIN E TIJ, AGRON GJEDIA

0
911

Nga Ramiz LUSHAJ

E diela e fundit e gushtit 2018 do të festohet me veprimtari tradite në Parkun Kombëtar të Dajtit. Shenjohet 15 vjetori i Festës së Bytyçit, organizuar nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, e cila është një nga ma krye/shquarat ndër simotrat e saj të Shoqërisë Civile gjithkahit ku flitet Shqip, ndër Shqiptarí. Kryetari i saj, prej nga themelia, është av. Agron Isa Gjedia, me hapa përkushtimor, të urtë, dritënor dhe punëra të mira e të larta me Shoqatën panshqiptare të Bytyçit e të bytyçasve. Ndaj, mendoj, se ka ardh’ dita që kjo Shoqatë e Klasit të Parë, po dhe kryetari i saj – një qytetar e veprimtar i réndit të parë, të vlerësohen me dekoratë apo titull nderi nga Presidenti i Shqipërisë e, pse jo, dhe nga Presidenti i Kosovës.

Nja 7 vite ma herët, e diela e 28 gushtit 2011, sigurisht, patjetër, do të hynte natyrshëm në histori, do të bante realisht historinë e vet duke marrë emër e lartësime gjithkund ndër shtete e treva etnike dhe diasporat shqiptare. “Festa e Bytyçit e Bytyçave”, kjo veprimtari tradicionale, prej kësaj date u thirr ndryshe dhe “Festa e Plisit të Bardhë” dhe, aty, atë ditë, u ndërmor nisma për ta kthye në një Festë Mbarëkombëtare Shqiptare. Shoqata “Bytyçi” e kryetari i saj, av. Agron Isa Gjedia, ishin të parët e kësaj nisme dhe në ballë të saj prej atëherit e deri më sot. Edhe nesër. E, fill pas Bytyçit në Dajt, bash në kryeqytetin historik dardan, në Shkup (Maqedoni), në Ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2012, Lëvizja “Zgjohu” e organizoi veprimtarinë solemne e festive “Dita e Plisit”.

Po këtë vit, në prag të Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, më 25 nëntor 2012, në Nju Jork të Amerikës, Fondacioni i atyshëm i Plavë-Gucisë (me nismë e mbështetje të biznesmenit Bruno Selimaj e vllait të tij, Alex Selimaj, kryetar i asokoshëm i FPG) e organizuan “Ditën e Plisit” në Amerikë.Mbasandejna, në 2014 e në vazhdimësi, pati veprimtari “Dita e Plisit” në vende e kulla historike të Kosovës, si në Klinë, Junik, Drenicë, etj., të cilët kanë për kryenismëtarë e organizatorë atdhetarët: Ismet Krasniqi – Lala e Prend Buzhala. Tashti, tradita e Festës së Plisit të Bardhë ka marr’ udhë për mirë gjithkahit, gjithkund.

Merita i takon të parit, Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, po këta si Shoqatë e me kryetarin e tyre z. Gjedia, mbeten gjithnji meritorë, sepse ka 7 vite që e mbajnë të ndezur flakadan Festën e Plisit të Bardhë në Dajt, e këto vitet e fundit tek Teleferiku e “Ballkoni i Dajtit” i të ndjerit, dr. Muhamet Malo – Nderi i Kombit, Njeri i Mirë, biznesmen filantropist e të pasardhësve të tij, Migena Malo e Enklajd Malo.
Ka 7 vite që Shoqata “Bytyçi” dhe Agron Isa Gjedia janë në ballë të kësaj nisme, në krye të kësaj veprimtarie,vetveprues, bashkëpunues e bashkrendues me të tjerët. Sikur asgja ma tepër e ma shumë mos të kishin bá Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” e Agron Isa Gjedia veç këtë Festë të Plisit të Bardhë me veprimtari të shumanshme ka bá mjaft e mirë për t’u vlerësue e nderue nga të vetët e të tjerët, nga koha e historia shqiptare.

Agron Isa Gjedia, ky veprimtar elitar, para dy vitesh, më 2016, ishte nismtari e punëkryemi i Konkursit Kombëtar për Plisin e Bardhë, me kryeorganizator Poetekën Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi”– organizëm i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren. Në konkurim e jashtë tij, morën pjesë gjithsej 85 poetë me 94 poezi, himn e poema për Plisin e Bardhë, ndër tá dhe vet Agron Isa Gjedia me poezinë “Fisi, Plisi e Lisi” (jashtë konkurimit), të cilën ia kushtimon babës së tij të mirë plisbardhë Isa Gurec Gjedia. Kjo flet dhe për atë “talentin e fshehur” të tij në të shkruarit poezi, pasi historia, kultura e natyra e Tropojës i ban të gjithë tropojanët të tillë, poetë. Sivjet, më 2018, në këto ditë gushti, në 15 vjetorin emblematik “Festës së Bytyçit”,

Shoqata “Bytyçi” e botoi dhe antologjinë poetike “Vargu i Plisit tim”, me redaktor poetin e njohur nga Çamëria, Namik Selmani dhe me financim të djalit e burrit të mirë bytyças, Alfred Shaban Lahuka, ushtarak i karierës, veprimtar i kohës, njeri model me virtytet e vlerat e tij. E thanun ndryshe, haptas: këtij Konkursi nuk do t’i vinte Ora e Konkurimit në malin e Dajtit dhe as Dita e Botimit në një antologji poetike në këtë 15 vjetor të Shoqatës, po të mos ishte Agron Isa Gjedia me përkujdesjet e tij në kohën, vendin e mënyrën e vet për t’i marrë e çuar deri në fund, për t’iu dalë në krye dhe nismave e aksioneve të tilla kulturore atdhetare.

Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, e ka “selinë e vet” tek çdo bytyças e bytyçase, të cilët janë “motorri” i saj, të cilët, me Kryesinë e Shoqatës e veprimtarët e saj bytyças e jo vetë bytyças, vetveprojnë si një ansambël i madh harmonik e frytdhënës.

E di se biznesmeni i shquar , Ram Geci i Bytyçit, pronari e drejtori i Përgjithshëm i Hotel Tirana International e i kompanisë së tij “Geci” gjithnjë e ka shfaq bujarinë e tij ndaj Shoqatës “Bytyçi”. Tjetra. Edhe në vitin 2015 ishte kontributor presidenti i Euro-Sig Kadri Morina në “Festën e Plisit të Bardhë” në Dajt. Them se ka dhe të tjerë, po nuk është koha e vendi të listnojë emra në vargni, pasi e kemi për objekt tematik Plisin e Bardhë e veprimtaritë rreth tij, kryetarin Agron Isa Gjedia e Shoqatën (e tij) “Bytyçi”, librin e tij “Plisi i Bardhë, Emblemë Hyjnore e Shqiptarisë”.

E, kur e cekëm se Shoqata Mbarëkombëtare“Bytyçi”,Tiranë-Prizren, funksionon e vetvepron si një “ansambël” veprimtarësh e vlerash, duhet theksue dhe fakti tjetër se ka dhe disa organizma të saj, që janë pjesë e saj, si Poeteka Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” (i organizimit të konkurseve kombëtare), Forumi i Femrës Bytyçase (që e organizon çdo vit Festën e 8 Marsit, të titulluar së vomit dhe si Festimi i 8 Marsit Plisbardhë), etj. Gjithashtu, pranë kësaj Shoqate, vepron dhe një “Komitet” për ndarjen e çmimeve nga ma të ndryshmet, të shumta e të përvitshme, ku një ndër ta është dhe Çmimi “Plisi i Bardhë, Emblema Hyjnore e Shqiptarisë” (në tre klase: i parë, i dytë, i tretë), për çka fjalaflitet dhe në faqet 75-78 të këtij libri të autorit Agron Isa Gjedia.

Kryetari i Shoqatës “Bytyçi”, av. Agron Isa Gjedia, tashma e ka kaluar një gjysmë shekulli jetë. Prej 1 majit të sivjetëm po rrugëton kah 58-ta. Ai ka lindur në Çorraj të Bytyçit, në fisin e sojshëm, luftarak e kulturor të Bytyçit.

Fshati i tij bytyças, i njoftun ndryshe: Çorraj-Viliq ka disa personalitete të njohura, si biznesmeni i klasit të lartë Ram Geci (në 10 më të fuqishmit e Shqipërisë); ambasadori Islam Lauka – doktor i shkencave politike, studiues me disa monografi, pedagog universitar; vllaznit Bytyçi si Sejdi Bytyçi (disa grafika të të cilit e ilustrojnë dhe këtë libër për Plisin e Bardhë) e Sabit Bytyçi i “Vatrës” në Amerikë që kanë dhanë shumë për Kombin e vet Shqiptar; e të tjerë. Një ndër ta dhe Agron Isa Gjedia.

Njeri me katër diploma universitare: Agronomi në Universitetin Bujqësor të Tiranës; Juridik dhe Ekonomik në Universitetin e Tiranës; Histori-Gjeografi në Universitetin e Prishtinës (Shkolla e Lartë e Përgjithshme “Bajram Curri””, si dhe po ndjek studimet pasuniversitare të masterit në drejtësi, drejtimi kushtetues-administrativ. Ka dëshminë (çetifikatën) e avokatit të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë (Tiranë, 1997) pas provimeve përkatëse. Krye Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tiranë. Një kualifikim 6-mujor për Auditim, etj. Pra, njeri që e ndjek rrugën e dijes. Ia shton jetës e punës së tij të tillë “plisa” të dijes.

Av. Agron Isa Gjedia në fillimet e tij ka punue në ekonomitë bujqësore të Pacit e të Zogajve dhe në NB Fierzë në detyra të ndryshme; në disa firma private në Tropojë. Në dekadat e fundit ishte avokat në Tropojë, specialist në Zyrën e Punës në Tiranë; jurist në Prefekturën e Qarkut të Tiranës; jurist në komunën Bërzhitë të Tiranës, etj. Vitet e fundit avokat krejt në profesion të lirë, i liçensuar nga Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë.

Av. Agron Isa Gjedia, përveçse kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, është dhe President i Poetekës Mbarëkombëtare “Ndye Bytyçi”; Kryetar i Shoqatës së Juristëve të Prefekturave dhe Njësive të Qeverisjes Vendore të Shqipërisë; kryetar i degës së Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Gjermani (për Tropojë), etj.

Av. Agron Isa Gjedia vjen me librin e tij të parë “Plisi i Bardhë, Emblema Hyjnore e Shqiptarisë”, pas një përvoje të gjatë si botues, si bashkautor në disa botime tematike e antologjike me studime, artikuj e krijime të tij, si në Tiranë, Prishtinë, Preshevë, Prizren, etj. si në botimin tematik “Dita e Plisit” (Vëllimi i dytë, i tretë, i katërt) përgaditur nga Ismet Krasniqi e Prend Buzhala, botuar në Prishtinë; monografia “Kryezinjtë e Gjakovës” i Mitat Q. Begollit (me një shkrim të tij) botuar në Prishtinë, 2013; “Dasmat Shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot” (me një studim të tij), botue në Preshevë; në librin me përmbledhje të Sesionit Shkencor të Shkodrës (me një kumtim të tij), botue në Prizren; me parathanie e pasthanie dhe një poezi të tij te antologjia poetike tematike “Plisi i vargut tim” (Tiranë, 2018) si dhe në disa botime të tjera të kohëpaskohshme.

Njëherash, dhe botues i gazetës periodike “Bytyçi” (prej vitesh) dhe i asaj “Zëri i Malësisë së Gjakovës” (numër i vetëm).

Gjithashtu, ka mbajt referate e kumtuesa në disa konferenca, simpoziume e sesione shkencore në Shqipëri, Kosovë, Luginën e Preshevës, si dhe ka botue shpesh, ndër vite e dekada, shkrime të ndryshme në gazeta, revista e portale si në Tropojë, Tiranë, Kosovë, Maqedoni, Zvicër, SHBA, Mbretëri të Bashkuar, etj.

Libri i tij “Plisi i Bardhë, Emblemë Hyjnore e Shqiptarisë” (Parashtresa, trajtesa, vështrime) është i pari në udhën e tij të botimeve, që daton në 15 vjetorin e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, në “Festën e Plisit të Bardhë” në Dajt, në të cilën vijnë nga e gjithë Shqipëri, nga Kosova, nga Lugina e Preshevës, nga Mali i Zi, nga Maqedonia, nga diasporat shqiptare në botë prej nga Europa në Amerikë. Një Festë Shqiptare që i bashkon, gëzon e lumturon shqiptarët, që pritet si një eveniminet kombëtar në të dielën e fundit të muajt gusht të çdo viti kalendarik.

Ky libër i Agron Isa Gjediat ka diçka të veçantë: ia kushtimon në tematikë Plisit të Bardhë dhe në hyrje e si hymn babës së tij plisbardhë, njeriut të mirë Isa Gurec Gjedia, i cili e ka motivuar e frymëzue në jetën e tij, në veprimtaritë e tij me Shoqatën “Bytyçi” e Plisin e Bardhë. Treva e Bytyçit dhe e Malësisë së Gjakovës (Tropoja) kanë qënë tjetër gurrë burimore e frymëzimi për ta shkrue këtë libër në ditë të sodit.

Librin e kanë shkrue vet veprimtaritë e publikimet mediatike të tij për Plisin e Bardhë, për çka flasin referancat përfundi botimit të tyre.

Ky libër kap një hark kohor prej 7 vitesh. Niston me trajtesën e tij vështrimore “Plisi i Bardhë, simbol me rëndësi kombëtare që duhet ruajtur e trashëguar ndër breza” (Gazeta “Bytyçi”, nr. 8, datë 28 gusht 2011), ku jep disa parashtresa të tij. Në faqet e këtij libri me interes lexuesit e tij do të gjejnë disa artikuj me parashtresa, trajtesa e vështrime për Plisin e Bardhë, si kumtime, dokumente zyrtare, esse, ilustrimet me foto tematike, etj. Pra, Agron Isa Gjedia ka paraqit disa nga parashtresat, trajtesat e vështrimet e tij në veprimtaritë e 7 viteve për Plisin e Bardhë pa pretendue se ka krye një studim shterrues për Plisin e Bardhë, që tradition prej nga Lashtësia pellazgo-iliro-dardane. Gjithsesi, objekti i kësaj pasthanie nuk ka të bajnë dhe aq me përmbajtjen e librit, pasi gjithçka duhet do ta kenë në lexim e komentim vet lexuesit e faqeve të këtij libri për Plisin e Bardhë.

Ky është një libër, siç e thamë, që e ka shkrue vet veprimtaria e Agron Isa Gjediat si kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, si nismëtar, organizator e punëkryem i gjithatyne aktiviteteve e aksioneve për Plisin e Bardhë. Një libër që dëshmon, sidomos e veçmas udhën e sotme të Plisit të Bardhë, me kryeprijtarë Shoqatën ”Bytyçi” e kryetarin e saj të përkushtuar, av. Agron Isa Gjedia.

Njeriu është e nevojshme deri e domosdoshme të flasin për atë që mendon e punon për shoqërinë e kombin e vet, t’i përshkruajnë gjithfarësh e t’i dokumentojnë gjithqysh për brezat e sotëm e të nesërm të truallit e kohënave. Këtë po e ban autori Agron Isa Gjedia me librin e tij për Plisin e Bardhë. Ai, gjithsesi, nuk don ta quajnë kurrkush sikur ka “ekskluzivitet” apo “pronësi” mbi/për/ndaj Plisit të Bardhë, përkundrazi ka dëshirë e përpjekje të tij që me veprimtaritë e tjera dhe botimin e sotëm të këtij libri për Plisin e Bardhë t’i bajnë libër e veprimtari “pronë” të të tjerëve, që ata të marrin e përcjellin prej tyre ato çka iu duhen e u shërbejnë për ma shumë e për ma mire në udhët e kohërat e tyre.

Av. Agron Isa Gjedia është fort i dhanun pas Plisit të Bardhë, si simbol kombëtar shqiptar, të cilin e lart rendit, pas Flamurit Kombëtar Shqiptar e,pas Gjuhës Shqipe. Ai e sheh Plisin e Bardhë si një ndër elementët përfaqësues e mbrojtës të identitetit kombëtar shqiptar ndër shekuj historie. Ai ngrihet në mbrojtje të Plisit të Bardhë ndaj çdo ndërhyrjeje e keqdeformimi të tij me elementë plotësues apo shtojcë. Ai sjell fakte e argumente të tij për ta paraqitë Plisin e Bardhë si një Emblemë Hyjnore të Shqiptarisë.

E, në përmbyllje, shprehim bindje se bash dashuria traditore e dijetare dhe përkushtimi veprimtar i Agron Isa Gjedia për Plisin e Bardhë e kanë shkrue këtë libër të tij për Plisin e Bardhë Kombëtar Shqiptar.

Tiranë, gusht 2018

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.