E PAZAKONSHMJA

0
575

Adem Gashi

(Për librin “Merimangat e lirisë” të Marigona Kelmendit, Buzuku 2018)

Po. Në mënyrë të pazakonshme do t’ju flas për librin e Marigonës.

E para, sepse më erdhi, që në dorëshkrim, si një përmbledhje që më sillte “tradhtinë” e autores brenda. Ajo kishte tradhtuar moshën e saj, sishoqet e saja, rrjedhat e sotme të lirikës. Kjo sikur nuk jeton njëkohshëm me to. Sikur ka zgjedhur një, çfarë t’i them, një çelë ku mediton për gjithçka të kësobotshme, të asaj që e quajmë rrojtje tokësore, gjëllim. Nis që nga titulli me një oksimoron, Merimangat e lirisë; hapet me një metaforë vegjetative, Gjethe (Jam një gjethe); përdegëzohet nëpër ciklin “Dje s’i thashë asgjë emrit”; vjen e bëhet “Pëshpërimë ditësh” dhe mbyllet me

“Merimangat e mia makthet e mia
shpresat e mia/
Po po
jeni gjithandej veri e jug vetëm rrodhe lirie”.

Askund psherëtima e klithma të zhveshura dashurie, askund dalldi folku patriotik. Dashuria dhe atdhedashuria, bashkë me thellësinë e mendimit, me atë filozofinë e artit poetik shtrihet këtu brenda.

Lirikë për t’u vënë re. E reduktuar në fjalës (leksik), e begatuar në trope e figura poetike, e mbushur në kuptim e ide, pa cenuar farfurinë emotive si reagens imanent. Për mua, befasi!

Po të mos e merrja vesh faktin për moshën e saj do ta pandehja një autore me stazh. Nuk më ka rënë herë tjetër të lexoj një strukturë të këtillë gjuhësore me plot nocione tekniko-teknologjike, tituj poezish me ndajfolje si sokratike, platonike e të tjera, si Errëdritë, Skajshmëri duke i disiplinuar dhe shtruar e nënshtruar rimit poetik në këtë shkallë.

Më mbeti në kujtesë një alternativë:

“Po ta prishën/
Gjithë ç’ndërtove/
I dashur/
Ndërtoje prapë/

Dëshmo kush je” (Nëse), që më nxit shoqërime idesh me maksimën volteriane “Kopshtin duhet punuar, duhet ripunuar”.
A nuk është vetë jeta një përballje e përditshme që kërkon aktdëshmimin e gjëllimit? Hap i guximshëm dhe kurajoz.

E dyta, ky vëllim poetik thyen në mënyrë të vrazhdë uniformitetin. Duket sikur as në aspektin formal, as në përbërësit e regjistrat e tjerë semantikë e estetikë nuk përsërit gjë prej gjëje. Siç vjen i veçantë motivi i një lirike, po ashtu në mënyrë të veçantë mbarështrohet. Dhe, kjo pra, Marigona, ma solli ndër mend se njëherë e një kohë shkruhej poezia nogmë, formula proverbiale, një urtësi e kondensuar në dy a tri vargje, si këtu:

“A di kush ta duajë bardhësinë e të bardhës/
A di kush ta ruajë ngrohtësinë e etheve të dashurisë/
Vetëm unë dhe ti ti dhe unë vetë Prishtinë”.
(Antitezë, f. 43).

Në rreshtin e dytë, folja duajë (në vend dojë) vjen duke shkelur normën gjuhësore. Mendoni se nuk e dinte autorja? Assesi. Ajo ngulmon në idiomin e saj për t’ia pranëvënë trajtës tjetër, ta ruajë! Një goxha guxim e dije për një autore që s’ka veçse dy dekada e gjysmë jetë.

Një tjetër poezi që më mban peng është poezia “Fola me lulet”. Nga dhjetë vargje sa ka ajo po jua jap vetëm vargun e parë dhe dy të fundit:

/Kam dashur të flas me lulet…/ dhe
/Sa bukur më ndodhi sot/
Fola me lulet/.

E thotë këtë Marigona, po mua ma kujton lirikun e Odesës, Jurij Olesha që thoshte se është e pamundur të mos flasësh me lulet në kopsht, kur u bien rrezet e diellit pas shiut. Në mos qofsha i gabuar, e marr me betim që Marigona as dëgjuar e ka emrin e Oleshës.

E treta, Unë do t’jua lexoj një poezi sipas zgjedhjes sime. E dini pse? S’e di as unë, por e di se çfarëdo që të them nuk më mbush më shumë se vetë ajo. E keni në faqen 63, Babai mes rreshtash/Ku fshihet e drejta/Kërkoja mes rreshtash gjëegjëzën e babait/Edhe sot sesi më duket e paqartë/Në një rrjetë merimangash e liria në kurth/Ai fliste për Kosovën për bjeshkën rrafshin/Kilometrat përmasash arnautësh në harrim/Vonë shumë vonë gjëegjëza u zbardh/Me hapat e mi të ngadaltë/Sytë e tij bojëqielli flasin qetë për një jetë/Ku nuk fshihet më e padrejta katërta, nuk më vjen as keq as zor ta them: ky libër më trondit, kjo autore më trondit. Dhe ju them se Marigona o nuk do të shkruajë më kurrë, o do të ngjitet shumë lart!

Uroj për këtë të dytën, në mos e vraftë xhelozia dhe smira e jonë.
______________
Prishtinë, 2018

Dërgoi për publikim, Milazim Kadriu, gazetar

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.