Enver Hoxha – një djalë ilegal i Çerçiz Topullit (?!)

0
1027
Çerçiz Topulli - Enver Hoxha

Pirro Prifti

Historia e jetës së një prej udhëheqësve më karizmatikë dhe të ashpër të Shqipërisë, që drejtoi Shqipërinë me dorë të hekurt, Enver Hoxha, egoizmi i madh i tij, kulti i personalitetit, dëshira për të vrarë kundërshtarët e mundshëm apo hipotetikë, paranoja e tij ndaj analizave të realitetit ku jetonte, nuk mund të mos shkojë pa u vënë re nga psikologët dhe psikanalistët, se përse ky njeri i bukur, i gjatë, i shkolluar për atë kohë, njohës i gjuhës frënge, intelektual, të kishte një jetë kaq të ngatërruar dhe dramatike deri në momënetin që vdiq?

Përse këta njerëz të bukur fizikisht, me zë të ëmbël dhe imponues, që mund të ishte bërë fare mirë një artist filmash, qoftë edhe në Hollivud, arriti të kapte majat e drejtimit të shtetit të vogël shqiptar dhe ta mbante me dhunë dhe egërsi të paparë për 45 vjet rresht? Normalisht nuk mundet që një intelektual qytetar i arsimuar të jetë vrasës dhe i egër dhe arrogant në familje dhe jetë. Mund të jetë i korruptuar por jo vrasës. Ky paradoks me sa duket e ka origjinën në jetën e tij familjare që kur lindi. Mesa duket drama e tij më e madhe ishte, kur jati e bëri lanet duke i mohuar atësinë. Ky moment ishte trigeri ndryshimit të sjelljes së Enverit, i cili u rrit pa dashurinë e njërit nga prindërit. Momenti tjetër është thashethemet që u përhapën nga kjo ngjarje. Populli i Gjirakstres u shokua kur mori vesh se në familjen Hoxha njëri djalë nuk ishte i babait të tij por i një tjetri.

Këtu e ka zanafillën 1908 dhe zhurma e thashethemt si dhe kënga e vrasjes së Bimbashit, konkurentit të Anesë, i cili u vra nga i dashuri sekret i Anesë – Çerciz Topulli. Ngjashmëria e Çerçiz Topullit me Enver Hoxhën shihet nga ana fizike. Çerçiz Topulli, i gjatë, i pashëm i bukur, sy zi, trim, e aq i pëlqyer në Gjirokastër nga femrat si për nga fisi i vjetër ashtu dhe nga pasuria, ka pasur takime të fshehta me Anenë si me pretekstin për të marrë vesh si ka qenë puna me qejfliun Bimbash Halilin, takime të miratuara në fillim edhe nga familja e Halil e Hysen Hoxhës, të cilët kërkonin një mbrojtës ndaj qejfliut plak Bimbashit të Gjirokastrës. Mbetet vetëm AND të konfirmojë një adultery të vjetër.

Enver Hoxha, kur u rrit e mori vesh se kush mund të ishte babai i tij biologjik, dhe ky ishte një Hero, gjë që i pëlqeu shumë, që kur ishte i vogël. Sidoqoftë qejfmbetja dhe urrejtja që i vlonte brenda për shkak të mohimit nga i ati, i vuri vulën karakterit të tij të pabesë dhe hakmarrës.

Pavarësisht anatemimit të figurës së Enver Hoxhës, udhëheqësit diktatorial shqiptar, pavarësisht ngritjes dhe uljes së figurës së tij gjatë këtyre 78 viteve të jetës së tij, që nga ngritja e tij si figurë politike pas 8 nëntorit 1941, pavarësisht nga gjykimi emocional dhe klientelist i figurës së tij, po nga brezi i cili jetoi e punoi bashkë me të, por dhe nga brezi që u rrit pasi ai vdiq, e që jeton dhe sot e kësaj dite, figura e tij do të ngelet një figurë historike, sa paradoksale dhe komplekse aq dhe figurë e urryer për shtresat e mundura, por dhe e dashur për shtresat që përfituan nga ai.

Dihet që ka akoma mister dhe enigmë në historinë e jetës së tij, sidomos se si është e mundur që një njeri nga një familje krejt e zakonshme të bëhet një udhëheqës e diktator. Nga historia kemi mundur të kuptojmë që gjithnjë kur e kërkon momenti, Zoti zgjedh dikë që të bëjë ndryshimin qoftë për mirë e qoftë për keq – për planin e pakuptueshëm të Zotit – rëndësi ka bërja e ndryshimit. Skënderbeu me një kod gjenetik të njohur (i njihej nëna e baba) u bë udhëheqës, Ali Tepelena dhe Karamahmut pasha me kod gjenetik të njohur u bënë udhëheqës, Zogu me një kod gjenetik të njohur u bë udhëheqës, Ismail Qemali me një kod gjenetik të njohur u bë udhëheqës, Alia me një kod të njohur u bë udhëheqës, Berisha e Nano me kode gjenetike të njohura u bënë udhëheqës, kurse Enveri me një kod gjenetik të pakuptuar deri më sot u bë udhëheqës. E themi këtë sepse Enveri megjithëse në një familje me nënë e babë, nuk u rrit nga babai por u bë lanet nga ai, dhe u rrit nga xhaxhai. Arsyet se përse ndodhi kjo dramë dhe skandal familjar në atë kohë, dhe përse Enveri u bë diktator dhe malinjë, do t’i shtjellojmë më poshtë.

Është shkruar shumë për ish diktatorin komunist për bëmat dhe gjëmat e tij, për të mirat e të ligat, për, për hairet dhe pahiret e tij, etj, etj, por në këtë shkrim do të pasqyrohet një mundësi reale e prejardhjes së tij gjenetike (pra për atësinë e tij), duke u mbështetur kryesisht tek ato të pohuara nga ai vetë në shkrimet e tij (ato që ka shkruar me dorën e tij dhe në ato që janë shkruar nga të tjerë nëpërmjet miratimit të tij). Dihet fare mirë se Enveri lindi më 16 tetor 1908 (dhe ka disa të dhëna, që data 16 tetor mund të mos jetë e sakta në vend të një date tjetër 1 ose 2 javë më përpara). Sipas bashkëkohësve të tij (Javer Hurshiti – prefekti i Shkodrës, dhe Mexhit Kokalari, i cili ka dhënë informacion për gjenealogjinë e Enver Hoxhës) por dhe sipas shkrimeve të tij, një nga personat më të dashur pas xhaxhait tij Hysen Hoxha (xhaxha Çeni), ishte Çerçiz Topulli (20 shtator 1880 – 15 korrik 1915), dhe në përgjithësi familja Topulli nga të cilët Enveri kishte miqësi me Skënder Topullin, por dhe nga të tjerë të rrallë respekt për Thoma Papapanon).

Historia e jetës së Enver Hoxhës është e ngërthyer në një pikë të çuditshme të historisë së Shqipërisë, e ndoshta këtë ngërthim vetë E. Hoxha ka arritur ta inokulojë indirekt në mendjet e shqiptarëve gjatë gjithë qëndrimit të tij si udhëheqës i vendit, duke e kaluar informacionin që ka dashur ta thotë haptas (por që ka pasur frikë ta thotë) me plot gojën e vet, por që e shpërndarë me marifet, duke na dhënë të kuptojmë se këtu diçka ka; është fjala për betejat e çetës së Çerçiz Topullit, për ngjarjen e vrasjes së Bimbashit, për transferimin e eshtrave të Çerçiz Topullit, dhe të Bajo Topullit, për vajtjen e herë pas hershme gati çdo përvjetor (në fakt çdo jubile) të datës së luftës së Mashkullores dhe të vrasjes së Bimbashit.

Një interesim misterioz, i habitshëm dhe plot zell i tij për familjen Topulli në përgjithësi dhe për Çerçiz Topullin në veçanti gjatë gjithë jetës së tij, që kur ishte i ri e deri sa vdiq më 1985, Enveri nuk e hoqi nga goja Çerçiz Topillin, sikur donte të thonte diçka tjetër më tepër, por që nuk e nxirrte dot misterin e fundit të historisë së jetës së tij nga goja sikur ta pengonte diçka (diçka që për Enverin ishte sa e bukur aq dhe imorale, sa për t’u lavdëruar aq edhe ilegale, sa heroike aq dhe tallëse, sa familjare aq dhe adulteri), fragment nga e cila po përpiqem ta plotësoj bazuar në disa fakte historike, të dhëna nga shkrimet e e tij, dhe disa hamendësime psikologjike, të bëra, bazuar në historinë e këtij njeriu, që sundoi Shqipërinë për 40 vite rresht, duke i shkaktuar popullit të tij brenga, hidhërime por dhe shpresë në fillimet e udhëheqjes së tij.

Konglomerati që ka qëndruar i pazgjidhur në historinë e jetës së Enver Hoxhës është misteri i pazbardhur i relacioneve të tij me familjen Topulli në përgjithësi dhe me Çerçiz Topullin në veçanti dhe përse Enveri nuk e hoqi nga goja këtë Hero të rilindjes dhe nuk mbajti në gojë ta zëmë, Çajupin, Naimin apo dhe bashkëkohësin dhe bashkëluftëtarin e Çerçiz Topullit – Mihal Gramenos (aq sa për një farë kohe çeta e Çerçiz Topillit quhej dhe çeta e Mihal Gramenos ose e të dyve së bashku: Çeta e Mihal Gramenos dhe Çerçiz Topullit.)

Mjaft interesant është fakti që kënga e kënduar për ngjarjen e vrasjes së Bimbashit, të cilin e ekzekutoi jo direkt Çerçiz Topulli por me dy ushtarët e tij: Hiton nga Kardhiqi dhe Hajredinin nga Tremishti, e jo Çerçiz Topulli me Iso Labnë (shqiptohet në këngë por duhet të jetë Hito Labnë) të cilët siç thotë kënga. Bimbashi, emri i të cilit ishte i njëjtë me emrin e babait të Enverit: Halil – Musa Efendiu, një boshnjak nga gjiriti (sipas Javer Hurshitit, i cili ka shkruar një libër me kujtime të botuara në vitin 1939, 14 shtator, në 4 fletore të trasha). Vetë Bimbashi u plagos rëndë dhe nuk vdiq në atentat menjëherë, por vdiq pas 48 orësh, megjithë kujdesin e doktor Tases, ditën e fundit të shkurtit e fillimit të Marsit 1908, ashtu si përmendet në këngë.

Pyetjet që shtrohen për të zgjidhur këtë enigmë janë:
– Pse Enver Hoxha njihte për baba xhaxhain e tij Hysen Hoxhën (dajë Çeni) dhe jo të atin, pra burrin e të ëmës Gjyle apo Anesë – Halilin?
– Përse nuk rrinte më me të atin, i cili kishte me sa duket neveri ndaj tij, njëlloj sikur të ishte i adaptuar apo kopil, e jo sikur të ishte djali i tij?

– Përse i ati Halil Hoxha e bëri lanet Enverin qysh të vogël?
– Çfarë drame kishte ndodhur në familjen e Enver Hoxhës midis Halil Hoxhës, i cili ishte Hoxhë i respektuar në Gjirokastër dhe gruas së tij Gjyle Hoxha, alias Aneja?

– Përse kjo grindje e rëndë (sepse dihet që mohimi i djalit në një familje të respektuar duhet të ketë shkaqe të forta si p.sh, shkaku më i zakonshëm dhe më i vërtetë – rasti që djali nuk është i babait (pra Halilit por i dikujt tjetër), u mbajt brenda përbrenda familjes? Mos ishte turpi që do të binte mbi këtë familje dalja në shesh, që Enveri nuk ishte djali i Halilit?

– Përse xhaxhai i tij u kujdes që familja e të vëllait të tij Halilit të mos prishej, dhe përse xhaxha Hyseni u kujdes për Enverin si të ishte djali i tij? Mos vallë Hyseni pasi e kishte marrë vesh skandalin, për të mos prishur familjen, për të ruajtur nderin e familjes dhe për të krijuar alibinë, që i vëllai i tij hoxhë Halili i ishte përkushtuar fesë e “s’kishte kohë të merrej me edukimin e djalit të tij”(?!), – por mori përsipër barrën e rëndë të mbylljes së këtij skandali, që po të merrej vesh do të ishte thagmë e madhe në Gjirokastrën e asaj kohe e me pasoja të paparashikuara?

– Përse nuk i ndodhi e njëjta gjë vëllait tjetër Beqiri, i cili ishte pranuar nga i ati Halil Hoxha, si bir i tij? Përse nuk u kujdes xhaxhai për Beqirin, por u kujdes vetëm për Enverin?
– Përse nuk ndodhi e njëjta gjë me të bijat, të cilat Halil Hoxha i pranoi si bijat e tij? Përse xhaxhai i tij Hyseni nuk u kujdes për to, por u kujdes vetëm për Enverin?

– Nëse pranohet kjo ngjarje si reale, atëherë kush ishte babai i vërtetë dhe i fshehtë i Enver Hoxhës? Bimbashi apo Çerçiz Topulli? Se Halili nuk ishte jo se jo.

– Përse Çerçiz Topulli e vrau Bimbashin? Për shkak se ai ishte uzurpator dhe i vënë nga turqit për të shtypur popullin? Apo për shkaqe personale? Sepse ai detyroi të fejuarën e Çerçiz Topullit, Qamon të pranonte vizitën e obstetrit për të vërtetuar, nëse ishte me barrë apo jo, e rrjedhimisht ta turpëronte Çerçizin para syve të popullit të Gjirokastrës si imoral? Apo sepse Çerçizi ishte rivali i Bimbashit (për Anenë e bukur – të ëmën natyrale të Enver Hoxhës) në dashuri? Kjo e fundit mund të jetë më e besueshme.

Apo sipas një supozimi të katërt, se për vrasjen e bimbashit, Çerçiz Topulli ka qene paguar nga daja i E. Hoxhës (baba Çeni). Arsyeja ishte për të vënë në vend “nderin” e Anese, të ëmës së Enverit, e cila ishte pak e përdalë dhe dilte “fshehtas” me bukuroshin boshnjak (pra rivaliteti ekzistonte). Sipas një bashkëkohësi, ky argument jepte faktin që bimbashi është vrarë në fund të shkurtit 1908 (“…doli Shkurti hyri Marsi, në Gjirokastër u vra bimbashi…) dhe Enveri ka lindur në tetor 1908. Bëni llogarinë, i bie afërsisht 9 muaj… Megjithëse duket si fantazi, një e vërtetë duhet të jetë në të?!

– Dhe së fundmi përse Enver Hoxha fliste me aq dashuri, ndjenjë dhe dhembshuri për Çerçiz Topullin dhe familjen e tij? Mos vallë e ndjente veten pjesë të asaj familjeje të nderuar dhe mos vallë në subkoshiencën e tij ndodhte fenomeni i kompensimit, fenomen i cili kishte zënë vend që në rininë e tij e që më vonë iu forcua (sepse ai e kuptoi shkakun pse babai i tij ligjor e kishte bërë lanet, se nuk ishte babai i tij i vërtetë, derisa e kishte braktisur atë brenda familjes dhe e kishte lënë në dorë të xhaxhait të tij): që babai real i tij duhej të ishte Çerçiz Topulli.

Kjo mund të konfirmohet me disa veprime të Enver Hoxhës ndër vite.

Së pari, me rastin e përvjetorit të Luftës së Mashkullores (kësaj ngjarjeje çuditërisht nuk i është kushtuar ndonjë këngë, ngjarje e cila pati ndikim direkt në nxitjen e luftës për pavarësi ndaj turqve), 18 mars 1934, në Gjirokastër u përurua busti i kryetrimit shqiptar, Çerciz Topullit, vepër e skulptorit Odise Paskali. Busti u financua prej atdhetarëve gjirokastritë e më gjerë, sepse shteti ktheu përgjigje negative për financimin e tij. Për këtë, Enveri mori bekimin e Thoma Papapanos, i cili i kishte thënë ashtu gjirokastritçe: “Të prehet, ku i ka rënuar koka”.

Së dyti, Enver Hoxha bashkë me një grup të përzgjedhur nga Gjirokastra vajti për të marrë trupin (eshtrat) e Çerçiz Topullit të vrarë me 15 korrik 1915, së bashku me Muço Qullin nga malazezët në Fushë të Shtojit. Grupi nga Gjirokastra në Shkodër mori pjesë në zhvarrimin e Çerciz Topullit me 14 shtator 1936 dhe pas një fjalimi, ku foli vetë Enver Hoxha – më i riu, dhe ndoshta nuk i takonte të flistë para Kryetarit të Bashkisë së atëhershme të Shkodrës (që ishte me origjinë abhaze, por lindur e rritur në Shkodër) i cili u kujtoi pjesëmarrësve trimrëritë e Heroit Çerçiz Topulli dhe kontributin e tij në pavarësinë e Shqipërisë dhe në pjesmarrjen në Kongresin e Manastirit.

Fjala e Enver Hoxhës (sipas tij: në emër të grupit iniciator dhe në emër të popullit të Gjirokastrës) në këtë lamtumirë përcjellëse përkujtimore në Shkodër (megjithëse ai nuk ishte zyrtarisht i deleguar në atë delegacion nga Bashkia e Gjirokastrës – por duket se sa për zëmër e ka pasur Çerçiz Topullin, të cilin me zemër e ka pranuar si atin e tij gjenetik, derisa ka bërë atë marrëzi dhe ka pasur atë guxim, të futej në delegacion pa leje zyrtare dhe për më tepër të fliste në mbledhjen përkujtimore) – nuk është në arkiva. Ri-varrimi i eshtrave të Çerçiz Topullit u bë në Gjirokasër më 27 nëntor 1936, në të cilin përsëri foli me mall Enver Hoxha 28 vjeçar.

Së treti, një ri-varrim tjetër i Çerciz Topullit aq të dashur për Enver Hoxhën u bë në 1945 tek varrezat e dëshmorëve në Gjirokastër, në të cilin mori pjesë përsëri Enver Hoxha, i cili ngriti lart kontributin e tij.

Së katërti, gjithashut edhe në vitin 1970 ri-varrosja e Çerçiz Topulli u bë po në kodrat e Gjirokastrës, kësaj here bashkë me eshtrat e Bajo Topullit dhe Pandeli Sotirit të shoqëruar me një memorial.

Së pesti, kujtoni përkëdheljen dhe ledhatimin e Enver Hoxhës në 1982 bustit të Çerçiz Topullit me duart e tij të plakura, e që i dridheshin, ndërsa preknin lehtas e plot dashuri Çerçiz Topullin e ngurtësuar në bust, para gjithë popullit shqiptar të mbetur pa fjalë para atij spektakli – çdokush atëherë (por për fat të keq mund të bëhet sot kjo pyetje, se atëherë ishim budallallepsur nga spektaklet e djallëzore të tij), përse këto super nderime një heroi fare të zakonshëm, e jo ndonjë heroi tjetër, qoftë dhe Mihal Gramenos së shkretë, i cili nëpërmjet shkrimeve e tregimeve të tij, e përjetësoi bashkëluftëtarin e çetës së tij, Çerçiz Topullin, apo p.sh., Faik Konicën, ose Bajo Topullin, apo Naim, Sami, Abdyl Frashërin, ose A. Z. Çajupin, ose vetë Ismail Qemalin, Kryeministrin e parë të Shqipërisë së pavarur? Përse?

Së gjashti, Çerçiz Topulli u nderua përsëri me urdhër të Enver Hoxhës menjëherë sa erdhi në pushtet (dhe me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor) “Hero i Popullit” me 3 tetor 1947. Interesant është fakti se Ahmet Zogu nuk i dha ndonjë titull Çerçiz Topullit, megjithëse Familja Topulli ishte një familje e fisme dhe e pasur gjirokastrite, ku Bajo Topulli njihej më shumë se Çerçizi.

Pra, nuk është e rastit që Enveri gjatë gjithë jetës së tij nuk pushoi së foluri për Çerçizin, duke i veshur atij heroi të rilindjes edhe trimëri e bëma, që ai nuk kishte realizuar dot (kujtoni që çeta e Çerçiz Topullit me tetë deri në 20 vetë në rastin më të mirë, sipas Mihal Gramenos, nuk kishte bërë më shumë për Shqipërinë, sesa ta zëmë çeta e Safet Butkës, që arriti në kohën e rrethimit të Korçës deri në 2000 vetë, apo çeta – ushtri e Ded Gjo Lulit, që në luftën kryesore kundër malazezëve arriti deri në 20 mijë burra nën armë), e përse ky përqendrim interesimi i një udhëheqësi qoftë ai komunist si Enveri, për një hero rilindas njëlloj si gjithë të tjerët – të arrijë ta mbivlerësojë e ta përdorë emrin e tij, sikur Çerçizi të ishte çlirimtari i Shqipërisë, në një kohë kur as ai dhe as i vëllai Bajo Topulli (shumë më i arsimuar se Çerçizi, drejtor i shkollës së Manastirit, mik e një nga drejtuesit e Kongresit të Manastirit, së bashku me at Gjergj Fishtën) nuk u pranua në qeverinë e Ismail Qemalit dhe nuk morën pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë? Përse ky mbivlerësim?

Jeta dhe fati i këtij drejuesi të bukur, të zgjuar por i ashpër dhe mizor shqiptar, aq sa mund të thuash se kishte kaplyer shejtanin në bark, provojnë se konfliktet e rënda familjare lënë gjurmë shumë negative tek fëmija, i cili rritet më vonë me një urrejtje patologjike ndaj të gjithëve dhe kundër të gjithëve. Urrejtja nga mohimi i të atit shkaktoi gjithë këtë zallamahi në Shqipëri, pavarësisht gjetjes së atit të tij genetik, të cilin e respektoi sa ishte gjallë, urrejtja kundër të gjithë nuk u zbut deri në vdekjen e tij, me 11 prill 1985.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.