ËSHTË E KONTESTUESHME ÇËSHTJA SE A ËSHTË EAGARI BABAI I ORFEUT

0
560
Eagari - Orfeu

(Mitologji)

Shkruan Zymer MEHANI

Orfeu ka qenë aq artist i madh, sa që babai i tij, sipas mendimit të autorëve antikë, është dashur të jetë vetëm Apolloni. Kush ka qenë i ati i tij, ka ditur vetëm e ëma e tij, muza Kaliopa. Vëllai i Orfeut (dhe mësuesi) kinëse ishte Lini, këngëtar dhe muzikant. Mirëpo, si nënë e tij më së shpeshti përmendet muza Urania, ndërsa i ati i tij, zoti Apollon.

ORFEU (greq. Orfeus, lat. Orfeus)- i biri i zotit Apollon ose i Eagarit, zotit të ujit dhe muzës Kaliopa, këngëtari dhe muzikanti më i madh i miteve greke.

Ka qenë artist i mrekullueshëm: kur tingëllonte lira e tij dhe këndonte ai, bishat vinin tek ai nga pyjet, shpendët zbritnin, lisat dhe shkëmbinjtë lëviznin që të jenë sa më afër-ujku rrinte pranë qengjit dhe i emocionuar e dëgjonte, plepi i egër nuk e lëvizte asnjë gjeth,, madje as platani gjembplot[ nuk e lëshonte hijen në lulën e fushës- në natyrë zotëronte harmonia dhe paqja e përsosur.

Njësoj sikurse me artin e vet Orfeu u bë i famshëm me dashurinë ndaj gruas së re, Euridikës. Mirëpo, fati nuk ishte në anën e tij që me të të jetojë në lumturi. Duke mbledhur lule Euridika shkeli gjarprin helmues dhe, kur Orfeu vrapoi, pasi që e dëgjoi britmën e saj, ajo tanimë ishte e vdekur. E kaploi pikëllimi i thellë që u shndërrua në dëshpërim dhe pastaj në një vendim që ta kryejë veprën për të cilën asnjëri prej vdekatarëve nuk ka pasur guxim: vendosi që të shkojë në botën nëntokësore dhe ta kërkojë gruan e vet prej Hadit, zotit të zymtë.

Me mrekullitë e muzikës së vet Orfeu e zbuti zemrën e Karonit plak dhe ai, në anijen e vet, e çon përtej Stiksit, lumë në botën nëntokësore. Atëherë, Orfeu u gjet para Hadit dhe gruas së tij, Perzefonës. Pasi para tyre e këndoi këngën për dashurinë e vet ndaj Euridikës, i luti që t’ia kthejnë në emër të dashurisë së vet: prej tyre nuk kërkon kurrfarë dhurate, por vetëm huanë e thjeshtë, për arsye se edhe ashtu sërish do ta fitojnë mbrapa, kur do ta kryejë jetën e vet tokësore. Dhe poqese nuk do t’ia japin, i luti për hirin tjetër: le ta marrin atë në perandorinë e tyre, ku do të mund të jetojë pranë hijes së saj.

Kënga e orfeut e ka tronditur tërë botën nëntokësore: Tantali harroi etjen dhe urinë e vet, Sizifi e ndali rrotullimin e gurit të vet, rrota e Iksionit u ndal, për më tepër edhe në sytë e Erinieve të pamëshirshme xixëlluan lotët.Kur Hadi pa se edhe Perzefona, gruaja e tij ia plasi vajit, premtoi se do t’ia plotësojë lutjen vetëm me një kusht: kur zoti Hermes do ta çojë prapa nga perandoria nëntokësore do të shkojë pas tij rrugëve e rrugicave dhe se nuk do ta shikojë Euridikën, e cila do të ecë mbrapa derisa të mos arrijnë në botën e sipërme.

Oefeu i entuziazmuar, e pranoi kushtin e Hadit dhe, gjatë tërë rrugës së gjatë dhe të mundimshme, e përmbante veten. Mu para hyrjes në greminën e Tainarit, pas së cilës tanimë shtrihej perandoria e të gjallëve, Orfeun e tradhtuan nervat. E ktheu kokën kah Euridika mos, vallë, ka bredhur ose është molisur nga uria: por atëherë e pa vetëm hijen, e cila zhdukej në largësi. Kështu e shkaktoi vdekjen e saj të dytë.

Më kot përpiqej Orfeu të shkoi në perandorinë e të vdekurve. Karoni i pamëshirshëm nuk donte më ta dërgojë në bregun tjetër të Stiksit dhe vajtonte, lutte dhe qante, por e tërë kjo ishte e kotë. Në pendimin e thellë u kthye pastaj brigjeve të lumit Hebra në Trakinë e vet, ku edhe u lind.

Me Euridikën Orfeu ndeshet pas katër vjetëve, kur qe i detyruar që të përfundojë jetën e vet të mundimshme. U vra nga duart e grave trakase, të cilat e akuzonin për arsye se u ikte grave. Njëherë, me rastin e kremteve të Bakkhut, e panë në lendinë nën shkëmbinjtë e Rodopeve dhe të dehura filluan të hudhin gurë në të. Të tërbuara, që gurët, të prekur nga kënga e Orfeut, ndaleshin në hapësirë, u hodhën në të si tufë shpendësh rrëmbyes , e shkyen dhe kokën e lirën e tij e hodhën në dallgët e Hebrit. E tërë natyra u rrëqeth nga ky krim dhe u mbështoll në pikëllim. Madje dhe shkëmbinjtë ia plasën vajit dhe nga lotët e tyre u rritën lumenjtë. Dhe kur afrohej përvjetori i vdekjes së Orfeut, natyra sërish pikëllohej-por më së shumti qajnë shkëmbinjtë e Rodopeve dhe lotët e tyre sot e kësaj dite derdhen në lumin Hebros (Marica).

Tregimi i prekshëm për dashurinë dhe vdekjen e tij tragjike që nga kohërat më të lashta i ka tërhequr artistët e të gjitha degëve të artit. Lexuesit të sotëm Orfeun ia kanë afruar me përpunimin e fatit të tij Virgjili (në “Georgikat”), Ovidi (në “Metamorfozat”). Pamjet nga ky mit janë ruajtur nga antika në mëse 60 piktura në vaza. Mëse 40 e paraqesin “Orfeun që e sulmonin gratë trakase”, dymbëdhjetë “Orfeun që këndon” (më e vjetra, me siguri nga fillimi i shek.IV para erës sonë (dhe sot gjendet në Villa Gjulia në Romë), pesë “Orfeu në nëntokë”. Prej relieveve antike më i njohuri është “Hermesi, Orfeu dhe Euridika”i Alkmeonit rreth vitit 420 p.e.s., i cili e stoliste eterin e zotërove olimpikë në Agorën e athinasve.

Mirëpo, sot e dimë vetëm nga kopja romake (dhe gjendet në Muzeun Popullor në Napoli dhe Villa Albana në Romë). Orfeu ka qenë aq i dashur saqë piktura me pamjen e tij gjendet madje dhe në katakombet e krishtera, p.sh., piktura murale “Krishti orfeu me bishët” në katakomben romake të Domitilianit, nga mbarimi i shek.III p.e.s. në Muzeun Popullor në Palermo), pastaj “Orfeu në mesin e bishave”, nga fshati Gllamnik afër Podujevës (Vindenisi antik) nga shek.II-II të erës sonë, në mesin e tyre edh ekzemplarët nga antika tejet e vonë (p.sh., “Orfeu në mesin e bishave” nga shek.VI i erës sonë nga Jerusalemi, që sot gjendet në Muzeun Arkeologjik në Stamboll), pastaj “Orfeu i cili i bie lirës”, i zbuluar në qytetin antik Pafos në Qipro, nga koha romake.

Nga veprat e piktorëve të kohës së re të frymëzuar me mitin për Orfeun më të njohurat janë “Orfeu dhe Euridika” e Nicolas Poussinit, “Instrumenti i Orfeut”i R. Saveryut (nga fillimi i shek.XVII, sot gjendet në Galerinë Kombëtare në Pragë), “Orfeu e merr Euridikën” e Anselm Feuerbachut, për nga koha 1867, “Dëshpërimi i Orfeut” dhe piktura të tjera me motive orfeike të Jozef Shimës, në të shumtën sot në koleksionet e Parisit. Prej veprave skulpturale po i përmendim “Orfeun” e Anton Kanovës, rreth vitit 1800, sot gjendet në Ermitazhin e Leningradit, “Orfeun e madh prej bronze” dhe Orfeun me Euridikën të Ogyst Rodenit, dhe gjendet në Muzeun e Rodinit dhe në Muzeun Metropolitan në Nju Jork. Në mesin e më të rinjve prej tyre është “Orfeu” i Osip Zadkinit, (nga viti 1948, sot gjendet në Muzeun e Artit modern në PARIS).

Popullaritetin më të madh, kuptohet, Orfeu e ka gëzuar dhe e gëzon në mesin e mjeshtërve të muzikës serioze, ashtu edhe asaj të lehtë. Operën “Orfeu” e kompozoi, në vitin 1607 Klaudio Monteverdi. Kristof Vilibald Gluka e krijoi më 1762 “Orfeun dhe Euridikën”, njërën nga veprat më të mëdha të krijimtarisë operistike botërore. Fanc Listi e kompozoi “Orfeun”, këngën simfonike, 1854. Më se 100 vjet jeton në skenë “Orfeu në botën nëntokësore” opereta klasike Zhak Ofenbahut e vitit 1858. Në mesin e veprave më të reja që e përpunojnë këtë temë është “Orfeu”, balet i Igor Stravinskit, 1947, pastaj “Orfeu dhe Rodopa”, poemë simfonike e Cvetan Cvetanovit dhe “Koncerti i Orfeut” i Pjer Ferandit, në vitin 1953.

Orfeut i kthehen në mënyrë të pareshtur edhe poetët dhe dramaturgët, duke filluar prej Angjelo Ambrogjinit, në shek. XV (“Tregimi për Orfeun” që është drama e parë italiane me tematikë laike) e deri te Rainer Maria Rilke (“Sonetët për Orfeun”, 1923) dhe i Zhan Kokto, drama “Orfeu”, 1924, që assesi nuk është e fundit2.

LITERATURA:
Vojtech Zamarovsky “Heronjtë e miteve antike”, Rilindja, Prishtinë, 1985.

Shënime:
1. Vojtech Zamarovsky “Heronjtë e miteve antike”, Rilindja, Prishtinë, 1985, f.118.
2. Po aty, f. 377, 378, 379, 380.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.