FATMIR GJESTILA, NA FTOI PËR ROMANIN E RI, “ZEMËRIMI I ARIUT”…

0
4212
Prof. Murat Gecaj, 4 tetor 2017

Nga: Prof. Murat Gecaj

1.

Megjithëse pasditja në kryeqytet ishte me shira dhe pak ftoftë, diçka jo e zakonshme kjo gjë për fundprillin, drejt “Teatrit të Fëmijëve” dje shkuan mjaft të ftuar, nga arsimtari dhe shkrimtari i njohur, Fatmir Gjestila. Ndërmjet tyre, kishte shkrimtarë e poetë, punonjës të artit e kulturës, prindër dhe të tjerë. Por kishte dhe mësues e nxënës, sidomos nga shkolla 9-vjeçare “Azem Hajdari”. Së bashkë, ata morën pjesë në përurimin e romanit të ri për fëmijë, me titullin grishës, “Zemërimi i ariut”, pajisur me ilustrime të bukura nga Maringlen Gjestila.

Të parin folës, në këtë festë të librit, dëshiroj të përmendi nxënësen e klasës së 8-të të asaj shkolle, Arbjona Frahollin. Ajo iu drejtua auditorit, si një e rritur dhe me fjalë të shkoqura: “Unë e kam lexuar në dorëshkrim këtë roman dhe më ka pëlqyer shumë. Prandaj, u them edhe juve që ta lexoni, se do t’u dalin fjalët e mia!…”. Sigurisht, ajo u duatrokit dhe mendimi i saj përputhej edhe me diskutantët, si para e pas saj.

Këtë tubim e hapi kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, Pandeli Koçi (i njohur dhe Sazan Goliku).Ai theksoi ecurinë krijuese në rritje dhe vlerat kryesore të këtij romani të ri të F.Gjestilës. Pas tij, e mori fjalën redaktori i librit, prof.Astrit Bishqemi. Ai e vlerësoi këtë roman të suksesshëm për autorin, i cili përmbledhurazi edukon te fëmijët, por dhe prindërit e tyre, virtyte të larta morale, ndershmrinë e guximin, maturinë e sjelljen e kulturuar dhe edukatën e shëndoshë. Po kështu, libri e tërherq lexuesin me befasitë e tij artistike, gjuhën e pasur e të rrjedhëshme, evidentimin e toponimeve të krahinës, ku veprojnë personazhet kryesorë, si Bora etj.

Studiuesi i njohur Behar Gjoka tha se edhe ky roman i ri është një sprovë tjetër, që dëshmon se letërsia për fëmijët e të rinjtë po lëvizë e sigurtë përpara. Ndër vlerat e tij, nënvizoi se ai zgjon fantazinë e lexuesit, rrëfimi është i këndshëm, dialogu i zhdërvjelltë dhe gjuha e personazheve e pasur. Me interes u dëgjuan nga të pranishmit në përurim edhe mendimet profesionale të shprehura nga shkrimtarët e studiuesit e letërsisë, Vasil Premçi, Riza Braholli e Qazim Muska.

Siç është bërë praktikë e njohur, në fund, autori Fatmir Gjestila i përshëndeti dhe i falëndëroi, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari mbresëlënëse. Pastaj, të gjithë së bashku, i vazhduan diskutimet dhe bënë fotografi për kujtim, në koktejin e shtruar, me këtë rast.

2.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve nuk do ta bëj “jetëshkrimin” e autorit Fatmir Gjëstila. Por, ashtu siç u theksua edhe gjatë përurimit, për të cilin folëm më lart, tashmë, ai është bërë i njohur, si në botimet për fëmijët e të rinjtë, por dhe për të rriturit. Ata janë afër botës fëminore dhe i ftojnë lexuesit për t’i patur në bibliotekat e tyre dhe për t’i lexuar me dëshirë.

Gjithësej, ai ka botuar 13 libra për të vegjëlit dhe titujt e tyre janë të bukur e domethënës: “”Lumi i zanave”, “E bukura e liqenit”, “Nori dhe matematika”, “Vallja e numrave”, “Miqtë e Hënës”, “Arta, kukulla ime”, “Lule dhe nektar”, “Udhëtoj”, “S’të fal, drejtor ujku”, “Aventurat në pyllin me pisha”, “E fshehta e kështjellës së zezë” dhe tani, “Zemërimi i ariut”.

Për të rriturit, ky autor ka botuar shtatë libra. Po i përmendim ata, pa u ndalur në përmbajtjen e tyre: “Edhe të qeshim”, “Mos ma vrisni dashurinë!”, “Një jetë për flamur”, “Përtej ëndrrës”, “Ku del shqipja e flet me gurin”, “Miku i të gjithëve” dhe “Një shtëpi me emër”.

…E urojmë dhe e përgëzojmë përzemërisht autorin e këtyre librave, sasiorë, por dhe cilësorë, mësuesin dhe edukatorin Fatmir Gjestila, duke shpresuar e besuar që, me botime tjera të reja, ai do të shënojë lartësi më të pëlqyera, si nga lexuesit e vegjël dhe të rritur!

Tiranë, 26 prill 2016

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.