FJALA –  QENËSI NË POEZINË E AZEM SHKRELIT

0
36
Sabahajdin Cena

Sabahajdin Cena

“Mos e ndy fjalën, biro, se pastaj
Kot e ke t’falesh para lterit të saj!”

Krijuesi ynë i madh, dhe një emër tashmë i njohur në fushën e krijimtarisë letrare, Azem Shkreli, mbi të cilin hetoheshin dhe sot hetohen ndikimet dhe përkimet me poezinë e Martin Camajt,  me fjalën e folur dhe të shkruar, ka raport kulti ndaj fjalës,  dhe me po  këtë raport  e vendos edhe  në panteonin e kulteve tona fjalën poetike, krahas me gurin, me ujin, me drurin me zjarrin, me  mikun, me  pushkën, me varrin, me atin, me vatrën e penatëve e me  kulte të tjera.

Me këtë krijim të parë të zanafillës së njeriut, pra, me fjalën, ky poet shtegton deri në frymën e fundit; edhe kur hesht, edhe kur shkruan, edhe kur dërgon mesazhe si në “Biblën e heshtjes”, ose kur dëgjon “Këngën e hutinit” edhe kur nxirrte fjalë prej cikojve e cikalëve të alpeve, pra edhe kur e dinte një fjalë prej guri. Pra, është fjala e thënë dhe e pathënë, fjala dhe heshtja, fjala dhe shkëmbi, “çile gur gojën!”

Temën bosht të këtij takimi, e shohim si përpjekje që ta trajtojmë krijimtarinë letrare të poetit që hapi shtegun me “Bulzat” e pastaj i takoi “Engjëjt e rrugëve” për t’u përfytur me “Karvanin e bardhë” duke zbuluar “Fosilet” e kundruar mbi “Varrin e qyqeve” dhe përherë i gurtë dhe i fortë  si shkëmb graniti me një fjalë prej guri, me porosinë e shquar të kësaj përmbledhjeje që është porosi e famshme dhe lajtmotiv pothuajse në tërë krijimtarinë letrare  të Azem Shkrelit.

Fjala, si lëndë e parë e krijimit dhe e ekzistencës njerëzore dhe poetike, është diçka e shenjtë, është kult prandaj edhe gjendet nën pushtetin e tabusë duke ruajtur fuqinë magjike; pra është ajo që mund të të kënaqë, por edhe të të gjymtojë e të lë shkatërrojë, sipas formulës së tabusë: “Mos e bëj këtë e këtë se do të të ndodhë kjo e kjo!” dhe “Bëjë këtë e këtë, që të të ndodhë kjo e kjo!” siç e pati formuluar etnologu dhe kulturologu Theodor Frajzer në “Degën e artë”.

Së këndejmi, duke e matur mirë  e mirë fjalën, krijuesi ynë përherë është edhe më i matur dhe më  gjakftohtë, nuk e ha fjalën e gatshme, por e përtyp shumë herë sipas poetikës së gnomës “Tri herë mendo, e një herë fol!”

“Nuk di,
A unë rri shtrembër,
A bota shtrembër më rri?!”

Së këndejmi del se për Azem Shkrelin, poezia është gjithçka dhe  është jetë, prandaj edhe fjala e vendosur në një strukturë të tekstit e në një sistem të caktuar poetik, bëhet pjesë e jetës dhe del si refleksion i anës së brendshme të unit krijues e të unit të marrësve të mesazhit poetik.

Pra, “Fjalën mos e ndy!” ajo është nën tabu prandaj nderimi të sjellë dobi, ndërsa shkelja  e tabusë të çon në theqafje: “Azem Shkreli është poet i ideve dhe i gjykimit, poet i cili sintetizon në mënyrë harmonike urtësinë dhe mençurinë popullore me reflekset dhe gjykimet intelektuale”[1] dhe se “Poezia e Azem Shkrelit nuk shkëlqen nga fjala e vetmuar, ajo shkëlqen nga dinamika e kombinimeve, nga shkathtësia e lidhjeve të panatyrshme, nga përmbysjet e kuptimeve, shmangiet stilistike dhe kontekstualizmet individuale”[2].

Pra, fjala mbetet kult dhe simbol i kultit, po poeti? – Poeti del një luftëtar i denjë që për armë ka vetëm fjalën duke na kujtuar sentencën latine “Sa plagos arma, plagos edhe fjala”, ku vargu është shpirt i poetit, varri trupi i tij, e vdekja del me një parafrazë apo parafrazim me eufemizëm “Një darkë për nënën tokë!”

Aplituta e kultit të fjalës në vargjet e Azem Shkrelit lëviz prej “E di një fjalë prej guri” e deri te heshtja në përmbledhjen “Nga bibla e heshtjes” dhe e këtillë i del fjala me një “daltë-fjalë” në dorë si daltën, e në gojë si mjaltin, edhe kur i këndon idolit të tij “Martin Camajt, sepse fjala e zgjon edhe njeriun nga gjumi, por edhe të vdekurin nga varri:

“A e din, djalë, shka m’ki pas thonë?!”,

e kundërta e saj, pra heshtja, në frymën e poezisë gojore sajon binomin homeopatik, apotropeik dhe profilaktik: “Dy veta e prishin muhabetin në odë. Njoni osht’ aj qi nuk din send dhe flet, e tjetri osht’ aj që din shum’ e hesht!” Këtë maksimë të njohur nga Anton Çetta e pati mësuar mirë Azem Shkreli edhe  prej të parëve rugovasë, prandaj edhe e nderon fjalën, e kursen atë, i frikësohet fjalës së dhënë; ajo është e shenjtë, ndriçon errësirën, është gur i kështjellave të veçanta dhe armë që në çdo çast mund ta vrasë kundërshtarin.

Pra, fjala në poezinë e Azem Shkrelit del krijesë shpirtërore: “Me këtë kult, poeti përpiqet t’i zëvendësojë kultet ekzistuese të cilët me kohë e kanë humbur kuptimin e tyre duke u kthyer në qëllim për vete, duke u tjetërsuar nga ai që i ka krijuar, nga njeriu”[3]. Pra, edhe kulti i fjalës do të ishte kulti i parë dhe i fundit në botën njerëzore, apo do të ishte kulti mbi kultet[4], “i vetmi mbi të cilin do të duhej të betohej njeriu:

“Ve dorën dhe betohem
Në kokë të fjalës e në gur”[5].
Apo:
“E tash, vëne dorën në zemër dhe
Pyete vetën:
A ka vdekje më të mirë se
Me vdekë për liri?!

siç shkruante me dorë në zemër edhe Fahredin Gunga që në “Pëshpëritjet e mëngjesit” nuk u largohej shumë besimeve për fjalën dhe mbrojtjen e saj pasi që është kult dhe i nënshtrohet rregullave të tabusë.

Sipas vargjeve të Azem Shkrelit, fjala, sikurse edhe kultet e tjera, është pjesë e panteonit dhe ka altarin e vet. Përpjekjet e poetit shkojnë në drejtimin e kërkesës së mundësive për t’i gjunjëzuar të gjitha refleksionet e përkohshme e krahas tyre edhe të gjitha lajthitjet:

“Në hiret e tij,
E di mirë, e di.
M’tallin dhe lajthime që ndoshta s’i zura.
Po të kishte kohë
Edhe ndonjë trohë
Para lterit t’ fjalës n’ dy gjunjët i vura”[6].

Pra, si shenjtëri dhe vend i shenjtërisë, altari i kultit, sikurse edhe të gjitha vendet e shenjta, vende kulti, duhet të jetë i papërlyer, i pandyrë, i mirëmbajtur dhe shumë i pastër, prandaj edhe imperativi i Shkrelit del se fjalëve e frazave përherë duhet shkundur pluhurin, e nëse jo atëherë poeti gjendet para çështjes hamletiane; në një pozicion të këtillë mbetet edhe Azem Shkreli:

“Nuk po e di, për zotin, për kokë të fjalës,
Të mbytem në det a të Bajramcurrem në male.”[7]

Në poezinë e Azem Shkrelit fjala dhe gjuha janë objekte të estetikës, madje jo vetëm fjala, por çdo njësi e saj duke u nisur prej tingullit e rrokjes e deri te fjala e togfjalëshi, si njësitë e vargut që këtu nuk janë më në funksione leksikore, por estetike.

Edhe vetë fjala sajon hallkat e fjalëve çelës të vargut shkrelian, por edhe në prozë ku fjala oscilon ndërmjet të thënës dhe të pathënës, pra heshtjes dhe fjalës së ndikuar nga “Bibla”: fjala është e parë dhe krijimtari e parë, prandaj e këtillë edhe mbetet duke i paraprirë ose duke e shoqëruar botën e vërtetë, sepse edhe transmetimi i çdo besimi njerëzor bëhet përmes fjalës, prandaj edhe në vargjet e Azem Shkrelit, fjala është e parë dhe e fundit, ndërlidhet me lindjen, me  jetën dhe me vdekjen; për fjalën e dhënë, fjalën e pranuar dhe fjalën e bërë si në krijimet e fazës së parë, “Bulzat” dhe “Engjujtë e rrugëve”, si në fazën e dytë “E di një fjalë prej guri” dhe “Nga bibla e heshtjes” ashtu edhe në fazën e tretë që njëherit është edhe fazë më e gjatë e opusit shkrelian, kulti i fjalës është lajtmotiv i të gjitha rrafsheve shprehëse kuptimore.

Edhe në vjershën “Grevë” që është pjesë e biblës së heshtjes, e filozofisë së heshtjes, e stoicizmit të formuar e të kalitur nëpër shekuj e shkrepa, Shkreli është i ngjizur me fjalën, por këtu me fjalën të cilën nuk e thotë, pra me të pathënën:

“Më kot i rrah
Muret e heshtjes sime
Duhe e fjalës që s’them.”[8]

Në këto pjesë të poezisë fjala është e rrethuar, është e fortifikuar ndërmjet katër mureve, që simbolizojnë heshtjen. Mirëpo, poeti i kundërvihet fjalës kur ka parasysh se në botë ka keqpërdorues të fjalës, shkelës të fjalës dhe humbjen e vlerës përballë antivlerave me të cilat qe i rrethuar edhe Azem Shkreli qysh në kohën kur e bekoi “Baladën në gur” përballë një shkëmbi në “Grykën e Carralevës” e deri te baladat e fundit, poezitë me tone elegjiake, nëpër të cilat poeti nuk ndalet për ta kërkuar “Tapinë e gjyshit jetik” edhe kur u nda përgjysmë zemra e kësaj bjeshke, por edhe sot e kësaj dite.


[1] A. Vinca, Orët e poezisë. Rilindja, Prishtinë 1990, f. 224.
[2] B. Çapriqi, Simboli dhe rivalët e tij. PEN Qendra e Kosovës, 2005 f. 165.
[3]  S. Bytyçi, Fjalë prej guri (Vepra letrare e Azem Shkrelit), Instituti Albanologjik, 2010 f. 107.
[4] S. Bytyçi, po aty.
[5] A. Shkreli, Kënga e hutinit. “Rilindja” 1986, f. 23.
[6] A. Shkreli, E di një fjalë prej guri, “Rilindja”, Prishtinë 1969, f. 84.
[7] A. Shkreli, Lirikë me shi, “Rilindja”, Prishtinë 1994f. 30.
[8] A. Shkreli, Nga bibla e heshtjes, “Rilindja”, Prishtinë 1975, f. 10.

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet dhe shkrimtar

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.