FLAS ME SANDOKANIN

0
716

Shkruan Zymer Mehani

Ne i duam dhe i nderojmë figurat kolosale të kombit tonë. Ne e duam dhe e nderojmë heroizmin e pashoq të SANDOKANIT TRIM, sepse e kuptojmë rolin dhe rëndësinë e tij që pati në zhvillimin e luftës çlirimtare, dhe vërtet dita ditës po bindemi edhe më tepër për madhështinë e veprës së tij, kuptimi i së cilës është: një jetë më e lumtur dhe krejt e lirë për brezat që do të vijnë pas nesh. Dhe për këtë arsye njeriu i rëndomtë lidhet mish e thua me figura të tilla kombëtare, siç është edhe SANDOKANI YNË dhe dëshiron që ideali i tij të realizohet tërësisht. Po e themi krejt hapur, ky ideal është Ribashkimi KOMBËTAR.

Njeriu i cili e ndezi flakadanin e lirisë dhe ngadhnjeu mbi skëterrën shekullore të Serbosllavisë, Komandant SANDOKANI, asnjëherë nuk vdes. E madhe është vepra që na e la ai. E kjo është LIRIA, e cila s’matet as s’ka çmim tjetër, veç çmimit të gjakut. Shëmbëlltyra e Komandantit Abedin Rexha edhe më tutje do t’i ndriçojë rrugët tona në ardhmëri, siç i ndriçonte edhe gjatë betejave çlirimtare për popullin tonë.

Kalojnë ditët, javët, muajt, vitet e do të kalojnë edhe shekujt, por kujtimi për Viganin e Epokës, SANDOKANIN do të mbetet i freskët prore në mendjet, në zemrat dhe në kujtesën tonë historike. Ashtu si edhe ne, edhe brezat që do të vijnë, do ta mbajnë në zemër dëshmorin e lirisë Abedin Rexha, për ta bërë flamur kuq e zi në valim rrugëve e shesheve tona të lirisë, kudo, në çdo cep të atdheut.
Posa ta përmendësh emrin SANDOKAN, liria bashkohet me atdheun. Gëzim e hare shpërndahet në çdo anë. Dritësim diellor, rrezeartë.

Liria ndërtohet me sakrifica, me jetëra, ndërtohet me gjak, ndërtohet me dëshmorë. Kurse, dëshmorët janë nderi dhe krenaria e popullit tonë martir. E këtij populli që luftoi pareshtur për liri shekuj me radhë. E yll mes yjesh është edhe SANDOKANI, që prore shndrit në horizont. Dëshmorët janë ndërgjegjja më sublime dhe vetëdija, e ngritur lart, deri në piedestalin e vetëflijimit. Të tillë e kemi edhe SANDOKANIN.

Ai jetoi për ne dhe u flijua për ne. Prandaj, e kujtojmë heroin tonë, Abedin Rexha gjithmonë e gjithkund. Me flamuj kuq e zi në duar, me një diell në gji, me një rreze në ballë, me kujtimin për Gjeneralin Abedin Rexha lundrojnë mendimet dhe vegimet tona mbi detin e gjakut të flijuar për liri. Në paqe e në luftë, në fushë e në mal, na shfaqet kujtimi për heroin. E ke atje, këtu… Emri i tij- në rrugë, në shkolla e libra, është skalitur me shkronja të arta dhe në ballin e atdheut.

Një varr, një gur, një lapidar, një përmendore e meriton ky bir i denjë i kombit shqiptar. Lapidar i lirisë është vetë ai, ngase u bë flakadan i përjetësuar. O ai është diell me rreze të dëlira, me dritë lirie.

Ai është vetë liria jonë.
Lavdi!….

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.