Heshtja e gurit, koha e trurit dhe lotët e burrit për Çamërinë tonë

0
1355
Nue Oroshi

Nue Oroshi

Në heshtjen e gurit ku na sillet vërdallë koha e trurit për t’i parë gjëmat dhe lotët e burrit për Çamerinë tonë. Çamëria sot është loti e varri i shqipes që thërret që nga bregu i pikëllimës t’i dalin zot bijtë dhe bijat e veta. Çamëria sot është plaga shekullore, testamenti i shkruar dhe i pashkruar, kaluar nëpër Konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Çamëria nuk është vetëm çështje pronash por është tokë Arbërore e trashëguar shekuj me radhë gjatë ecjakjeve historike. Çamëria është zëri i Gjin Bua Shpatës dhe Pjetër Loshës këtyre dy viganëve Arbëror që na thërrasin që t’i dalim zot kësaj toke të bekuar. Çamët dhe Arbërorët në Çamëri u përballën me presionet dhe dhunën greke shekuj me radhë. Masakrat mbi Arbërorët e Çamërisë ishin shekullore ato asnjëherë nuk u ndalën.

Ato e mbuluan edhe heshtjen e gurit prej kohërave të lashta e deri në shekullin e informatikës ku përzihen lotët e nënave arbërore të Çamërisë për bijtë dhe bijat e tyre që u vranë, u masakruan dhe u larguan nga tokat e të parëve. A e dini të nderuar lexues se Çamëria apo Principata e Artës mesjetare pas shuarjes së shtetit të Artës se Arbërorët e Çamërisë mesjetare mërguan në viset etnike shqiptare por një pjesë e tyre mërguan edhe në Itali ku u krijuan viset me shqiptarë në Kalabri dhe në Sicilinë e sotme duke i ruajtur për pesë shekuj me radhë traditat dhe identitetin e kombit shqiptarë. E një poet do të shkruante: “Atë që e bëri Kastrioti me shpatë e bëre ti me pend o i madhi De Radë.” Është fjala për poetin e shkrimtarin tonë të madh arbëresh themeluesin e Rilindjes shqiptare Jeronim de Radën.

Çamëria – Kjo plagë e rëndë e Arbërisë sot është e mbështjellur dhe e ngulfatur nga shofinizmi grek. Çamëria gjaku dhe shpirti Arbëror, sot është e mbuluar me petkun e zisë. Çameria është sot loti dhe varri Arbëror që thërret që prej bregut të pikëllimes, t’i dalin zot bijtë e vet. Po ku është Çameria sot? Ku janë Çamët sot? Ku janë të shpërndarë pasardhësit e Gjin Bua Shpatës dhe të Pjetër Loshës këtyre viganeve të Arbërisë të cilët në fund të shek. XIV dhe në fillim të shek. XV e ngritën dhe e mbajtën në këmbë Principatën Arbërore të Artës.

Sot thërrasin zërat e Gjin Bua Shpatës e Pjeter Loshës ku je katandisur Arbëri. Ku i ke djemtë e tu që janë përgjumuar, i ka nxënë gjumi shekullor dhe ai mortor. Sot me zë të artë thërrasin: Arta, Janina, Ajdonati, Filati, Konica, Margëllaqi, Filipa dhe Parge, Trikalla, Preveza e Gjiri i Artës, Meçovë, Grebenë, Naselicë, Kostur, ata therrasin në ndihmë Arbërinë ngrihuni djemtë e Arbërit e na ndihmoni është koha e fundit të bëni diç për Çamërinë. Derisa Çamëria kjo plagë e hapur e Arbërisë na thërret që në çdo mënyrë të mundëshme t’i dalim zot kësaj pjese të trupit tonë, do të ishte e udhës që edhe intelektualët shqiptarë kudo qofshin dhe ngado qofshin ta humbin një pjesë të kohës së tyre të çmuar për Çamërinë.

Që në fillim dua të theksoj se sot o kurrë është koha e duhur që t’ia kthejmë borgjin shekullor Çamërisë, ta ngulitim në kokat dhe mendjet e gjeneratës së re përmes librave të shkruara se Çamëria është djepi dhe trolli Arbëror, është koha t’iu tregojmë këtyre gjeneratave se në vendin e sotëm të Çamërisë të gllabëruar nga shovinizmi shizofren grek, mu në këto themele në gjysmën e dytë të shekullit XIV, dhe në fillim te shekullit XV, ka eksistuar Principata e Artës me prijësit e saj, Gjin Bua Shpata, Pjeter Losha, Muriq Bua Shpata, Zguro Bua Shpata, Pal Bua Shpata, Jak Bua Shpata, Karull Bua Shpata, të gjithe këta prijësa Arbëror përplot dy shekuj jetë e mbajtën të gjallë Principaten Arbërore të Artës.

Intelektualë shqiptarë kudo që jeni të shpërndarë, anë e kënd botës, mblidhni fuqinë dhe ta shkruajmë dhe flasim të vërtetën e hidhur për motrën tonë Çamërinë. Shoqata e Intelektualëve Gjithshqiptarë “Trojet e Arbrit” më, 4 Qershor 2017 në Gjirokastër do të mbanë sesionin shkencor me temën : “Çamëria dhe Marrëdheniet shqiptaro-greke nëpër shekuj.” Intelektualë shqiptarë, kudo që jeni të shpërndarë, anë e kënd botës dhe në Trojet tona Arbërore, mblidhni fuqinë e mendjen, e lënë anash heshtjën e gurit dhe lotët e burrit por qitne në përdorim trurin tuaj dhe me duart tuaja të arta të shkruajmë e flasim të vërtetën e hidhur për motrën tonë Çamërinë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.