HIMN PËR ROGANËN

0
67
Atdhe Rrustem Geci

HIMN PËR ROGANËN – Poezi nga libri, “Kanuni poetik” i riu

Kam mall për Roganën, për Dardaninë
për krejt atdheun! Kam mall për rrezet
me gjak të diellit e të yjeve, për rrezet
me stinë të gjelbra vere dhe për qiellin
me kallinj ylberesh. Kam mall për tërë
brezat e vendlindjes sime, për këngët
dhe humorin e tyre, për mendjet e urta
kam mall për të gjithë ata që krijojnë
Mjer kush fle në këtë kohë aq të pritur,
mjer kush nuk ndërton në folenë e tij,
mjer kush nuk e lë mendjen të shkruaj
e juaja është Rogana e Kosova dardane

Roganë kam mall për mbrëmjet tua të
magjishme, për Kodrën e Brijës dhe,
aeroportin e zogjve në Frakamen, kam
mall për pranverën me shi e bubullimë
për dimrin me lundrat mbi borë dhe erë,
E ndjej hijen e Plakut të Lisit në Cukal
dhe fëshfërimat e barit me lulet e malit
Roganë, jam unë, je ti! Jemi një këngë
fuqishëm e ndjej dashurinë time për ty
tek ty kam gjakut tim, lidhjet familjare
kjo poemë të kushtohet ty e atdheut tim.

Le të çelë ajri, uji, era e stinët me diell
le të çelë rëra, guri e lulet e shkëmbit
populli i Kosovës dardane do të ngritët
të rimerr pjesët e pushtuara të Atdheut
Nëna ime, Naxhije Geci, e lindur në një
fshat të pushtuar nga Serbia, prehet e
thyer te varret, zëri i saj ka kohë që më
troket, bir, ku mbeti, Çështja e Mollës
së Kuqe, popull i Roganës, intelektualë,
jepni liri mendjes e mendimit, shkruani;
e juaja është Rogana e Kosova dardane!…

Atdhe GeciRoganë, Prishtinë, 2021

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.