HIMNI I JETËS – poezi nga libri “Indi dhe Qenia”
Këtë himn solemn të librit po e hapi
me vargjet më të nxehta të shpirtit
dhe vuajtjet e rënda të së kaluarës
Në poezi asgjë s’lind jashtë njeriut
por, nga oksigjeni i gjakut jetësor
nga muza e përdhimbjeve njerëzore
si dhe nga afritë e largësitë e paana!
Zgjohu kënga ime, zgjohu vargu im
kemi edhe shumë udhë për të bërë
kemi dhe shumë vuajtje para vetes
zgjohu, dhe shihe atë që e sheh syri
zgjohu, e shihe çka dëgjojnë veshët
zgjohu, e shih çka feston mashtrimi
Midis të tri oktaveve të frymëzimit
poezia i ruan jetët e papërsëritshme
ca të fshehta të palulëzuara të jetës
mugullima jo dhe aq të lavdëruara
Hapja epokave poetike nga poetët
është vetëm një hap për vetëçlirim
për të fituar mbi dritëpaktën e jetës
Në çastet më hymnore të krijimit
poetët janë ujëvarat që s’shterrojnë
Lir, poezia zë kokër tek e dashura
tek sytë e saj që dëgjojnë e presin
dhe tek flaka e saj që s’ka të shuar!
Në detin e paanë të gjuhës, nuk ka
të çara midis fjalëve dhe germave
poezia është e lehtë për t’u kuptuar
dhe kombëtare në shprehje e figurë!…
Atdhe Geci – Dortmund, 2020