HIPOKRIZIA SERBE

0
147
Gënjeshtrat serbe

Nga Ryzhdi Baloku

Kohë më parë shkrova dhe e publikova në disa portale reagimin tim ndaj një rrene të madhe, të botuar në librin me titull: “Gjenocidi i shqiptarëve ndaj serbëve në shekullin 20; dokumente” (Šiptarski genocid nad srbima u 20 veku; dokumenti), me konotacion përçmues “shiptarski” e jo “allbanski”, botim ky i kishës serbe, me redaktore Sllavica Radomiroviq, i cili ishte përkthyer edhe në gjuhën angleze nga Kosara Gavrilloviq, ku shkruante se libri ka 951 faqe.

Reagimin tim për të, e shkrova në katër faqe të formatit A4. Megjithëkëtë, preferova që kundër këtij libri të organizohet një konferencë shkencore me pjesëmarrje ndërkombëtare, në të cilën do të demantohej përmbajtja propaganduese e shpifjes së “gjenocidit të shqiptarëve ndaj serbëve”, ndërsa Ministrisë për Kulturë të Republikës së Kosovës i sugjerova që menjëherë ta përgatisë padinë për t’ia dorëzuar UNESKO-s, kundër dioqezës “Rashkë-Prizren”, për fshehjen apo zhdukjen e figurave të trashëgimisë shqiptare nëpër freskat e kishave të Kosovës.

Ndaj akuzave që ishin shkruar aty, përgjigjja ime në atë reagim ishte pos tjerash se asokohe shqiptarët s’kanë pasur fuqi as t’ia prishin “tymin e duhanit” dikujt, e lëre më të bëjnë gjenocide ndaj të tjerëve, siç na fajëson kisha serbe përmes botimit të atij libri.

Na është e njohur se, shteti serb nuk ka ndonjë gjenezë të hershme historike, andaj edhe dihet mirë filli i tij.

Faktet tregojnë se si në tokat arbërore Rusia e krijoi shtetin e tyre. Madje edhe popullatën serbe arriti ta rrisë numerikisht me asimilimin e popujve të tjerë, në mesin e të cilëve ishin edhe shqiptarët e besimit ortodoks.

Brenda popullatës serbe, edhe sot sipas mbiemrave mund të veçohen familjet që për kah gjeneza nuk i takojnë nacionalitetit serb, ngase këtë gjë na mundëson vetë kuptimi i mbiemrave të tyre, si: Arnautoviq, Vllahoviq, Gërkoviq, Gërgureviq, Gërguroviq, Kastratoviq, Latinoviq, Martinoviq, Cincareviq etj.

Megjithëkëtë, këtë çështje më duhet ta lë me kaq dhe t’i kthehem thelbit të kësaj teme, të cilën që në fillim e kam parashtruar para lexuesve.

Për të qenë hipokrizia serbe edhe më e madhe sesa deri tash, Kuvendi Komunal i Srebrenicës në Bosnje e Hercegovinë, me iniciativën e kryetarit të këtij organi z.Radomir Pavlloviq, miraton Rezolutën mbi “pësimet e popullit serb në Srebrenicë, në shekullin 20. dhe gjykimin e të gjitha krimeve të kryera ndaj serbëve, si dhe pjesëtarëve të të gjithë popujve në territorin e ish Jugosllavisë”, shkruan gazeta-portali POLITIKA e Beogradit me dt.02.07.2021.

Sipas këtij portali, miratimin e vendimit e kanë votuar vetëm asamblistët serbë, ngase përfaqësuesit boshnjakë me atë rast e kanë lëshuar sallën e Kuvendit pas një debati të gjatë, me qëllim që mos të jenë pjesëmarrës të atij absurdi.

Serbët nuk janë aq naivë sa mos ta dinë se e tërë bota ka njohuri për gjenocidin serb ndaj boshnjakëve, ngase në prezencë të ushtarëve dhe oficerëve të Kombeve të Bashkuara, në Srebrenicë janë marrë e pushkatuar pa dallim moshe të gjithë meshkujt boshnjakë, kufomat e të cilëve më vonë janë gjetur nëpër varreza masive.

Përkundër kësaj, ata po ashtu e dinë mirë nga përvoja e tyre manipuluese se si me rrena ta krijojnë mitin, e me mite ta ndërtojnë historinë, sikurse për Betejën e Kosovës së vitit 1389, ngase faktet historike tregojnë qartë se shkenca serbe ka manipuluar me të dhëna, si me qenë ajo një betejë serbo-turke, e jo e betejë e koalicionit të krishterë kundër turqve otomanë.

Për fat të keq, në këtë kurth manipulimi kanë rënë disa personalitete me ndikim, si nga qarqet e politikës ndërkombëtare, po ashtu edhe nga ato shkencore.

I gjithë ky manipulim i serbëve është ndërtuar aq bukur saqë edhe krijuesit e saj tani qorras i besojnë, siç thotë edhe vetë akademiku serb Dobrica Qosiç: “Në këtë vend, secila gënjeshtër bëhet e vërtetë”. Pra, për ta e vërtetë është edhe Beteja e Kosovës së vitit 1389, mu ashtu siç shkruan historiografia serbe.

Serbët e dinë mirë se tash për tash, libri i botuar nga kisha serbe me titull: “Gjenocidi i shqiptarëve ndaj serbëve në shekullin 20; dokumente”, dhe “Rezoluta mbi pësimet e popullit serb në Srebrenicë, në shekullin 20. dhe gjykimin e të gjitha krimeve të kryera ndaj serbëve…”, nuk do t’u “pinë ujë”. Mirëpo, qëllimi i tyre është që për të ardhmen të lënë gjurmë, me paramendim se do t’u shërbejnë pastaj si dokumente për historinë e tyre, sikurse për Betejën e Kosovës së vitit 1389.

Sipas mendimit tim, mos-ndalja e kësaj hipokrizie serbe dhe vazhdimi i saj me avazin e vjetër ka për qëllim fshehjen e pretendimeve hegjemoniste që kanë ata, duke menduar se një ditë bota do t’i “ha” edhe këto mashtrime.

Në këtë kontekst mu kujtua një fabul që dikur e kisha lexuar, te cilën tani do ta ndaj me ju lexues të nderuar, me qëllim që ta kuptoni më mirë gënjeshtrën serbe.
Fabula që e kisha lexuar e përshkruante ngjarjen si vijon:

Derisa Gënjeshtra dhe e Vërteta po ecnin rrugës bri njëra tjetrës, filluan të bisedojnë. Kur iu afruan liqenit, Gënjeshtra i tha asaj: – Eja të lahemi, uji është shumë i mirë.
Duke pasur dyshim, e Vërteta provoi ujin dhe konstatoi se uji ishte i këndshëm.

Të dyja u zhveshën, u zhytën në ujë dhe nisën të lahen së bashku. Mirëpo befas, Gënjeshtra doli nga uji dhe iku me vrap posa i veshi rrobat e të Vërtetës. E Vërteta e befasuar doli me vrull nga aty duke u përpjekur për t’i marrë rrobat e veta, por megjithatë mbeti lakuriq në stom të ujit.

Kur bota e pa të Vërtetën lakuriq, u çudit me pamjen e tillë, andaj e shikoi me zemërim dhe përbuzje.

Për ta fshehur trupin e saj, e Vërteta fisnike u kthye në ujin e liqenit dhe u zhduk përgjithmonë. Që nga ajo kohë, Gënjeshtra e shëtit botën e veshur si e Vërteta…
Serbët e dinë mirë këtë fabul, andaj rrenën e tyre e zbukurojnë aq bukur, saqë bëhet e dashur dhe e pranueshme edhe për të tjerët që e dëgjojnë apo lexojnë, sikurse për Betejën e Kosovës së vitit 1389.

Nga ky këndvështrim mund të thuhet si përfundim se Rezoluta e Kuvendit Komunal të Srebrenicës dhe Libri i përmendur i kishës serbe, kanë për qellim që në të ardhmen ta manipulojnë historinë me to.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.