I TRETUNI

0
1098
Ndre Mjeda

I TRETUNI

Ndre Mjeda

Nuk kalon nji natë e n’andërr
porsi zgjandërr
e shof nanën këtu përbri;
me krye vjerrtë, me lot për sy
rri tue shfry
njat idhnim që don me e gri.
Ndejun m’duket prapë te votra
ku me motra
n’dritë t’kandilit qepte e arnote
por njat gaz ka që i shndritte
kur godit’te
petkat e djalit e shendote.
Kqyr njat vend ku n’mbramje rrishe
kur nuk kishe
fije idhnimi nëpër ftyrë
e ngurron, si t’kenke gurit
e, pshtetë murit
lot’ i dalin rrkajë tuj kqyrë.
“T’kishe dekë ma mirë, o i mjerë –
thotë sa herë, –
afër nanës qe t’desh e t’ruejti;
t’kishe mbyllë me duer te mia
këtu te shpia
njata sy qe mordja shuejti.
Afër vorrit tand nan-shkreta
porsi bleta
ishte sjellun tue gjimue
e n’at bar qe kishte qitë
për gjithë ditë
ndonji lule kish kërkue…”
E mandej, si del nji krue
tue bumue
rreth e rreth prej brijes s’malit
rrkaj i ulen lot’ për rrudha
– Nuk asht udha
nanë, m’u idhnue per t’zeza t’djalit.
Kur n’kët shekull n’drit’ e qite
kur e rrite
me njat mund që nep hitia
Nji nanë tjetër, – thoshe, – ke,
bir n’kët dhé
nana jote, a’ shqiptaria.
Mend e zemër për të shkriji
e përtriji
nam e lavd kur t’i vijë dita.
Mbas fjalësh t’tua përherë shkova
e t’ndigjova:
shqiptarin’ nuk e korita.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.