Islamizimi nën terrorin turko-sllav

0
632

Gani MEHMETAJ

Pushtuesit sllavë e turq nuk lanë gjurmë qytetërimi, por lanë vragë krimi. Asnjë objekt nuk mbeti pas sundimit të tyre. I shfrytëzuan objektet vendëse, i rrënuan shumicën prej tyre, ndërsa sheshet, rrugët e qytetet arbërore jo vetëm nuk i zgjeruan, por i ngushtuan, sepse në psikologjinë e tyre kolektive nuk vepronte mendësia e ndërtimit, por shpërfytyrimi i rrënimit. Pushtuesit sllavë kishat katolike e bizantine arbërore i përvetësuan, duke i proklamuar se kinse janë të tyret.

Të njëjtën gjë e bënë edhe osmanët, rrënuan sheshe e objekte monumentale, duke ndërtuar tregje të ngushta orientale. Mbi objektet vendëse, ku ishin kishat e sheshet ndërtuan xhami e stalla kuajsh. Sipas modelit të Aja Sofisë në Kostandinopojë, pushtuesit turq i bënë të gjitha kishat katolike xhami. Asnjë kishë katolike nuk mbeti në Arbëri, pos në malësi, ku nuk mund të shkelnin. Nga sheshet e dikurshme mesjetare të gjera e të ndritshme, bënë çarshi orientale të errëta e dyqane me qepena. Hapësira e vogël ta zinte frymën ashtu si ta zinin frymën shtëpitë njëkatëshe me qerpiçë, e kundërta e kullave arbërore trekatëshe me gurë e frëngji.

Sllavët e turqit ishin popuj nomadë, që shtëpitë e lëvizshme në formë të çadrës i merrnin me vete kudo, duke tërhequr zvarrë shpesh edhe familjet (sllavët), kurse turqit merrnin me vete haremin, një lloj shtëpie publike për ushtarakët e spahinjtë. Sllavët e turqit ishin hordhi nomadësh me organizimin ushtarak, pa asnjë traditë e kulturë qytetërimi, prandaj nuk lanë prapa rrugë, sheshe, godina monumentale, piktura, skulptura, art, letërsi, sikurse la prapa vetes Greqia antike apo Perandoria Romake.

Serbët nuk lanë gjurmë, sepse u mjaftonte plaçka e luftës. Perandoria Bizantine i nxori nga errësira, pasi i pushtoi dhe i disiplinoi disi, megjithëse kryesisht i përdori mercenarë e vrasës me pagesë. Vrasës me pagesë ishin edhe nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Prandaj, gjatë kësaj pranvere, kur bëmë shtegtime përnjohjeje nga Istogu në Prizren, nuk e gjetëm asnjë objekt për be që e lanë pushtuesit sllavë e pushtuesit turq. Dy-tri kishat monumentale katolike e bizantine, si Patrikana e Pejës e Manastiri i Deçanit u takonin arbërorëve deri në kohën kur kryeveziri turk me prejardhje sllave, Mehmet Pashë Sokoloviqi ( 1506 – 1579), ua dha në zotërim pronat e Kishën e Pejës, Manastirin e Deçanit, dhe të gjitha kishat katolike e bizantine në Dardani, priftërinjve sllavë për lojalitet e shërbime të mira, ndërsa i dëboi priftërinjtë arbërorë. Ishte kjo tronditja e dytë e madhe pas pushtimit osman. Atëherë filloi terri i dytë nga osmano-sllavët mbi Dardaninë, pjesë e Arbërisë. Atëherë nisi një dyndje e madhe e popullatës drejt maleve, ose drejt tokave austriake, trashëgimtare e Perandorisë së Shenjtë Romake.

Të ndërsyer nga osmanët, priftërinjtë sllavë silleshin keq me popullatën arbërore katolike të Pejës e të katundeve, i trajtonin si skllevër, shkruan në një kronikë të kohës, drejtuar Vatikanit. Për terrorin e priftërinjve sllavë të Patrikanës së Pejës shkruan edhe akademiku Mark Krasniqi. Sipas dekretit turk, priftërinjtë serbë kishin të drejtë t’i vrisnin ata, t’i ndëshkonin me kamxhik, t’i fusnin nëpër bodrume e tortura të tjera. I vetmi shpëtim i arbërorëve, ashtu si ua sollën punën ishte të bëheshin myslimanë, ose të iknin nga sytë këmbët.

Në ankesën e priftërinjve arbërorë drejtuar Vatikanit thuhet se priftërinjtë serbë i gjymtonin bujqit në rrethinat e Pejës, me lejen e pashait turk të qytetit, por natyrisht urdhri u vinte nga Porta e Lartë. Përfaqësuesit e arbërorëve të keqtrajtuar ia nisën një letër Sulltanit, duke u ankuar që autoritetet lokale nuk i mbrojnë nga terrori, mirëpo të dërguarit e Sulltanit u premtuan se do t’ua shpëtonin kokën po u kthyen në myslimanë.

Kështu nisi vala e dytë e islamizimit të arbërorëve sipas kurdisjeve të Perandorisë Osmane dhe serbëve që i përfaqësonte kryeveziri turko-serb, Mehmet Pashë Sokoloviqi. Pashai turk të vëllanë e bëri të parin e Patrikanës së Pejës. Një pjesë e arbërorëve iu kundërvunë terrorit të priftërinjve sllavë e zaptive turke që e mbronin Patrikanën, mirëpo ndërhyri garnizoni turk i qytetit të Pejës, duke i vrarë kryengritësit e duke e masakruare popullatën katolike, ndërsa u doli në ndihmë serbëve të deleguar nga Stambolli. Kështu një pjesë e vendësve ikën maleve, një pjesë iu nënshtruan islamizmit dhe pjesa tjetër u tretë në Gadishullin e trazuar Ilirik.

Gjendja ishte e njëjtë edhe në krahinat e tjera të Dardanisë. Kronikat, relacionet e ankesat shkuan lumë në Vatikan, por ndihma nuk u erdhi nga askund. Arbërorët mbetën të braktisur e të vetmuar, në mëshirën e pushtuesve turq e të armiqve edhe më të vjetër, sllavëve serbë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.